Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2026

V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA DURRËS TË NJËSIVE TË BANIMIT  NË NDËRTESA (PALLAT) TË NJË DHOME TEKNIKE DHE TRI NJËSIVE TË SHËRBIMIT “KOPSHT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 6, të nenit 21, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Durrës të 259 (dyqind e pesëdhjetë e nëntë) apartamenteve në 6 (gjashtë) ndërtesa me njësi banimi (pallat) të 1 (një) dhome teknike dhe 3 (tri) njësive të shërbimit “Kopsht”, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Durrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN   E INSPEKTORATIT QENDROR TË PUNËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikave 1 dhe 2, të nenit 26, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 6, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Punës (në vijim, IQP) si person juridik publik, buxhetor, me seli në Tiranë, në varësi të ministrit përgjegjës për punën.
2. IQP-ja financohet nga buxheti i shtetit dhe nga burime të tjera të ligjshme, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi. Buxheti i IQP-së përbën zë të veçantë në buxhetin e ministrisë përgjegjëse për punën.
3. IQP-ja ka si mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e punës nëpërmjet kontrollit, konstatimit, këshillimit, njoftimit, formimit, zbutjes së konflikteve, parandalimit dhe sanksionimit, sipas përcaktimeve ligjore në ligjin e inspektimit të punës dhe atë për inspektimin në Republikën e Shqipërisë.
II. PËRGJEGJËSITË FUNKSIONALE TË INSPEKTORATIT QENDROR TË PUNËS
1. IQP-ja është përgjegjëse për verifikimin e zbatimit të kërkesave ligjore të legjislacionit të punës dhe ngarkohet:
a) të sigurojë zbatimin e dispozitave ligjore për kushtet e punës dhe mbrojtjen e punëmarrësve në ushtrimin e profesionit të tyre, për kohëzgjatjen e punës, pagat, sigurimin, higjienën e mirëqenien, punësimin e fëmijëve, të të miturve dhe grave, si dhe për çështje të tjera, që lidhen ngushtë me to, në atë masë, që struktura përgjegjëse për inspektimin e punës ngarkohen të sigurojnë zbatimin e këtyre dispozitave;
b) t’u japë të dhëna dhe këshilla teknike punëdhënësit dhe punëmarrësit për mjetet më efikase të shqyrtimit të dispozitave ligjore;
c) të vërë në dijeni autoritetin përgjegjës për mangësitë dhe abuzimet, që nuk mbulohen në mënyrë të veçantë nga dispozitat ligjore në fuqi, si dhe të propozojë mjetet e instrumentet e nevojshme për përmirësimin e gjendjes.
2. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të kreut II, të këtij vendimi, IQP-ja është përgjegjës për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektimin e punës.
III. ORGANIZIMI DHE FUNKSIONIMI
1. IQP-ja e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
2. IQP-ja organizohet në 2 (dy) nivele:
a) Në nivel qendror nëpërmjet drejtorisë qendrore;
b) Në nivel rajonal nëpërmjet 5 (pesë) drejtorive rajonale të inspektoratit qendror të punës (në vijim, DRIQP), si më poshtë:
i. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Tiranë (përfshin Qarkun Tiranë);
ii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Durrës (përfshin qarqet Durrës e Dibër);
iii. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Vlorë (përfshin qarqet Vlorë, Fier dhe Gjirokastër);
iv. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Korçë (përfshin qarqet Korçë, Elbasan dhe Berat);
v. Drejtoria Rajonale e Inspektoratit Qendror të Punës Shkodër (përfshin qarqet Shkodër, Lezhë dhe Kukës).
3. IQP-ja drejtohet nga kryeinspektori qendror, i cili organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj, si dhe përgjigjet e raporton për veprimtarinë inspektuese përpara ministrit përgjegjës dhe inspektorit të Përgjithshëm.
4. DRIQP-të drejtohen nga kryeinspektorët rajonalë.
5. Struktura dhe organika e IQP-së miratohen me urdhër të Kryeministrit, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore. Përpara dërgimit të propozimit merret mendimi i Inspektoratit të Përgjithshëm.
6. Kryeinspektori Qendror drejton veprimtarinë e IQP-së, e përfaqëson atë në marrëdhënie me të tretët, si dhe është përgjegjës për:
a) organizimin, koordinimin e funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së IQP-së, nëpërmjet:
i. organizimit të punës për kryerjen e veprimtarisë inspektuese për të arritur përputhshmërinë ligjore me legjislacionin e punës të subjekteve të inspektimit, mbi të cilët vepron ligji i inspektimit të punës;
ii. monitorimit dhe vlerësimit të efikasitetit të veprimtarisë inspektuese të fushës përkatëse, si dhe të masave të ndërmarra për arritjen e objektivave;
iii. organizimit të punës për hartimin e propozimin e përmbajtjes të dokumenteve standarde për inspektimin e punës dhe zbatimin e tyre në këto fusha;
iv. zbatimit të politikave sektoriale, strategjive dhe programeve të inspektimit të punës.
b) menaxhimin e burimeve njerëzore;
c) menaxhimin e burimeve financiare, zbatimin dhe administrimin e buxhetit të miratuar, si dhe përgatitjen e projektbuxhetit për vitin e ardhshëm, të cilin ia paraqet ministrit përgjegjës, në përputhje me legjislacionin në fuqi, në funksion të veprimtarisë së inspektoratit, si dhe në përmbushje të politikave të institucionit;
ç) nxjerrjen e akteve administrative të përcaktuara sipas legjislacionit në     fuqi për inspektimin e punës;
d) zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të ligjit për inspektimin dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij, si dhe legjislacionit të punës;
dh) raportimin e veprimtarisë inspektuese sipas legjislacionit në fuqi për inspektimin në Republikën e Shqipërisë dhe inspektimin e punës;
e) sigurimin e kontakteve me organe homologe dhe organizata të ndryshme, vendase apo të huaja, për zgjidhjen efektive të problemeve në fushën e inspektimit të punës, si dhe veprimtari të tjera, për plotësimin e detyrave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për inspektimin e punës;
ë) emërimin dhe lirimin nga detyra të punonjësit, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi;
f) emërimin në detyrë të inspektorëve të IQP-së pas paraqitjes së listës me kandidatët fitues nga Komisioni i Rekrutimit dhe Ecurisë në Karrierë, si dhe lirimin nga detyra, sipas parashikimeve në ligjin për inspektimin;
g) propozimin e kritereve specifike për arsimimin e inspektorëve të IQP-së për çdo pozicion pune, të cilat miratohen nga Inspektorati i Përgjithshëm, sipas rregullimeve ligjore në fuqi.
Kryeinspektori Qendror mbështetet nga 1 (një) zëvendëskryeinspektor qendror.
7. Drejtoria në nivel qendror e Inspektoratit Qendror të Punës është përgjegjëse dhe ka për detyrë:
a) përcaktimin e objektivave të inspektimit të punës, bazuar në politikat, strategjitë, programet, masat e hartuara nga ministria përgjegjëse që mbulon fushën e punës, sipas përcaktimeve në ligjin e inspektimit të punës dhe atë për inspektimin, si dhe identifikon treguesit kyç për vlerësimin e arritjes së këtyre objektivave;
b) hartimin e raportit vjetor mbi veprimtarinë inspektuese, i cili i paraqitet ministrit përgjegjës, drejtorit të Përgjithshëm të Zyrës Ndërkombëtare të Punës, si dhe inspektorit të Përgjithshëm;
c) marrëdhëniet me publikun dhe ndërgjegjësimin publik, nëpërmjet këshillimit e informimit të subjekteve lidhur me detyrimet ligjore, që duhet të respektohen prej tyre, në funksion të zbatimit të legjislacionit të punës, si dhe për veprimtarinë e inspektimit të punës;
ç) drejtimin dhe bashkërendimin e punës për gjenerimin, grumbullimin dhe përditësimin e të dhënave, cilësore e sasiore, në fushën e inspektimit të punës;
d) propozimin e metodave, të teknikave inovative apo të ndryshimeve ligjore, që kontribuojnë në rritjen e eficiencës në fushën e inspektimit të punës;
dh) sigurimin e unifikimit të praktikave të inspektimit të punës, në shkallë vendi;
e) bashkëpunimin e bashkërendimin e punës me organe të tjera në funksion të veprimtarisë së inspektimit të punës, si dhe me organe analoge të huaja, në fushën e inspektimit të punës;
ë) vlerësimin dhe evidentimin e nevojave për trajnime të inspektorëve, në bashkëpunim me Inspektoratin e Përgjithshëm apo me çdo institucion vendas apo të huaj;
f) hartimin e  programit vjetor e mujor të inspektimit në fushën e inspektimit të punës dhe të treguesve të tyre, që parashikohen të jenë pjesë e këtij programi, në funksion të zbatimit të ligjit për inspektimin dhe të legjislacionit të punës;
g) zbatimin e programit të inspektimit, në përputhje me aktet ligjore në fuqi, si dhe bashkërendimin e veprimtarisë së inspektimit;
gj) kryerjen e inspektimeve me urdhër të posaçëm të kryeinspektorit për verifikimin e zbatimit të legjislacionit të punës, sipas procedurës së parashikuar në ligjin e inspektimit;
h) monitorimin e kontrollin e veprimtarisë së strukturave të inspektimit të punës në nivel rajonal;
i) dhënien e mbështetjes teknike dhe administrative për veprimtarinë e inspektimit të punës;
j) kryerjen për të gjithë institucionin, duke përfshirë edhe drejtoritë në nivel rajonal të detyrave:
i. të menaxhimit të burimeve njerëzore, çështjeve ligjore, teknologjisë së informacionit, mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera mbështetëse;
ii. të përgatitjes e zbatimit të buxhetit, mbajtjes së kontabilitetit dhe kryerjes së auditimit të brendshëm.
8. Drejtoritë Rajonale të IQP-së dhe kryeinspektorët rajonalë ushtrojnë këto detyra:
a) DRIQP-të ushtrojnë veprimtarinë inspektuese në territorin e juridiksionit përkatës dhe janë përgjegjëse për zbatimin në nivel rajonal të programeve, të metodologjisë dhe të udhëzimeve të inspektimit të punës;
b) Kryeinspektori i drejtorisë rajonale përfaqëson drejtorinë rajonale në marrëdhënie me të tretët në nivelin e rajonit përkatës dhe është drejtues i nivelit operacional në territorin që mbulon, si dhe përgjigjet para kryeinspektorit Qendror për veprimtarinë e inspektoratit në juridiksionin rajonal. Ai është përgjegjës për organizimin e koordinimin e funksionimit, si dhe për cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së drejtorisë së tij;
c) Kryeinspektori rajonal, përveç sa parashikon ky vendim, aktet ligjore e nënligjore të inspektimit, si dhe ligji për inspektimin e punës:
i. lëshon autorizimin e inspektimit, në përputhje dhe në bazë të programit të miratuar të inspektimit, si dhe për inspektime jashtë programit, në përputhje me ligjin e inspektimit dhe ligjin për inspektimin e punës;
ii. vendos për shtyrjen e kohëzgjatjes së autorizimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin;
iii. vendos për zëvendësimin e inspektorëve, gjatë inspektimit, sipas ligjit.
ç) Kryeinspektori rajonal i raporton dhe i jep llogari drejtpërdrejt kryeinspektorit të IQP-së;
d) Inspektorët e një drejtorie rajonale kryejnë:
i. inspektime mbi bazën e planeve vjetore/mujore, me qëllim sigurimin e zbatueshmërisë së legjislacionit të punës, në funksion të zbatimit të ligjit për inspektimin dhe ligjit për inspektimin e punës;
ii. inspektime jashtë programit, në përputhje me ligjin e inspektimit dhe ligjin për inspektimin e punës, me qëllim verifikimin e zbatimit të legjislacionit të punës;
iii. inspektime në kuadër të një drejtorie rajonale tjetër, vetëm me urdhër të posaçëm të kryeinspektorit të Inspektoratit Qendror.
dh) DRIQP-të hartojnë dhe raportojnë pranë drejtorisë qendrore të IQP-së raporte periodike për rezultatet e veprimtarisë së tyre, sipas mënyrës së parashikuar nga strukturat përgjegjëse në nivel qendror dhe trajtojnë në to tema që diktohen, kohë pas kohe, nga drejtoria qendrore.
e) DRIQP-të evidentojnë nevojat për trajnime të inspektorëve, me qëllim realizimin efektiv të përgjegjësive të tyre, në lidhje me inspektimin dhe rritjen/zhvillimin e kapaciteteve njerëzore e institucionale në fushën përkatëse të inspektimit.
9. Marrëdhëniet e punës së kryeinspektorit qendror, kryeinspektorëve rajonalë dhe inspektorëve të IQP-së rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës, dispozitave të ligjit për inspektimin dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.
10. Marrëdhëniet e punësimit për punonjësit e tjerë, që ushtrojnë funksione publike, dhe për  punonjësit administrativë, që nuk ushtrojnë një funksion publik, rregullohen sipas dispozitave të Kodit të Punës.
11. Rregullorja për metodat e brendshme të punës dhe sjelljen e personelit të IQP-së miratohet nga ministri përgjegjës për punën, me propozimin e kryeinspektorit Qendror.
12. IQP-ja ka stemën, logon dhe vulën e saj zyrtare.
13. Stema e IQP-së përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimin “Republika e Shqipërisë” dhe shënimet e emërtesës së ministrisë përgjegjëse për punën dhe të Inspektoratit Qendror të Punës, në përputhje me përcaktimet e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
14. DRIQP-të kanë stemën, logon dhe vulën e tyre zyrtare. Stema e tyre përbëhet nga stema e Republikës së Shqipërisë, me shënimin “Republika e Shqipërisë” dhe shënimet e emërtesës së ministrisë përgjegjëse për punën, të Inspektoratit Qendror të Punës dhe të drejtorisë rajonale të IQP-së (emri i qarkut, ku ka selinë inspektorati)”, në përputhje me përcaktimet e      vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”, të ndryshuar.
15. Vula e IQP-së dhe vulat e secilës DRIQP kanë formën dhe elementet e përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, që përcakton rregullat e prodhimit, të administrimit, të kontrollit dhe të ruajtjes së vulave zyrtare. Vulat prodhohen, administrohen e ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
16. Vula e IQP-së në nivel qendror përmban dhe shënimin identifikues “Inspektorati Qendror i Punës”, ndërsa vulat e DRIQP-ve përmbajnë dhe shënimin identifikues: “Inspektorati Qendror i Punës, Drejtoria Rajonale e Rajonit (emri përkatës i rajonit, ku ka selinë inspektorati)”.
IV. DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
1. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore ristrukturohet në Inspektoratin Qendror të Punës.
2. Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, të cilët kryejnë funksione inspektuese, trajtohen sipas dispozitave kalimtare të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
3. Nëpunësit civilë aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, të cilët kryejnë funksionet horizontale, në kuptim të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, trajtohen sipas dispozitave të legjislacionit për nëpunësin civil në rastin e mbylljes dhe ristrukturimit të institucionit.
4. Punonjësit aktualë të Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, marrëdhëniet e punës të të cilëve rregullohen në bazë të dispozitave të Kodit të Punës, vijojnë marrëdhëniet e punës pranë Inspektoratit Qendror të Punës, në përputhje me strukturën organizative të miratuar.
5. Procedurat për riorganizimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore në Inspektoratin Qendror të Punës përfundojnë brenda 6 (gjashtë) muajve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi.
6. Deri në fillimin e funksionimit të plotë të Inspektoratit Qendror të Punës, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore vazhdon funksionimin e tij, sipas strukturës dhe organikës së miratuar.
7. Ngarkohen Inspektorati i Përgjithshëm, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Departamenti i Administratës Publike dhe Inspektorati Qendror i Punës për zbatimin e këtij vendimi.
8. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, vendimi nr.295, datë 20.3.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.II, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E EKONOMISË  DHE INOVACIONIT, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH, SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROJEKTIN “MBËSHTETJE PËR NEGOCIATAT PËR ANËTARËSIM TË SHQIPËRISË NË BASHKIMIN EVROPIAN NË SEKTORIN EKONOMIK” (SANECA II)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së zbatimit nr.II, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për projektin “Mbështetje për negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në sektorin ekonomik” (SANECA II), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË ZBATIMIT NR.IV, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E EKONOMISË   DHE INOVACIONIT, DHE DEUTSCHE GESELLSCHAFT FÜR INTERNATIONALE ZUSAMMENARBEIT (GIZ) GMBH,  SI PËRFAQËSUESE E QEVERISË GJERMANE DHE AGJENCI ZBATUESE, PËR PROGRAMIN “ZHVILLIMI I QËNDRUESHËM EKONOMIK DHE RAJONAL, NXITJA E PUNËSIMIT DHE ARSIMI DHE FORMIMI PROFESIONAL” (PROSEED)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së zbatimit nr.IV, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, si përfaqësuese e qeverisë gjermane dhe agjenci zbatuese, për programin “Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik dhe rajonal, nxitja e punësimit dhe arsimi dhe formimi profesional” (ProSEED), sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.607,  DATË 27.10.2017, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN E MJEDISEVE TË NDËRTESËS “GODINA E INOVACIONIT” NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT (AKSHI)”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.607, datë 27.10.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin e mjediseve të ndërtesës “Godina e inovacionit” në përgjegjësi administrimi të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI)”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Në katin e dytë (2), mjedisi me sipërfaqe 700 (shtatëqind) m2 t’i jepet në përdorim pa shpërblim, për një afat të pacaktuar, shoqërisë “Albanian Digital Solution”, sh.a., për ushtrimin e veprimtarisë administrative, sipas planimetrisë në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
b) Pas pikës 5 shtohet pika 5/1, me këtë përmbajtje:
“5/1. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe shoqëria “Albanian Digital Solution”, sh.a., të lidhin marrëveshje për kushtet e përdorimit të mjediseve të përcaktuara në pikën 5 të këtij vendimi.”.
2. Ngarkohen Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, shoqëria “Albanian Digital Solution”, sh.a., Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.9, DATË 15.1.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK DHE FISKAL PËR PERIUDHËN 2027 – 2029”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 23, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Lidhjet nr.1, nr.2/1 dhe nr.2/2, bashkëlidhur vendimit nr.9, datë  15.1.2026, të Këshillit të Ministrave, zëvendësohen përkatësisht me lidhjen nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, dhe lidhjet nr.2/1 e nr.2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.153,  DATË 7.4.2000, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES PËR ZBATIMIN E KODIT RRUGOR   TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr.8378, datë 22.7.1998, “Për Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në rregulloren për zbatimin e Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë, miratuar me vendimin nr.153, datë 7.4.2000, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “c”, e pikës 1, të nenit 248, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) targat e mjeteve rrugore të përkohshme: sfondi i bardhë, shkronjat dhe numrat të kuq, shenja dalluese PRK (përkohshme). Figurat III.4/l.c, III.4/2.c, III.3/c, III.4/1.c1, III.4/2.c1 dhe III.3/c1 i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.
2. Në shkronjat “dh” dhe “e”, të pikës 1, të nenit 245, të shtojcës X, bashkëlidhur rregullores, fjalët “… një karakter numerik …” zëvendësohen me “… deri në dy karaktere numerike …”.
3. Pas figurës III.3/c, të lidhjes nr.1, bashkëlidhur rregullores, shtohen figurat III.4/1.c1, III.4/2.c1 dhe III.3/c1, sipas shtojcës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.436, DATË 3.6.2020,   “PËR PËRCAKTIMIN E KRITERIT TË NOTËS MESATARE PËR PRANIMIN E KANDIDATËVE NË PROGRAMET E STUDIMEVE TË CIKLIT TË PARË DHE NË PROGRAMET E INTEGRUARA  TË STUDIMEVE TË CIKLIT TË DYTË OSE TRANSFERIMIN  E STUDIMEVE NË VITET E NDËRMJETME  TË KËTYRE PROGRAMEVE, NË INSTITUCIONET E ARSIMIT  TË LARTË, PËR VITET AKADEMIKE 2020 – 2021 DHE 2021 – 2022  E NË VIJIM”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 74, të  ligjit nr.80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Arsimit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.436, datë 3.6.2020, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i vendimit ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Për përcaktimin e kriterit të notës mesatare për pranimin e kandidatëve në programet e studimeve të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë”.
b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Kandidatët, për t’u pranuar në programet e studimit të ciklit të parë dhe në programet e integruara të studimeve të ciklit të dytë, duhet të kenë përfunduar me sukses arsimin e mesëm të lartë, minimalisht me notë mesatare 6.5 (gjashtë pikë pesë). Për pranimin në programet e studimit të përcaktuara në shtojcën 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, nota mesatare të jetë minimalisht:
a) 7 (shtatë) për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë në fushën e mësuesisë për gjuhët e huaja;
b) 7.5 (shtatë pikë pesë) për pranimin në programet e studimit të ciklit të parë, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë master në fushën e mësuesisë;
c) 7.5 (shtatë pikë pesë) për pranimin në programin e studimit të ciklit të parë, që përgatit mësues për arsimin parashkollor, program, i cili nuk jep akses në programet e ciklit të dytë në fushën e mësuesisë për arsimin fillor, arsimin e mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë.”.
c) Në pikën 3/1, fjalët “… të përcaktuara në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të vendimit …” zëvendësohen me “… të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të pikës 1, të vendimit …”;
ç) Shtojcat nr.1 dhe nr.2 zëvendësohen me shtojcën nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Arsimit, institucioni përgjegjës për ofrimin e shërbimeve arsimore, institucionet e arsimit të mesëm të lartë, institucionet arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar, si dhe institucionet e arsimit të lartë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.463, DATË 31.7.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E SKEMËS SË VEÇANTË TË GARANCISË SHTETËRORE TË HUAS  PËR GARANTIMIN E HUAMARRJES SË SUBJEKTEVE NË SEKTORIN E BUJQËSISË”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 38, të ligjit nr.9665,    datë 18.12.2006, “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huas në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 57, të   ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, të ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.463, datë 31.7.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e skemës së veçantë të garancisë shtetërore të huas për garantimin e huamarrjes së subjekteve në sektorin e bujqësisë”, bëhen këto ndryshime:
a) Titulli i vendimit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Për miratimin e skemës së veçantë të garancisë shtetërore të huas për garantimin e huamarrjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në të gjithë sektorët e ekonomisë, si dhe fermerëve të regjistruar dhe të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit në sektorin e bujqësisë”.
b) Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“1. Miratimin e linjës së garancisë shtetërore të huas, në vlerën 5 000 000 000 (pesë miliardë) lekë, për garantimin e huamarrjes së ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, pavarësisht sektorit të veprimtarisë së tyre ekonomike si dhe fermerëve të regjistruar e të pajisur me certifikatën e NIPT-it të fermerit, që ushtrojnë veprimtari në sektorin e bujqësisë.”.
c) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Marrëveshja e garancisë shtetërore me bankat tregtare të nivelit të dytë do të jetë sipas marrëveshjes tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.”.
ç) Marrëveshja tip e garancisë shtetërore, bashkëlidhur vendimit, zëvendësohet me marrëveshjen tip, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Autorizohet ministri i Financave për nënshkrimin e marrëveshjeve të garancisë shtetërore me bankat tregtare të nivelit të dytë, të përfshira në skemë, në përputhje me ndryshimet e miratuara me këtë vendim.
3. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit për ndjekjen e procedurave të nevojshme për zbatimin e këtij vendimi.
     Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DEKLARIMIN “PASURI KULTURORE E PALUAJTSHME”    TË PARKUT ARKEOLOGJIK APOLONI, MIRATIMIN E KUFIRIT, ZONIFIKIMIT DHE TË PLANIT PËR RUAJTJEN, MBROJTJEN   DHE ADMINISTRIMIN E TIJ DHE PËR NJË NDRYSHIM  NË VENDIMIN NR.396, DATË 31.3.2005 TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “a” e “ç”, të pikës 3, të nenit 9, pika 3, e nenit 62, të ligjit nr.27/2018, “Për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Deklarimin “Pasuri kulturore e paluajtshme” të Parkut Arkeologjik Apoloni, sipas hartës së zonifikimit dhe koordinatave në Kornizën Referuese Gjeodezike Shqiptare (KRGJSH), që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Miratimin e planit për ruajtjen, mbrojtjen dhe administrimin e Parkut Arkeologjik Apoloni, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Kudo në vendimin nr.396, datë 31.3.2005, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kufijve dhe të rregullores së administrimit të parqeve arkeologjike të Shkodrës, Lezhës, Apolonisë, Amantias, Antigonesë, Finiqit dhe Butrintit”, të ndryshuar, dhe në rregulloren që i bashkëlidhet këtij vendimi, fjalët “… Apoloni/Apolonisë dhe harta që i përket Parkut Arkeologjik “Apoloni” …, hiqen.
4. Ngarkohet Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për publikimin e hartës së Parkut Arkeologjik Apoloni në Gjeoportalin Kombëtar.
5. Ngarkohet Agjencia Shtetërore e Kadastrës për regjistrimin e këtij vendimi, në përputhje me ligjin nr.111/2018, “Për kadastrën”, të ndryshuar, dhe me aktet nënligjore, në zbatim të tij.
6. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Njësia e Administrimit dhe Koordinimit të Parkut Arkeologjik Apoloni dhe Bashkia Fier për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E PROJEKTDOKUMENTIT TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2027–2029
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 25, të ligjit nr.9936,   datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e projektdokumentit të programit buxhetor afatmesëm për periudhën 2027-2029, sipas dokumentit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE TË DETAJUARA PËR PROJEKTIMIN EKOLOGJIK TË PRODUKTEVE ME NDIKIM ENERGJETIK,  SI DHE KËRKESAVE PËR ETIKETIMIN E KËTYRE PRODUKTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 7/1, të ligjit nr.52/2024‚ “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë dhe të ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. QËLLIMI
Ky vendim përcakton kërkesat e detajuara të projektimit ekologjik për pajisjet e ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë, me qëllim:
a) rritjen e eficiencës sezonale të ngrohjes;
b) reduktimit të emetimeve të ndotësve të ajrit;
c) përmirësimit të performancës funksionale dhe të sigurisë së pajisjeve;
     ç) orientimit të prodhuesve drejt inovacionit dhe teknologjive të qëndrueshme.
II. FUSHA E ZBATIMIT
1. Ky vendim përcakton kërkesat e projektimit ekologjik për vendosjen në treg dhe vënien në shërbim të pajisjeve të ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë, me prodhim nominal të nxehtësisë deri në 50 kW.
2. Ky vendim nuk zbatohet për:
a) pajisjet e ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë, të përcaktuara vetëm për djegien e biomasës jodrusore;
b) pajisjet e ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë, të përcaktuara vetëm për përdorim në ambient të jashtëm;
c) pajisjet e ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë, tek të cilat prodhimi i drejtpërdrejtë i nxehtësisë është më pak se 6 % e prodhimit të kombinuar të nxehtësisë direkte dhe të tërthortë në prodhimin nominal të nxehtësisë;
ç) pajisjet e ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë, të cilat nuk janë të montuara në fabrikë ose nuk ofrohen si komponentë, ose pjesë të parafabrikuara nga një prodhues i vetëm për t’u montuar në vend;
d) produktet për ngrohjen e ajrit;
      dh) pajisjet e ngrohjes për sauna.
III. PËRKUFIZIMET
Për qëllim të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këtë kuptim:
1. “Biomasë jodrusore”, çdo lloj biomase, përveç asaj drusore, përfshirë, ndër të tjera, kashtën, barërat e egra, kallamishtet, kokrrat, drithërat, ullinjtë, pastën nga ullinjtë dhe lëvozhgat e arrave.
2. “Biomasë drusore”, biomasa me origjinë nga pemët, shkurret dhe gëmushat, duke përfshirë drurët në copa, drurin e copëtuar, drurin e kompresuar në formë peletesh, drurin e kompresuar në formë briketash dhe tallashin.
3. “Biomasë tjetër drusore”, biomasa drusore e ndryshme nga druri në copa me përmbajtje lagështie 25 % ose më pak, lëndët djegëse të kompresuara në formë briketash me përmbajtje lagështie nën 14 %, ose druri i kompresuar me përmbajtje lagështie nën 12 %;
4. “Biomasë”, fraksioni i biodegradueshëm i produkteve, mbetjeve dhe mbetjeve me natyrë bilogjike nga bujqësia (duke përfshirë substancat bimore dhe shtazore), të pylltarisë dhe industrive të lidhura me to dhe, gjithashtu, nga peshkimi e akuakultura, si dhe fraksionet e biodegradueshme të mbetjeve industriale e komunale.
5. “Dy faza” nënkupton që produkti është në gjendje të rregullojë automatikisht prodhimin e tij të nxehtësisë në dy nivele të dallueshme, në lidhje me temperaturën aktuale të ajrit të brendshëm dhe temperaturën e dëshiruar të ajrit të brendshëm, e kontrolluar përmes pajisjeve të ndjeshmërisë së temperaturës dhe një ndërfaqeje që nuk është domosdoshmërisht e integruar në vetë produktin.
6. “E destinuar për përdorim të jashtëm” tregon që produkti është i përshtatshëm dhe i sigurt për t’u përdorur jashtë hapësirave të brendshme, duke përfshirë përdorimin në ambiente të jashtme, të tilla si hapësira të ekspozuara ndaj kushteve të motit, si dielli, shiu etj.
7. “Eficienca sezonale e energjisë për ngrohjen e hapësirës” (ηs) tregon raportin midis kërkesës për ngrohjen e hapësirës, të furnizuar nga një pajisje ngrohëse lokale me lëndë djegëse të ngurtë dhe konsumit vjetor të energjisë të nevojshëm për të përmbushur këtë kërkesë, e cila shprehet në %.
8. “Emetime të komponimeve organike të gazta”, emetimet e komponimeve organike të gazta në prodhimin maksimal të nxehtësisë, të shprehura në mgC/m³ të gazrave të tymit. E llogaritur në 273 K dhe 1013 mbar me 13 % O₂.
9. “Emetime të materialit grimcor”, emetimet e lëndës grimcore në prodhim maksimal të nxehtësisë, të shprehura në mg/m³ të gazrave të tymit të thatë, të llogaritura në 273 K dhe 1013 mbar me 13 % O₂, ose mesataren e ponderuar të emetimeve të lëndës grimcore deri në katër shpejtësi djegieje, të shprehur në g/kg, lëndë e thatë.
10. “Emetime të monoksidit të karbonit”, emetimet e monoksidit të karbonit në prodhimin maksimal të nxehtësisë, të shprehura në mg/m³ të gazrave të tymit, të llogaritura në 273 K dhe 1013 mbar me 13 % O₂.
11. “Emetime të oksideve të azotit”, emetimet e oksideve të azotit në prodhimin maksimal të nxehtësisë, të shprehura në mg/m³ të gazrave të tymit, të shprehur si NO₂. E llogaritur në 273 K dhe 1013 mbar me 13 % O₂.
12. “Fazë e vetme”, produkti, i cili nuk është në gjendje të ndryshojë automatikisht prodhimin e tij të nxehtësisë.
13. “Funksioni i ngrohjes indirekte”, aftësia që produkti të transferojë një pjesë të prodhimit total të nxehtësisë në një fluid transmetues nxehtësie, për përdorime si ngrohja e ambienteve ose prodhimi i ujit të ngrohtë për përdorime shtëpiake.
14. “Gjendje e gatishmërisë”, gjendja ku pajisja është e lidhur me burimin kryesor të energjisë dhe është në pritje për të funksionuar sipas qëllimit të saj të përcaktuar. Ajo ka mundësinë të sigurojë vetëm funksionet e mëposhtme, të cilat mund të vazhdojnë për një periudhë të pacaktuar kohore: Funksioni i riaktivizimit: Pajisja mund të riaktivizohet dhe të fillojë të funksionojë pas një komande ose sinjali; Funksioni i riaktivizimit me tregues: Pajisja mund të shfaqë një tregues vizual ose sinjal që tregon se është e gatshme për t’u riaktivizuar.
15. “Identifikues i modelit”, një kod, zakonisht alfanumerik, që përdoret për të dalluar një model specifik të një pajisjeje ngrohëse nga modelet e tjera të së njëjtës markë, emër furnizuesi dhe tregtari.
16. “Kërkesë e treguesit të ndezjes (ppilot)” i referohet konsumit të lëndës djegëse në formë të gaztë, të lëngshme ose të ngurtë që përdoret për të siguruar një burim ndezjeje, i cili shërben për të filluar procesin e djegies dhe për të prodhuar nxehtësinë maksimale ose të pjesshme, kur ndizet për më shumë se 5 minuta, para se të ndizet djegësi kryesor. Ky konsum shprehet në kW.
17. “Kërkesë për energji elektrike në gjendje gatishmërie (elsb)” sasia e energjisë elektrike që një pajisje, sistem ose produkt konsumon kur ndodhet në gjendje gatishmërie, kur është i ndezur dhe i gatshëm për të filluar punën, por ende nuk është në funksion ndezur. Ky konsum shprehet në kilovat (kW) dhe tregon energjinë e përdorur për të mbajtur pajisjen ose sistemin në gatishmëri për përdorim të ardhshëm.
18. “Kërkesë për energji elektrike në prodhimin maksimal të nxehtësisë (elmax)”  konsumi i energjisë elektrike nga një pajisje e ngrohjes lokale për të siguruar prodhimin e nxehtësisë në nivelin e tij maksimal, pra kur funksionon në kapacitetin e plotë të kërkuar për ngrohje. Konsumi i energjisë elektrike përcaktohet pa marrë në konsideratë energjinë e konsumuar nga qarku elektrik nëse produkti ofron funksionalitete indirekte ngrohëse dhe përfshin gjithashtu një qark elektrik të integruar, i shprehur në kW.
19. “Kërkesë për energji elektrike në prodhimin minimal të nxehtësisë (elmin)” konsumi i energjisë elektrike të një pajisjeje të ngrohjes lokale për të siguruar prodhimin e minimumit të kërkuar të nxehtësisë. Konsumi i energjisë elektrike përcaktohet pa marrë parasysh konsumimin e energjisë nga ndonjë komponent tjetër i pajisjes, si për shembull, një qark elektrik që mund të ofrojë funksionalitet të tërthortë ngrohjeje, i shprehur në kW.
20. “Koeficienti i konvertimit” (CC) faktori që reflekton vlerësimin e rendimentit mesatar prej 40%. Vlera e koeficientit të konvertimit është CC = 2.5 (do të thotë një koeficient që pasqyron rendimentin mesatar të prodhimit prej 40% të gjeneratës së BE-së, referuar direktivës 2012/27/EU të Këshillit dhe Parlamentit Evropian ).
21. “Lëndë djegëse e ngurtë”, një material që është në gjendje të ngurtë në kushte të zakonshme, përfshirë biomasën dhe lëndët djegëse fosile.
22. “Lëndë djegëse e preferuar”, lënda djegëse që rekomandohet të përdoret për pajisjet e ngrohjes lokale, sipas udhëzimeve dhe specifikimeve të furnizuesve të pajisjeve të ngrohjes lokale.
23. “Lëndë djegëse fosile e ngurtë”, lëndët djegëse të ngurta, përveç lëndëve djegëse nga biomasa, duke përfshirë antracitet, qymyrin me avull të thatë, qymyrin bituminoz, linjitin, ziftin me temperaturë të ulët, si dhe një përzierje të lëndëve djegëse fosile ose një përzierje të biomasës me lëndë djegëse fosile. Për qëllimet e këtij vendimi, përfshihet gjithashtu plehu.
24. “Lëndë djegëse të tjera fosile”, lëndët fosile që nuk përfshijnë antracitin, qymyrin me avull të thatë, ziftin e fortë, ziftin me temperaturë të ulët, qymyrin bituminoz, linjitët ose briketat dhe pastat e përziera me lëndë djegëse fosile.
25. “Lëndë djegëse të tjera të përshtatshme”, lëndët djegëse të ndryshme nga lënda djegëse e preferuar, të cilat mund të përdoren për pajisjet e ngrohjes lokale, sipas udhëzimeve të furnizuesve të pajisjeve. Kjo përfshin çdo lëndë djegëse të përmendur në manualet e udhëzimeve për instaluesit dhe përdoruesit përfundimtarë, duke përfshirë informacionet e disponueshme në faqet zyrtare të internetit dhe materialet promocionale teknike dhe reklamat.
26. “Lëndë grimcore”, grimca me forma, struktura dhe dendësi të ndryshme, të shpërndara në fazën e gaztë të tymit të oxhakut.
27. “Model ekuivalent”, një model i hedhur në treg me të njëjtat parametra teknikë të përcaktuar në tabelën 1, të pikës 3, të shtojcës I, si një model tjetër i hedhur në treg nga i njëjti prodhues.
28. “Moduluese” nënkupton që produkti është në gjendje të rregullojë automatikisht prodhimin e tij të nxehtësisë në tre ose më shumë nivele të dallueshme, në lidhje me temperaturën aktuale të ajrit të brendshëm dhe temperaturën e dëshiruar të ajrit të brendshëm, e kontrolluar përmes pajisjeve të ndjeshmërisë së temperaturës dhe një ndërfaqeje që nuk është domosdoshmërisht e integruar në vetë produktin.
29. “Opsion i kontrollit në distancë”, mundësia për të menaxhuar produktin përmes ndërveprimit në distancë, pa praninë fizike të përdoruesit jashtë ndërtesës ku është instaluar produkti.
30. “Opsion i kontrollit të temperaturës, me mbikëqyrje” nënkupton që produkti është i pajisur me një pajisje elektronike, të integruar ose të jashtme, që automatikisht ul temperaturën deri në një nivel të caktuar, pa ndërhyrjen e përdoruesit.
31. “Opsion i kontrollit të temperaturës, i cili përfshin një sensor për dritaren e hapur”, do të thotë që produkti është i pajisur me një sistem elektronik, të integruar ose të jashtëm, që ul prodhimin e nxehtësisë kur dritarja ose dera është e hapur. Sensorët përdoren për të zbuluar hapjen e një dritareje ose dere dhe mund të instalohen brenda ose jashtë produktit, duke u integruar në strukturën e tij ose si një kombinim i të dyjave.
32. “Pajisje ngrohëse me djegie të hapur”, një pajisje ngrohëse që përdor lëndë djegëse në formë të gaztë, të lëngët ose të ngurtë, ku nxehtësia dhe gazet e djegies nuk shpërndahen jashtë hapësirës ku ndodhet pajisja. Kjo pajisje lidhet me një oxhak, vatër zjarri ose tubacion ventilimi, të cilët shërbejnë për largimin e produkteve të krijuara gjatë djegies.
33. “Pajisje ngrohëse me djegie të mbyllur”, një pajisje ngrohëse lokale që përdor lëndë djegëse në formë të gaztë, të lëngët ose të ngurtë, ku procesi i djegies dhe gazet e krijuara gjatë tij janë të izoluara nga hapësira ku është vendosur pajisja. Kjo pajisje është e lidhur me një oxhak, vatër zjarri ose tubacion ventilimi, që shërben për largimin e produkteve të djegies jashtë mjedisit të brendshëm.
34. “Pajisje ngrohëse me lëndë djegëse të ngurtë i hapur me oxhak, një pajisje ngrohëse me lëndë djegëse të ngurtë, e destinuar të vendoset nën një oxhak ose brenda një oxhaku pa vulosje midis produktit dhe hapjes së oxhakut ose oxhakut të furrës dhe që lejon kalimin e produkteve të djegies pa pengesa nga shtrati i zjarrit drejt oxhakut ose kanalit të tymit.
35. “Pajisje ngrohëse me lëndë djegëse të ngurtë pa oxhak”, një pajisje ngrohëse me lëndë djegëse të ngurtë që lëshon produktet e djegies në hapësirën ku ndodhet produkti.
36. “Pajisje ngrohëse që përdorin lëndë djegëse të ngurta”, një pajisje ngrohëse që funksionon përmes djegies së lëndëve djegëse të ngurta, si druri, qymyri, peleti dhe materiale të tjera organike të ngurta. Këto pajisje mund të kenë djegie të hapur (si sobat tradicionale ose oxhakët) ose të mbyllur (si furrat moderne me djegie të kontrolluar) dhe përdoren për ngrohjen e hapësirave, shpesh duke ofruar një burim energjie eficient dhe ekonomik për ambiente të ndryshme.
37. “Përmbajtje e lagështisë”, sasia e ujit që ndodhet në një lëndë djegëse në lidhje me masën totale të saj. Ky tregues është i rëndësishëm për pajisjet e ngrohjes lokale, pasi sasia e ujit në lëndën djegëse ndikon në eficiencën e djegies.
38. “Prodhim i drejtpërdrejtë i nxehtësisë”, procesi i prodhimit të nxehtësisë nga pajisja përmes rrezatimit dhe konveksionit të nxehtësisë, ashtu siç emetohet drejtpërdrejt nga pajisja në ajër, pa përdorur një medium të jashtëm për transmetimin e nxehtësisë. Ky proces është i shprehur në kW dhe tregon sasinë e nxehtësisë që prodhohet nga pajisja në një periudhë të caktuar kohe.
39. “Prodhim i nxehtësisë me dy ose më shumë faza manuale, pa kontroll të temperaturës”, nënkupton që produkti ka aftësinë të ndryshojë manualisht nivelin e prodhimit të nxehtësisë në dy ose më shumë faza. Ai nuk është i pajisur me një sistem automatik që rregullon prodhimin e nxehtësisë në bazë të një temperature të caktuar të ambientit.
40. “Prodhim i nxehtësisë me kontroll elektronik të temperaturës së dhomës” nënkupton që produkti është i pajisur me një pajisje elektronike të integruar ose të jashtme, që i lejon produktit të ndryshojë automatikisht prodhimin e tij të nxehtësisë gjatë një periudhe të caktuar, në lidhje me një nivel të caktuar të komoditetit të ngrohjes së brendshme.
41. “Prodhim i nxehtësisë me kontroll elektronik të temperaturës së dhomës plus kohëmatës ditor” nënkupton që produkti është i pajisur me një pajisje elektronike të integruar ose të jashtme dhe që i lejon produktit të ndryshojë automatikisht prodhimin e tij të nxehtësisë gjatë një periudhe të caktuar, në lidhje me një nivel të caktuar të komoditetit të ngrohjes së brendshme dhe lejon vendosjen e kohës dhe nivelit të temperaturës për një interval kohor prej 24 orësh.
42. “Prodhim i nxehtësisë me kontroll elektronik të temperaturës së dhomës plus kohëmatës javor” nënkupton që produkti është i pajisur me një pajisje elektronike të integruar ose të jashtme, që i lejon produktit të ndryshojë automatikisht prodhimin e tij të nxehtësisë gjatë një periudhe të caktuar kohore, në lidhje me një nivel të caktuar të komoditetit të ngrohjes së brendshme dhe lejon vendosjen e niveleve të kohës dhe niveleve të temperaturës për një javë të plotë. Gjatë periudhës 7-ditore, parametrat duhet të lejojnë ndryshime ditë pas dite.
43. “Prodhim i nxehtësisë me kontroll mekanik të temperaturës së dhomës” nënkupton që produkti është i pajisur me një pajisje joelektronike që i lejon produktit të ndryshojë automatikisht fuqinë e tij të nxehtësisë gjatë një periudhe të caktuar, në lidhje me një nivel të caktuar të komoditetit të ngrohjes së brendshme.
44. “Prodhim i nxehtësisë në një fazë të vetme, pa kontroll të temperaturës” nënkupton që produkti nuk është i aftë të rregullojë automatikisht prodhimin e tij të nxehtësisë dhe se nuk ka asnjë mekanizëm të brendshëm për monitorimin apo përshtatjen e temperaturës përmes një sistemi feedback.
45. “Prodhim i tërthortë i nxehtësisë” tregon prodhimin e nxehtësisë nga një pajisje, përmes përdorimit të një fluidi transmetues të nxehtësisë, i cili kalon nëpër një proces që siguron prodhimin e drejtpërdrejtë të nxehtësisë për produktin. Ky proces ndodh si një efekt anësor dhe nxehtësia e prodhuar në këtë mënyrë matet në kilovat (kW).
46. “Prodhim maksimal i nxehtësisë (Pmax)”, prodhim i nxehtësisë nga një pajisje ngrohëse lokale, që përfshin si prodhimin e drejtpërdrejtë të nxehtësisë ashtu edhe prodhimin e tërthortë të nxehtësisë (kur është e aplikueshme), kur pajisja funksionon në kapacitetin e saj maksimal të prodhimit të nxehtësisë, siç është përcaktuar nga prodhuesi, e shprehur në kW.
47. “Prodhim minimal i nxehtësisë (Pmin)” sasia e nxehtësisë që prodhon një pajisje ngrohëse lokale, përfshirë si prodhimin e nxehtësisë së drejtpërdrejtë, ashtu edhe prodhimin e nxehtësisë së tërthortë (kur është e aplikueshme), kur operon duke realizuar nivelin minimal të prodhimit të nxehtësisë, siç është përcaktuar nga prodhuesi, e shprehur në kW.
48. “Produkt për ngrohjen e ajrit”, një produkt që ofron ngrohje për një pajisje ngrohjeje me bazë ajri dhe mund të jetë i pajisur me kanale ajri. Ky produkt është projektuar për t’u përdorur i fiksuar ose i siguruar në një vend specifik ose i montuar në mur dhe shpërndan ajrin nëpërmjet një pajisjeje për lëvizjen e ajrit, me qëllim arritjen dhe mirëmbajtjen e një niveli të caktuar të rehatisë termike për njerëzit brenda një hapësire të mbyllur ku ndodhet produkti.
49. “Rendiment i dobishëm në prodhimin maksimal ose minimal të nxehtësisë (ηth, nom ose ηth, min), raporti ndërmjet energjisë së dobishme të nxehtësisë të prodhuar dhe energjisë totale të hyrjes, e shprehur në terma të NCV (vlera kalorifike neto), të një sistemi ngrohës dhe është shprehur në përqindje (%).
50. “Sobë saune” një pajisje ngrohëse lokale me lëndë djegëse të ngurtë, e përfshirë në ose e deklaruar për t’u përdorur në sauna të thata ose të lagështa ose mjedise të ngjashme.
51. “Sobë”, një pajisje ngrohëse që përdor lëndë djegëse të ngurta, i cili kryen dy funksione njëkohësisht: atë të ngrohësit dhe të furrës për gatim. Ajo është e lidhur me një oxhak, vatër zjarri ose një sistem ventilimi që mundëson largimin e produkteve të djegies, si tymi dhe gazrat, nga ambienti ku ndodhet soba.
52. “Vlera kalorifike neto (NCV)”, sasia e energjisë që çlirohet kur një material digjet plotësisht me oksigjen dhe produktet e djegies (përfshirë avullin e ujit) nuk rikthehen në temperaturën e ambientit. Ky është procesi që ndodh kur uji që krijohet gjatë djegies mbetet në formën e avullit dhe nuk kondensohet për t’u kthyer në ujë. Në këtë rast, energjia, që humbet gjatë kondensimit të avullit, nuk merret parasysh, pasi nuk mund të shfrytëzohet për qëllime ngrohjeje.
IV. KËRKESAT E PROJEKTIMIT EKOLOGJIK DHE AFATET KOHORE
1. Kërkesat e projektimit ekologjik për pajisjet ngrohëse lokale me lëndë djegëse të ngurtë janë të përcaktuara në shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Pajisjet ngrohëse lokale me lëndë djegëse të ngurtë duhet të përmbushin kërkesat e përcaktuara në shtojcën I, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Përputhshmëria me kërkesat e projektimit ekologjik matet dhe llogaritet në përputhje me metodat e përcaktuara në shtojcën II, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
V. VLERËSIMI I KONFORMIETIT
1. Procedura e vlerësimit të konformitetit, e përmendur në pikën 4, të nenit 7/1, të ligjit nr.52/2024‚“Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”, të ndryshuar, realizohet në përputhje me parashikimet e akteve nëligjore të dala në zbatim të tij, si dhe me përcaktimet e nenit 23, të ligjit nr.10489, datë 15.12.2011, “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”.
2. Për qëllime të vlerësimit të konformitetit, sipas pikës 4, të nenit 7/1, të ligjit nr.52/2024‚“Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”, të ndryshuar, dokumentacioni teknik duhet të përmbajë informacionin e përcaktuar në pikën 3, të shtojcës I, të këtij vendimi.
3. Kur informacioni i përfshirë në dokumentacionin teknik të një modeli është përfituar nëpërmjet llogaritjeve mbi bazën e projektimit ose përmes ekstrapolimit nga modele të tjera ose të dyjave së bashku, dokumentacioni teknik përmban hollësitë përkatëse mbi këto llogaritje ose ekstrapolime, si dhe testet e kryera nga prodhuesi për verifikimin e saktësisë së tyre. Në këto raste, dokumentacioni teknik duhet të përfshijë gjithashtu listën e modeleve që kanë shërbyer si bazë për ekstrapolim, si dhe të të gjitha modeleve të tjera për të cilat informacioni është përfituar mbi të njëjtën bazë.
VI. TREGUESIT ORIENTUES
Treguesit orientues për pajisjet e ngrohjes lokale me lëndë djegëse të ngurtë, të cilat kanë performancën më të mirë të disponueshme në treg në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, janë përcaktuar në shtojcën IV, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
VII. DISPOZITË TRANZITORE
Në datën e anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ky vendim shfuqizohet.
VIII. HYRJA NË FUQI
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPËRBLIMIN E PENSIONISTËVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 5, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpërblimin, në masën 5 000 (pesë mijë) lekë, të personave, sipas kategorive të mëposhtme:
a) Personat, që përfitojnë pension pleqërie, pension invaliditeti, pension familjar e pension social, sipas ligjeve nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
b) Personat, që përfitojnë pension, sipas paragrafit të katërt, të nenit 96, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe sipas ligjit nr.4976, datë 29.6.1972, “Për pensionet e anëtarëve të kooperativave bujqësore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
c) Personat, që përfitojnë pension sipas ligjit nr.150/2014, “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë”, personat që marrin trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.8685, datë 22.6.2000, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në miniera, në nëntokë”, të ndryshuar, dhe personat, që përfitojnë trajtim të veçantë financiar, sipas ligjit nr.9179, datë 29.1.2004, “Për një trajtim të veçantë të punonjësve, që kanë punuar në disa ndërmarrje të industrisë ushtarake”, të ndryshuar;
ç) Personat, që përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, sipas ligjit nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakeve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar; dhe nuk janë të punësuar në momentin e hyrjes në fuqi të këtij vendimi;
d) Personat që nuk përfitojnë pension, por që trajtohen vetëm me shpërblimin financiar si veteranë të LANÇ-it, sipas vendimit nr.190, datë 3.5.1995, të Këshillit të Ministrave, “Për zbatimin e ligjit nr.7874, datë 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar”, si dhe personat, të cilët marrin vetëm pension të posaçëm për merita të veçanta, sipas dispozitave të ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë”;
dh) Personat që nuk përfitojnë pension, por që përfitojnë vetëm pension shtetëror të posaçëm të caktuar në përputhje me nenin 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
e) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit të veçantë financiar, sipas neneve 5/1/a ose 5/1/b, të ligjit 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
ë) Personat që nuk përfitojnë pension nga ligji nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, por përfitojnë pension suplementar të caktuar sipas ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, të ndryshuar;
f) Personat, që përfitojnë pension për shkak të profesionit të vështirë, sipas nenit 5, të ligjit nr.29/2019, “Për trajtimin financiar, suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës e të gazit dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji”;
g) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm të trajtimit financiar si fëmijë në përkujdesje të Republikës, sipas ligjit nr.129/2021, “Për statusin “Fëmijë në përkujdesje të Republikës””;
gj) Personat që nuk përfitojnë pension, por janë përfitues vetëm sipas ligjit nr.8455, datë 4.2.1999, “Për një trajtim të veçantë të familjeve të pilotëve që humbasin jetën në përmbushje të detyrës gjatë fluturimit”.
2. Të drejtën për të përfituar shpërblimin në masën e përcaktuar sipas pikës 1, të këtij vendimi, e kanë edhe ata persona, që kanë datë të lindjes të së drejtës së përfitimit deri në datën 30.6.2026, duke përfshirë edhe këtë datë dhe kanë të drejtë të marrin vetëm një herë këtë shpërblim, pavarësisht se mund të përfitojnë më shumë se një përfitim.
3. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, llogariten në shumën 3 913 000 000 (tre miliardë e nëntëqind e trembëdhjetë milionë) lekë e ndarë në 3 886 000 000 (tre miliardë e tetëqind e tetëdhjetë e gjashtë      milionë) lekë për shpërblimin dhe 27 000 000 (njëzet e shtatë milionë) lekë shpenzime administrative për dhënien e shpërblimit. Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga llogaria speciale me emërtimin “Fondi i pensioneve” pranë Bankës së Shqipërisë.
4. Shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin korrik 2026 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit korrik 2026, ato të paguhen deri më 31.12.2026. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen pas datës 31.12.2026.
5. Administrimi i fondeve buxhetore të shpërblimit të pensionistëve, caktimi i shpërblimit për çdo përfitues dhe pagesa realizohen nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sh.a., dhe bankat e nivelit të dytë, sipas të njëjtave procedura, që zbatohen për administrimin e fondit të sigurimeve shoqërore.
6. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E  STRATEGJISË KOMBËTARE PËR PARANDALIMIN DHE LUFTËN KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KRIMEVE TË RËNDA 2026–2030 DHE TË PLANIT TË VEPRIMIT 2026–2028
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda 2026–2030 dhe të planit të veprimit     2026-2028, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, ministritë e linjës dhe institucionet përgjegjëse, të përcaktuara në strategjinë dhe në planin e veprimit, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E TARIFAVE TË APLIKIMIT PËR PAJISJEN  ME AUTORIZIM IMPORTI, EKSPORTI DHE TRANSITI TË ARMËVE TË ZJARRIT, TË KOMPONENTËVE TË TYRE KRYESORË DHE TË MUNICIONEVE QË LËSHOHEN NGA AUTORITETI   I KONTROLLIT SHTETËROR TË EKSPORTEVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 29, të  ligjit nr.13/2026, “Për importin, eksportin dhe transitin e armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Përcaktimin e tarifave të aplikimit për pajisjen me autorizim importi, eksporti dhe transiti të armëve të zjarrit, të komponentëve të tyre kryesorë dhe të municioneve që lëshohen nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Të ardhurat e mbledhura nga tarifat e përcaktuara në këtë vendim derdhen në buxhetin e shtetit.
3. Ngarkohet Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E TAVANEVE PËRFUNDIMTARE TË SHPENZIMEVE TË PROGRAMIT BUXHETOR AFATMESËM 2027 – 2029
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 25, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e tavaneve përfundimtare të shpenzimeve të programit buxhetor afatmesëm 2027-2029, sipas lidhjes nr.1 “Tavanet e ministrive dhe institucioneve buxhetore”, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen të gjitha njësitë e qeverisjes qendrore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN TE BASHKIA TIRANË TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 9, të nenit 19, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin te Bashkia Tiranë të 80 (tetëdhjetë) apartamenteve në 1 (një)  ndërtesë me njësi banimi (pallat), përkatësisht, sipas listës së inventarit, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet  në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLAVE, TË KRITEREVE DHE TË MASËS PËR TRAJTIME TË TJERA FINANCIARE TË TË PUNËSUARVE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS PUBLIKE, SI DHE TË FUSHAVE DHE NËNFUSHAVE PRIORITARE TË ZHVILLIMIT TË VENDIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjave “c”, “d” e “dh”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti i vendimit
Objekti i këtij vendimi është përcaktimi i:
a) rregullave, kritereve dhe masës për trajtime të tjera financiare, me qëllim krijimin e një sistemi të drejtë, transparent dhe të qëndrueshëm që nxit performancën e lartë dhe inovacionin në administratën publike;
b) fushave dhe nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit, për të cilat pozicione apo funksione të caktuara përfitojnë shtesën e veçantë të kushtëzuar.
Neni 2
Fusha e veprimit
1. Ky vendim zbatohet për nëpunësit civilë, nëpunësit dhe punonjësit e tjerë (në vijim, i/të punësuari/t), në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura apo njësitë e vetëqeverisjes vendore e institucionet e tyre të varësisë, me përjashtim të:
a) të zgjedhurve;
b) funksionarëve politikë;
c) funksionarëve të emëruar nga Kuvendi dhe Presidenti i Republikës;
ç) punonjësve me kontrata të përkohshme mbi numrin organik të punonjësve të institucionit.
2. Për të punësuarit dhe/ose institucionet për të cilët/cilat ligjet e tyre specifike kanë përcaktime dhe rregulla të veçanta për shpërblimin e punonjësve, ky vendim zbatohet për aq sa nuk parashikohet ndryshe në këto akte.
3. Shpërblimet për rezultate në punë, çmimet apo shpërblimet për ide inovative dhe inovacion dhe çmimet apo shpërblimet për projekte të fituara, nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi, jepen nga institucioni përkatës ku i punësuari ushtron detyrën, brenda fondit të miratuar për këtë qëllim në buxhetin vjetor të institucionit.
Neni 3
Parimet
Dhënia e trajtimeve të tjera financiare bazohet në parimet e shanseve të barabarta, mosdiskriminimit, meritës, transparencës dhe paanësisë.
Neni 4
Përkufizimet
Në kuptim të këtij vendimi:
a) “programe operative shumëvjeçare IPA III dhe programi IPARD III”, janë ato programe të përcaktuara në vendimin nr.540, datë 20.9.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e funksioneve, përgjegjësive dhe marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve e strukturave për menaxhimin indirekt të asistencës financiare të Bashkimit Evropian nën Instrumentin për Asistencën e Paraanëtarësimit 2021–2027 (IPA III)”, i ndryshuar, dhe në vendimin nr.206, datë 7.4.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për ngritjen e strukturave dhe autoriteteve përgjegjëse për menaxhimin indirekt dhe ushtrimin e funksioneve, të përgjegjësive dhe të marrëdhënieve ndërmjet autoriteteve dhe strukturave të menaxhimit indirekt të asistencës së Bashkimit Evropian, në kuadër të programit për zhvillimin rural të Instrumentit për Asistencën e Paraanëtarësimit (IPARD III)”, i ndryshuar;
b) “Strukturat e ngarkuara me menaxhimin indirekt të programeve operative shumëvjeçare IPA III dhe programit IPARD III”, janë strukturat e listuara në nenin 3, nga shkronja “c” deri në shkronjën “dh”, dhe në nenet 5 e 7, të vendimit nr.540, datë 20.9.2023, të Këshillit të Ministrave, i ndryshuar, si dhe në kreun II, pika 1, shkronjat “c” dhe “ç”, të vendimit nr.206, datë 7.4.2023, të Këshillit të Ministrave, i ndryshuar;
c) “epror direkt” ka të njëjtin kuptim me atë të miratuar në legjislacionin për nëpunësin civil;
ç) “KMMP”, është Komisioni ad hoc i Mbikëqyrjes së Menaxhimit të Performancës që krijohet në fillim të vitit kalendarik, pranë çdo institucioni të administratës publike;
d) “persona me aftësi të kufizuara” ka të njëjtin kuptim me atë të përcaktuar në ligjin nr.93/2014, “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuara”.
KREU II
SHPËRBLIMI PËR REZULTATE NË PUNË
Neni 5
Kriteret për shpërblimin për rezultate në punë
1. Shpërblimi për rezultate në punë është trajtimi financiar që i jepet të punësuarit në administratën publike për:
a) realizimin ose tejkalimin e objektivave të përcaktuar individualë, në fund të vlerësimit periodik të rezultateve të punës, dhe/ose;
b) arritjen e rezultateve të jashtëzakonshme/të dalluara në punë (individualisht ose në grup), që kontribuojnë ndjeshëm në përmirësimin e performancës së njësisë apo institucionit, në realizimin e qëllimeve strategjike të institucionit dhe/ose prioriteteve të qeverisë.
2. Të punësuarit përfitojnë shpërblim për rezultate në punë, të përcaktuar në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, nëse plotësojnë njëkohësisht kriteret e mëposhtme:
a) Janë vlerësuar përmes një procesi formal të vlerësimit të rezultateve të punës për realizimin e objektivave individualë, të përcaktuar paraprakisht, të matshëm dhe të lidhur me objektivat institucionalë;
b) Janë vlerësuar me nivelin më të lartë, në rastet kur sistemi i vlerësimit ka deri në katër nivele apo me njërin prej dy niveleve më të larta, në rastet kur sistemi i vlerësimit përbëhet nga më shumë se 4 nivele.
3. Të punësuarit përfitojnë shpërblim për rezultate në punë, të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, nëse plotësohen njëkohësisht kriteret e mëposhtme:
a) Rezultatet e arritura tejkalojnë standardet e pritshme të performancës dhe janë përtej detyrave të zakonshme të funksionit apo pozicionit;
b) Rezultatet e punës kanë kontribuuar në mënyrë të ndjeshme në përmirësimin e performancës së njësisë apo institucionit, në realizimin e qëllimeve strategjike të institucionit dhe/ose prioriteteve të qeverisë, të përcaktuara në programin e qeverisë apo dokumente të tjera strategjike, duke sjellë, por pa u kufizuar, rritje të cilësisë së shërbimeve, rritje të eficiencës në punë ose implementim të praktikave më të mira;
c) Rezultatet e arritura janë të matshme.
4. Matja e rezultateve të arritura për përfitimin e shpërblimit për rezultate në punë, të përcaktuar në shkronjën “b”, të pikës 1, të këtij neni, bazohet në indikatorët e performancës, të përcaktuar në urdhrin e titullarit të institucionit për kryerjen e detyrës apo realizimin e iniciativës me të cilën është/janë ngarkuar i/të punësuarit.
Neni 6
Masa e shpërblimit për rezultate në punë
1. Masa e shpërblimit për rezultate në punë, sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të nenit 5, të këtij vendimi, përcaktohet, si më poshtë vijon:
a) Në institucionet ku sistemi i vlerësimit të rezultateve të punës ka deri në katër nivele vlerësimi, shpërblimi jepet në masën e deri 1 (një) page bruto mujore për të punësuarit e vlerësuar me nivelin më të lartë të performancës, por, në asnjë rast, më pak se 80% të pagës bruto mujore;
b) Në institucionet ku sistemi i vlerësimit të rezultateve të punës ka më shumë se 4 (katër) nivele, shpërblimi jepet në masën:
i. deri në 1 (një) pagë bruto mujore për të punësuarit e vlerësuar me nivelin më të lartë, por, në asnjë rast, më pak se 80% të pagës bruto mujore;
ii. deri në 50% të pagës bruto mujore për të punësuarit e vlerësuar me nivelin e dytë më të lartë, por, në asnjë rast, më pak se 30% të pagës bruto mujore.
2. Masa e shpërblimit për rezultate në punë, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 5, të këtij vendimi, përcaktohet në varësi të rëndësisë së kontributit të dhënë dhe shkallës së ndikimit të tij në përmirësimin e performancës së njësisë apo institucionit, në realizimin e objektivave strategjikë të institucionit dhe/ose prioriteteve të qeverisë, të përcaktuara në programin e qeverisë apo dokumente të tjera strategjike, në masën deri në 1 (një) pagë bruto mujore në vit.
3. Në rast se puna e caktuar është kryer në nivel grupi, masa e shpërblimit është në masën deri në 1 (një) pagë bruto mujore në vit për secilin anëtar të grupit, bazuar në kotributin e gjithsecilit.
4. Shpërblimi për rezultate në punë jepet 1 (një) herë në vit. Në rastet kur vlerësimi periodik i rezultateve të punës kryhet në periudha më të shkurtra se një vit, shpërblimi jepet gjithashtu një herë në vit, mbi bazën e përmbledhjes së rezultateve të arritura gjatë të gjitha periudhave të vlerësuara brenda vitit përkatës.
Neni 7
Ngritja dhe përbërja e KMMP-së
1. Në fillim të vitit kalendarik, pranë çdo institucioni të administratës publike krijohet KMMP-ja.
2. KMMP-ja përbëhet nga 3 ose 5 anëtarë, në varësi të numrit organik të punonjësve të institucionit.
3. Anëtarët e KMMP-së duhet të jenë të paktën në nivel të mesëm drejtues për ato institucione të administratës publike që kanë pozicione të këtij niveli në strukturat dhe organikat e tyre.
4. Numri i anëtarëve dhe përbërja specifike e KMMP-së përcaktohet me urdhër të sekretarit të Përgjithshëm/titullarit të institucionit. Rekomandohet që KMMP-ja të ketë si anëtarë të paktën drejtuesin e njësisë së burimeve njerëzore të institucionit. Njësia e burimeve njerëzore të institucionit mbështet nga ana teknike dhe shërben si sekretariat i KMMP-së.
Neni 8
Organizimi dhe funksionimi i KMMP-së
1. KMMP-ja mblidhet, organizohet dhe funksionon në bazë të legjislacionit që rregullon organizimin dhe funksionimin e organeve kolegjiale.
2. Në rast të lindjes së nevojës së zëvendësimit të anëtarëve të KMMP-së, për arsye të pamundësisë apo pengesës ligjore, zbatohen dispozitat për zëvendësimin, të përcaktuara në Kodin e Procedurave Administrative.
3. Jo më vonë se muaji janar, eprorët direkt paraqesin pranë KMMP-së së institucionit listën e të punësuarve që plotësojnë kriteret për të përfituar shpërblimet për rezultate në punë.
4. Në rastin e shpërblimit për rezultate në punë, sipas shkronjës “b”, të pikës 1, të nenit 5, të këtij vendimi, lista e të punësuarve të propozuar shoqërohet me një raport për secilin prej tyre, ku argumentohen rezultatet e të punësuarve sipas kritereve të përcaktuara në pikën 3, të nenit 5, të këtij vendimi.
5. KMMP-ja, brenda 15-ditëshit të parë të muajit shkurt verifikon plotësimin e kritereve për përfitimin e shpërblimit për rezultate në punë, mbështetur në dokumentacionin përkatës. KMMP-ja, nëse e vlerëson të nevojshme, mund të kërkojë nga eprori direkt i të punësuarit të përfshirë në listë, informacion dhe/ose dokumentacion shtesë.
6. Nëse në përfundim të vlerësimit, rezulton se kriteret për përfitimin e shpërblimit për rezultate në punë plotësohen nga më shumë të punësuar sesa lejon fondi buxhetor i parashikuar për këtë qëllim, Komisioni i Mbikëqyrjes së Menaxhimit të Performancës përzgjedh të punësuarit përfitues të shpërblimit me precedencë sipas renditjes së mëposhtme:
a) Të punësuarit që nuk kanë masë disiplinore në fuqi;
b)  Të punësuarit me nivelin më të lartë të vlerësimit në fund të vlerësimit periodik të rezultateve të punës;
c) Të punësuarit që nuk kanë qenë përfitues të shpërblimit gjatë vitit/ve të mëparshëm;
ç) Të punësuarit me vjetërsinë më të madhe në institucion;
d)  Të punësuarit që i përkasin grupit të personave me aftësi të kufizuara;
dh) Të punësuarit që i përkasin gjinisë më pak të përfaqësuar në institucion.
7. Në përfundim të vlerësimit sipas pikave 5 dhe 6, të këtij neni, KMMP-ja miraton listën e të punësuarve që propozohen për të përfituar shpërblimin. Vendimi i arsyetuar i KMMP-së i përcillet sekretarit të përgjithshëm/titullarit të institucionit, i cili, pasi verifikon që procedura e ndjekur është në përputhje me përcaktimet e këtij vendimi, bën miratimin përfundimtar të listës.
8. Pas marrjes së vendimit sipas pikës 7, të këtij neni, njësia përgjegjëse për ekzekutimin e buxhetit të institucionit kryen pagesat përkatëse brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga marrja dijeni për vendimin, por, në çdo rast, jo më vonë se muaji mars.
KREU III
ÇMIMET APO SHPËRBLIMET PËR IDE INOVATIVE DHE INOVACION
Neni 9
Kriteret për çmimet apo shpërblimet për ide inovative dhe inovacion
1. Çmimet apo shpërblimet për ide inovative dhe inovacion janë trajtime financiare që i jepen të punësuarve në administratën publike për prezantimin apo paraqitjen e ideve inovative për politika, shërbime, procese apo metoda organizative pune, që sjellin përmirësime të dukshme në performancën institucionale ose më gjerë të administratës publike.
2. Përfitues të një çmimi apo shpërblimi për ide inovative dhe inovacion mund të jenë një i punësuar i vetëm apo një grup të punësuarish të administratës publike.
3. Në kuptim të këtij vendimi, një ide konsiderohet inovative apo inovacion, nëse plotësohen në mënyrë kumulative kriteret e mëposhtme:
a) Përbën risi – ideja duhet të jetë e re për institucionin apo sektorin publik ose të përfaqësojë një ndryshim të ndjeshëm nga praktika e ndjekur deri në atë moment;
b) Është e zbatueshme – ideja duhet të jetë e pilotuar ose të ketë një plan zbatimi të realizueshëm;
c) Ka impakt ose vlerë të shtuar – ideja duhet të paraqesë përfitime potenciale ose rezultate të arritura në përmirësimin e efektivitetit, eficiencës, transparencës në ofrimin e shërbimeve publike, rritjen e kënaqësisë së publikut ose uljen e shpenzimeve publike;
ç) Mund të zbatohet në shkallë të gjerë – ideja duhet të jetë e zbatueshme edhe në njësi të tjera organizative ose në të gjithë institucionin apo administratën publike;
d) Shoqërohet me vlerësimin e fizibilitetit dhe të riskut – ideja duhet të shoqërohet me një plan realist për zbatimin e saj, ku të adresohen risqet teknike, financiare dhe institucionale;
dh)Përbën kontribut përtej detyrave dhe përgjegjësive funksionale – ideja duhet të jetë rrjedhojë e angazhimit të të punësuarit përtej detyrave dhe përgjegjësive të tij të zakonshme, të përcaktuara në përshkrimin e punës apo objektivat individualë të performancës.
Neni 10
Rregullat dhe procedura për çmimet apo shpërblimet për ide inovative dhe inovacion
1. Çmimet apo shpërblimet për ide inovative dhe inovacion jepen 1 (një) herë në vit, në kuadër të Javës së Administratës Publike.
2. Të paktën 3 (tre) muaj përpara datës së planifikuar për organizimin e Javës së Administratës Publike, ministri përgjegjës për administratën publike shpall thirrjen për aplikim për konkursin e inovacionit.
3. Thirrja publikohet në faqen zyrtare të ministrit përgjegjës për administratën publike dhe të Departamentit të Administratës Publike dhe përmban kriteret për aplikim, afatin  dhe mënyrën e aplikimit për të punësuarit dhe institucionet e administratës publike. Afati i dorëzimit të aplikimit duhet të jetë jo më i vogël se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë kalendarike nga dita e parë e publikimit të thirrjes.
4. Të punësuarit, individualisht apo në grup, dorëzojnë idetë apo propozimet e tyre inovatore, shoqëruar me dokumentacionin përkatës, që vërteton përmbushjen e kritereve të përcaktuara në pikën 3, të nenit 9, të këtij vendimi.
5. Shqyrtimi e vlerësimi i aplikimeve, si dhe përzgjedhja e fituesve kryhet nga një komision ad hoc (këtu e në vijim komisioni), që ngrihet nga ministri përgjegjës për administratën publike dhe ka në përbërje të tij 5 – 7 anëtarë, si më poshtë vijon:
a) 1 (një) anëtar në nivel të lartë drejtues nga ministria përgjegjëse për fushën e inovacionit, i cili kryeson komisionin;
b) 1 (një) anëtar në nivel drejtues nga Departamenti i Adminstratës Publike;
c) 3 (tre) – 5 (pesë) personalitete në fushën e inovacionit, pjesë të institucioneve të arsimit të lartë apo Akademisë së Shkencave/instituteve kërkimore-shkencore, të përzgjedhur nga ministria përgjegjëse për kërkimin shkencor.
6. Departamenti i Administratës Publike i bën me dije ministrisë përgjegjëse për kërkimin shkencor fushat e inovacionit për të cilat janë paraqitur aplikimet,  brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga dita e përfundimit të afatit për dorëzimin e aplikimeve.
Neni 11
Përzgjedhja e personaliteteve të komisionit
1. Ministria përgjegjëse për kërkimin shkencor, nëpërmjet një procesi të hapur e publik përzgjedh personalitetet e përcaktuara në shkronjën “c”, të pikës 5, të nenit 10, të këtij vendimi, brenda 1 (një) muaji nga momenti i marrjes dijeni mbi fushat e inovacionit, për të cilat janë paraqitur aplikimet.
2. Kandidatët duhet të plotësojnë këto kritere:
a) Të jenë personalitete të shquara, me kontribute të spikatura në fushat e inovacionit, për të cilat janë paraqitur aplikimet ose të ngjashme me to;
b) Të kenë eksperiencë pune jo më pak se 5 (pesë) vjet në fushat e përcaktuara në publikimin për shprehjen e interesit.
3. Pas përfundimit të procedurës së përzgjedhjes, ministri përgjegjës për kërkimin shkencor i përcjell ministrit përgjegjës për administratën publike emrat e personaliteteve të përzgjedhura.
4. Komisioni funksionon sipas përcaktimeve në pikat 1 dhe 2, të nenit 8, të këtij vendimi.
5. Departamenti i Administratës Publike mbështet nga ana teknike dhe shërben si sekretariat teknik i komisionit.
Neni 12
Verifikimi paraprak i aplikimeve dhe i listës së aplikanëtve të kualifikuar
1. Brenda 3 (tri) ditëve kalendarike nga momenti i ngritjes së komisionit, Departamenti i Administatatës Publike i përcjell komisionit listën e aplikantëve, bashkë me dokumentacionin përkatës.
2. Komisioni, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve kalendarike nga përcjellja e aplikimeve nga Departamenti i Administatatës Publike, kryen verifikimin paraprak të përmbushjes së kritereve të përcaktuara në pikën 3, të nenit 9, të këtij vendimi, bazuar në dokumentacionin e paraqitur nga aplikantët. Gjatë verifikimit të aplikimeve, komisioni mund të kërkojë informacione shtesë nga institucioni dhe/ose eprori direkt i të punësuarit, me qëllim verifikimin nëse aplikimi përmbush kriteret e përcaktuara.
3. Në përfundim të verifikimit paraprak, në faqen zyrtare të ministrit përgjegjës për administratën publike dhe të Departamentit të Administratës Publike publikohet lista e aplikantëve që plotësojnë kriteret, të renditur sipas rendit alfabetik.
4. Aplikantët, që nuk plotësojnë kriteret, njoftohen individualisht, duke iu bërë të ditura arsyet e moskualifikimit. Ata kanë të drejtë të parashtrojnë ankim me shkrim brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e marrjes së njoftimit individual për moskualifikimin.
5. Komisioni shqyrton ankesën brenda 5 (pesë) ditëve kalendarike nga data e përfundimit të afatit të ankimit dhe njofton ankuesin, nëpërmjet Departamentit të Administratës Publike.
6. Në përfundim të afatit për shqyrtimin e ankesave, Departamenti i Administratës Publike publikon listën përfundimtare të aplikantëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara në thirrje.
Neni 13
Vlerësimi dhe shpallja e fituesve
1. Komisioni, në procesin e vlerësimit dhe përzgjedhjes së fituesve, mbështetet në vlerësimin e ndikimit potencial ose real që paraqet ideja inovatore në performancën institucionale ose të administratës publike, shkallën e inovacionit të demonstruar, si dhe potencialin e saj për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët ose rritjen e efektivitetit dhe efikasitetit.
2. Komisioni përzgjedh 3 (tre) fitues, të renditur sipas nivelit të ndikimit potencial ose real të idesë inovatore apo inovacionit, si më poshtë:
a) Çmimi I, 100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) Çmimi II, 70 000 (shtatëdhjetë mijë) lekë;
c) Çmimi III, 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
3. Fituesit shpallen gjatë Javës së Administratës Publike, duke siguruar transparencë dhe vizibilitet për idetë inovative të përzgjedhura.
KREU IV
ÇMIMET APO SHPËRBLIMET PËR PROJEKTE TË FITUARA NGA TË CILAT JANË PËRTHITHUR FONDE DHE/OSE KA PËRFITUAR INSTITUCIONI APO VENDI
Neni 14
Kriteret për çmimet apo shpërblimet për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi
1. Çmimet apo shpërblimet për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi janë trajtime financiare që i jepen individëve apo grupeve të të punësuarve në administratën publike, që kanë fituar projekte të suksesshme, me ndikim të matshëm në tri nivele kryesore:
a) Përthithja e fondeve. Projekti ka arritur të sigurojë financime të jashtme (kombëtare ose ndërkombëtare) si: grante, fonde zhvillimi, investime apo mbështetje financiare nga burime të ndryshme, duke rritur kapacitetin financiar të institucionit;
b) Përfitimi i institucionit. Projekti ka sjellë përmirësime në funksionimin, shërbimet, kapacitetet apo burimet e institucionit, si dhe rritje të efikasitetit e të cilësisë së punës së tij;
c) Përfitimi i vendit. Projekti ka sjellë përmirësim të infrastrukturës, zhvillim ekonomik, social, mjedisor apo institucional që kontribuon në avancimin e zhvillimit të vendit në aspekt të qëndrueshmërisë, rritjes apo inovacionit.
2. Çmimet apo shpërblimet për projekte të fituara, nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi jepen për të punësuarit e angazhuar në këto projekte jo për shkak të detyrave të tyre funksionale.
Neni 15
Rregullat dhe procedura për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi
1. Të punësuarit e administratës publike, të cilët gjatë vitit kalendarik kanë fituar projekte, sipas përcaktimeve në nenin 14, të këtij vendimi, paraqesin pranë institucionit ku ushtrojnë detyrën aplikimin për përfitimin e çmimit apo shpërblimit për këtë qëllim.
2. Aplikimi, sipas pikës 1, të këtij neni, paraqitet deri në datën 31 dhjetor të vitit kalendarik përkatës dhe duhet të përmbajë:
a) përshkrimin e projektit;
b) rezultatin e arritur në drejtim të fondeve të përthithura ose përfitimeve për institucionin apo vendin;
c) dokumentacionin mbështetës që vërteton përthithjen e fondeve ose përftimin në nivel institucional apo kombëtar;
ç) vërtetimin që angazhimi i të punësuarit në projektin e fituar nuk është për shkak të detyrave të tij funksionale, të përcaktuara në përshkrimin e punës dhe/apo në çdo akt tjetër të brendshëm të institucionit.
3. Njësia e burimeve njerëzore të institucionit kryen, brenda datës 15 janar të vitit pasardhës, verifikimin paraprak për plotësimin e kërkesave dokumentare të aplikimeve dhe i përcjell KMMP-së listën e aplikimeve që plotësojnë kërkesat.
Neni 16
Vlerësimi dhe dhënia e çmimeve për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi
1. KMMP-ja, brenda 15-ditëshit të parë të muajit shkurt, mbështetur në dokumentacionin përkatës:
a) verifikon plotësimin e kritereve për përfitimin e çmimit apo shpërblimit për projekte të fituara, të përcaktuara në pikën 1, të këtij kreu;
b) vendos për masën e shpërblimit në varësi të impaktit të projektit të fituar dhe/ose shumës së fondeve të përthithura;
c) i propozon sekretarit të përgjithshëm/titullarit të institucionit listën e të punësuarve që duhet të përfitojnë çmimin apo shpërblimin dhe masën përkatëse, i cili bën miratimin përfundimtar.
2. Pas marrjes së vendimit sipas pikës 1, të këtij neni, njësia përgjegjëse për ekzekutimin e buxhetit të institucionit kryen pagesat përkatëse brenda 30 ditëve nga marrja dijeni për vendimin, por, në çdo rast, jo më vonë se muaji mars.
3. Çmimet apo shpërblimet për projekte të fituara nga të cilat janë përthithur fonde dhe/ose ka përfituar institucioni apo vendi jepen nga institucioni ku i punësuari ushtron detyrën. Masa e çmimit apo shpërblimit për çdo projekt të fituar është 10 000 – 50 000 lekë.
KREU V
FUSHAT DHE NËNFUSHAT PRIORITARE TË ZHVILLIMIT TË VENDIT DHE SHTESA E VEÇANTË E KUSHTËZUAR
Neni 17
Fushat prioritare të zhvillimit të vendit
Në kuptim të këtij vendimi, konsiderohen fusha prioritare të zhvillimit të vendit:
a) zhvillimi i sektorit të shoqërisë së informacionit e të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (qeverisja elektronike), e fokusuar në nënfushat, si më poshtë vijon:
i. Infrastruktura dhe sistemet e informacionit dhe komunikimit, përfshirë projektimin, zhvillimin, mirëmbajtjen dhe ngritjen e rrjeteve;
ii. Ndërveprimet dhe transaksionet elektronike nëpërmjet shërbimeve të besuara, përfshirë integrimin me sistemet e informacionit të Bashkimit Evropian;
iii. Siguria e bazave të të dhënave shtetërore, përfshirë auditimin e sistemeve TIK;
iv. Hartimi i akteve rregullatore në fushën TIK.
b) zhvillimi i infrastrukturës së informacionit kombëtar gjeohapësinor, e fokusuar në nënfushat, si më poshtë vijon:
i. Përmirësimi dhe mirëmbajtja e infrastrukturës;
ii. Mbledhja, administrimi dhe përpunimi i informacionit gjeohapësinor;
iii. Hartimi i akteve rregullatore në fushën e sistemeve të informacionit kombëtar gjeohapësinor.
c) garantimi i përthithjes efektive dhe në kohë të fondeve të programeve operacionale IPA III dhe programit IPARD III.
Neni 18
Shtesa e veçantë e kushtëzuar mbi pagën bruto mujore sipas fushave dhe/ose nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit
1. Shtesa e veçantë e kushtëzuar mbi pagën bruto mujore për pozicionet e punës që kryejnë funksione, sipas fushave dhe nënfushave të përcaktuara në shkronjat “a” dhe “b”, të nenit 17, të këtij vendimi, në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe në Autoritetin Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor për një periudhë kohe deri në katërvjeçare, përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Shtesa e veçantë e kushtëzuar mbi pagën bruto mujore sipas shkronjës “c”, të nenit 17, të këtij vendimi, jepet për një periudhë pesëvjeçare për të punësuarit e angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në programimin, prokurimin, zbatimin, monitorimin dhe kontrollin në strukturat e ngarkuara me menaxhimin indirekt të programeve operative shumëvjeçare IPA III dhe programit IPARD III dhe është sipas lidhjes nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ministria përgjegjëse për financat, nëpërmjet Zyrtarit Kombëtar Autorizues, pas marrjes së miratimit nga strukturat përkatëse të Komisionit Evropian, njofton me shkrim autoritetet dhe strukturat zbatuese të programeve operative shumëvjeçare IPA III dhe programit IPARD III për fillimin e zbatimit të shtesës sipas shkronjës “c”, të nenit 17, të këtij vendimi. Shtesa fillon të aplikohet nga data e njoftimit zyrtar.
KREU VI
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 19
1. Përjashtimisht për periudhën 2026 – 2027, përfitojnë shpërblim për hapjen dhe mbylljen e kapitujve/kritereve të negociatave:
a) Kryenegociatori, zëvendëskryenegociatorët dhe negociatorët e përcaktuar sipas vendimit nr.422, datë 6.5.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për përbërjen, rregullat e funksionimit dhe trajtimin financiar të grupit negociator dhe detyrat e kryenegociatorit për zhvillimin e negociatave të aderimit të Republikës së Shqipërise në Bashkimin Evropian”, të ndryshuar;
b) të punësuarit në Kryeministri, përfshirë departamentin përgjegjës për çështjet e integrimit evropian në Kryeministri në cilësinë e Sekretariatit Teknik të Integrimit Evropian;
c) të punësuarit e institucioneve të administratës publike, të cilët angazhohen drejtpërdrejt në procesin e përafrimit të legjislacionit, hartimit ose vlerësimit të përputhshmërisë së akteve, si dhe në procesin e hapjes e të mbylljes së kapitujve apo kritereve të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
2. Shpërblimi jepet për Kryenegociatorin, zëvendëskryenegociatorët, negociatorët dhe të punësuarit e tjerë organikë të institucioneve të administratës publike, të përmendur në pikën 1, të këtij neni, të cilët në momentin e lindjes të së drejtës për shpërblimin përkatës janë në marrëdhënie punësimi në një institucion të administratës publike.
3. Shpërblimi llogaritet në raport me kohën gjatë së cilës kanë kontribuuar të punësuarit, por, në çdo rast, jo më shumë se masa e shpërblimit e përcaktuar në pikën 4, të këtij neni, për:
a) Kryenegociatorin, zëvendëskryenegociatorët, negociatorët dhe të punësuarit e tjerë, të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, të cilët kanë ndryshuar pozicionin e punës, por që janë ende në marrëdhënie pune në institucionet e administratës publike. Shpërblimi jepet nga institucioni përkatës ku kanë kontribuuar për hapjen dhe/ose mbylljen e kapitujve/kritereve të nogociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sipas pagës bruto mujore që kanë pasur në pozicionet e mëparshme;
b) Kryenegociatorin, zëvendëskryenegociatorët, negociatorët dhe të punësuarit e tjerë të përcaktuar në pikën 1, të këtij neni, të punësuar në këto pozicione pas fillimit të proceseve të përgatitjes për hapjen dhe/ose proceseve të përgatitjes për mbylljen e kapitujve/kritereve të negociatave.
4. Masa e shpërblimit është, si më poshtë vijon:
a) 1 pagë bruto mujore për hapjen e kapitujve/kritereve të negociatave dhe 2 paga bruto mujore për mbylljen e tyre, pavarësisht në sa kapituj/kritere janë të angazhuar, për grupin e përfituesve sipas shkronjës “a”, të pikës 1, të këtij neni;
b) 1 pagë bruto mujore për hapjen e kapitujve/kritereve të negociatave dhe 1 pagë bruto mujore për mbylljen e tyre, pavarësisht në sa kapituj/kritere janë të angazhuar, për grupin e përfituesve sipas shkronjës “b”,  të pikës 1, të këtij neni;
c) 1 pagë bruto mujore për hapjen e kapitujve/kritereve të negociatave dhe 1.5 paga bruto mujore për mbylljen e tyre, pavarësisht në sa kapituj/kritere janë të angazhuar, për grupet e përfituesve sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni.
5. Të punësuarit e përcaktuar në shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij neni, përcaktohen me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave për Kryeministrinë dhe institucionet e varësisë së Kryeministrit, me urdhër të ministrit për ministrinë dhe institucionet e tij të varësisë dhe me urdhër të titullarit të institucionit të pavarur për institucionin që drejton.
6. Urdhrat sipas përcaktimit në pikën 5, të këtij neni, përpara miratimit të tyre dakordësohen me Kryenegociatorin, në lidhje me numrin e përfituesve për çdo institucion, i cili për të gjitha institucionet së bashku nuk duhet të jetë më i madh se 890. Urdhrat e miratuar i përcillen ministrisë përgjegjëse për financat.
Neni 20
Shfuqizime
Vendimi nr.419, datë 7.7.2023, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e fushave dhe nënfushave prioritare të zhvillimit të vendit dhe të shtesës së veçantë të kushtëzuar”, i ndryshuar, shfuqizohet.
Neni 21
Efektet financiare
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë nga data 1 korrik 2026 dhe përballohen nga:
a)  fondi i veçantë i miratuar në ligjin vjetor të buxhetit, për përcaktimet në nenin 19, të këtij vendimi;
b)  fondet e secilit institucion për të gjitha përcaktimet e tjera.
Neni 22
Autoritetet zbatuese
Ngarkohen institucionet e administratës publike për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 23
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
TRANSFERIMIN NË FONDIN E PASURIVE TË PALUAJTSHME   PËR MBËSHTETJEN E INVESTIMEVE STRATEGJIKE, I CILI ADMINISTROHET NGA MINISTRIA PËRGJEGJËSE   PËR EKONOMINË, TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NË ZONAT KADASTRALE 8604 DHE 2765, BASHKIA VLORË, PËR ZHVILLIMIN DHE REALIZIMIN E PROJEKTIT  TË INVESTIMIT STRATEGJIK “VLORË TEDA/RAMS FREE ZONE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të neneve 27 dhe 31, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 3, të kreut II, të vendimit nr.1030, datë 16.12.2015, të Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe formën e pjesëmarrjes së shtetit në investimet strategjike dhe rregullat për krijimin, funksionimin dhe administrimin e Fondit të Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Transferimin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike (FPPMIS), i cili administrohet nga ministria përgjegjëse për ekonominë, të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonat kadastrale 8604 dhe 2765, Bashkia Vlorë, me sipërfaqe totale  885 557.6 (tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e pesëqind e pesëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) m², të përcaktuara në shtojcën 1 dhe në dokumentacionin e pronësisë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pasuritë e paluajtshme shtetërore, të përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, vihen në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit të investimit strategjik “Vlorë TEDA/RAMS Free Zone”, nga subjekti investues “Rams Albania”, sh.p.k., me NUIS M42427018I.
3. E drejta e përdorimit të pasurive të paluajtshme shtetërore nga subjekti investues “Rams Albania”, sh.p.k., me NUIS M42427018I, si dhe detyrimet dhe kushtet e përdorimit bëhen në përputhje me vendimin nr.1, datë 11.2.2026, të Komitetit të Investimeve Strategjike.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË MALLAKASTËR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Pushtetin Vendor, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpalljen “Zonë me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore” të disa zonave në territorin e Bashkisë Mallakastër, si më poshtë vijon:
a) Zona nr.1, fshati Klos, pjesë e njësisë administrative Hekal, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 79 (shtatëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
b) Zona nr.2, fshatrat Damës dhe Drizar, pjesë të njësive administrative Fratar dhe Kutë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 174 (njëqind e shtatëdhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
c) Zona nr.3, fshati Drizar, pjesë e njësisë administrative Kutë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 367 (treqind e gjashtëdhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ç) Zona nr.4, fshatrat Lofkënd, Panahor, Riban dhe Ngraçan, pjesë të njësive administrative Qendër Dukas, Aranitas dhe Ngraçan, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 714 (shtatëqind e katërmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshati Ninësh, pjesë e njësisë administrative Fratar, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 234 (dyqind e tridhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, fshati Anëbreg, pjesë e njësisë administrative Kutë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 166 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshati Çorrush, pjesë e njësisë administrative Kutë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 71 (shtatëdhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshati Aranitas, pjesë e njësisë administrative Aranitas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 3 (tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
f) Zona nr.9, fshati Gjerbës, pjesë e njësisë administrative Selitë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 45 (dyzet e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
g) Zona nr.10, fshati Panahor, pjesë e njësisë administrative Aranitas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 72 (shtatëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
gj) Zona nr.11, fshati Cfir, pjesë e njësisë administrative Aranitas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 71 (shtatëdhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
h) Zona nr.12, fshati Belishovë, pjesë e njësisë administrative Qendër Dukas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 32 (tridhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
i) Zona nr.13, fshatrat Drenovë dhe Belishovë, pjesë të njësisë administrative Qendër Dukas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 453 (katërqind e pesëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
j) Zona nr.14, fshati Poçëm, pjesë e njësisë administrative Kutë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 5 (pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
k) Zona nr.15, fshati Poçëm, pjesë e njësisë administrative Kutë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 7 (shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
l) Zona nr.16, fshati Hekal, pjesë e njësisë administrative Hekal, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 125 (njëqind e njëzet e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ll) Zona nr.17, fshatrat Çërrilë dhe Selitë, pjesë të njësisë administrative Selitë, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 357 (treqind e pesëdhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
m) Zona nr.18, fshati Kalenjë, pjesë e njësisë administrative Aranitas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 48 (dyzet e tetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
n) Zona nr.19, fshati Kash, pjesë e njësisë administrative Qendër Dukas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 18 (tetëmbëdhjetë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
nj) Zona nr.20, fshati Lapulec, pjesë e njësisë administrative Qendër Dukas, Bashkia Mallakastër, Qarku Fier, me sipërfaqe 1 (një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.
2. Shtrirja, kufijtë dhe pikat e hyrjes e të daljes së këtyre zonave përcaktohen në hartën treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
3. Llojet e aktiviteteve, që do të zhvillohen në këtë zonë, janë:
a) të zhvillimit ekonomik;
b) të zhvillimit industrial;
c) të zhvillimit turistik.
4. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Mallakastër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA