Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 30 Qershor 2026
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.27/2016, “PËR MENAXHIMIN E KIMIKATEVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 6 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Pika 5 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Ministria përgjegjëse për tregtinë është autoriteti kompetent për kontrollin në treg të kimikateve.”.
2. Pika 6 shfuqizohet.
Neni 2
Në nenin 20 bëhen shtesa dhe ndryshimi i mëposhtëm:
1. Pas pikës 4 shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1 Lista e substancave me rrezikshmëri shumë të lartë (SVHC) miratohet me urdhër të ministrit. Lista përditësohet, në përputhje me listën e substancave SVHC, të miratuar sipas aneksit XIV të rregullores (KE) nr.1907/2006 (REACH), të ndryshuar.”.
2. Në pikën 5, fjalët “Lista e substancave me rrezikshmëri shumë të lartë (SVHC)…” hiqen.
Neni 3
Në nenin 21 bëhen ndryshimi dhe shtesa e mëposhtme:
1. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Lista e substancave kandidate miratohet me urdhër të ministrit.”.
2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:
“3. Lista e substancave kandidate përditësohet bazuar në listën e rishikuar të substancave kandidate, në përputhje me listën e publikuar nga Agjencia Evropiane e Kimikateve.”.
Neni 4
Neni 28 shfuqizohet.
Neni 5
Në pikën 7, të nenit 29, fjalët “… ministrinë përgjegjëse për industrinë …” hiqen.
Neni 6
Në nenin 35 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 3 shfuqizohet.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Strukturat përgjegjëse për inspektimin sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë paraqesin raportin vjetor të inspektimeve pranë Zyrës së Kimikateve, brenda datës 1 mars të vitit pasardhës.”.
Neni 7
Paragrafi hyrës i nenit 39 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Gjatë kryerjes së detyrave të referuara në nenin 35, të këtij ligji, strukturat përgjegjëse për inspektimin sipas fushave përkatëse të përgjegjësisë, kanë të drejtë që në bazë të një vendimi:”.
Neni 8
Pikat 35 dhe 36 të nenit 40 shfuqizohen.
Neni 9
Në nenin 43 bëhen ndryshimet dhe shtesa e mëposhtme:
1. Paragrafi i parë numërtohet me numrin 1.
2. Togfjalëshi “… 20, pikat 5 dhe 6, …” zëvendësohet me “… 20, pika 6, …”.
3. Togfjalëshi “… 21, pika 2, …” hiqet.
4. Pas pikës 1 shtohet pika 2, me këtë përmbajtje:
“2. Ngarkohet ministri përgjegjës për mjedisin të miratojë aktet nënligjore në zbatim të pikës 4/1, të nenit 20, dhe të pikës 2, të nenit 21, të këtij ligji.”.
Neni 10
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.27/2016, “PËR MENAXHIMIN E KIMIKATEVE”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
P R O J E K T L I GJ
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10018, DATË 13.11.2008, “PËR AVOKATURËN E SHTETIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë
V E N D O S I:
Në ligjin nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
Neni 1
Në nenin 4 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
1. Në shkronjën “b”, të pikës 3, fjalët “… ose zyrat e Avokaturës së Shtetit … ” hiqen.
2. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Avokatura e Shtetit ka në përbërjen e saj ndihmësit ligjorë të avokatëve të shtetit dhe administratën mbështetëse. Marrëdhëniet juridike të punës së ndihmësve ligjorë të avokatëve të shtetit rregullohen sipas dispozitave të këtij ligji dhe të Kodit të Punës. Marrëdhëniet e punës së punonjësve të administratës mbështetëse rregullohen sipas legjislacionit në fuqi për marrëdhëniet e punës.”.
Neni 2
Në nenin 5 bëhen këto ndryshime:
1. Shkronja “c”, e pikës 1, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“c) përfaqëson dhe mbron interesat pasurorë të organeve të vetëqeverisjes vendore përpara gjykatave të të gjitha niveleve, pa autorizim të posaçëm të të përfaqësuarit në çështjet gjyqësore, në të cilat këto organe janë palë. Në çështje të veçanta, sipas kritereve lëndore dhe sasiore, të përcaktuara në rregulloren e miratuar nga Këshilli i Ministrave, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit mund t’ia delegojë të drejtën e përfaqësimit dhe të mbrojtjes organit të interesuar të vetëqeverisjes vendore;”.
2. Në pikën 2 bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Në shkronjën “b”, fjalët “ … për ato raste kur asistenca juridike ofrohet në përputhje me shkronjën “c”, të pikës 1, të këtij neni …” hiqen;
b) Në shkronjën “c”, fjalët “ … pavarësisht nga marrëveshja e lidhur, sipas shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni.” hiqen.
Neni 3
Në nenin 9 bëhen këto ndryshime:
1. Pika 4 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“4. Pranë misionit të përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës, Avokati i Përgjithshëm i Shtetit cakton një ose disa avokatë shteti, si përfaqësues të përhershëm dhe që veprojnë në emër të tij, pranë Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.”.
2. Në pikën 5, fjalët “… nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.” hiqen.
Neni 4
Në nenin 12 bëhen këto ndryshime:
1. Titulli i nenit 12 ndryshohet dhe zëvendësohet me “Avokatët e shtetit pranë ministrive”.
2. Në pikën 1, fjalët “… krijohen zyra me …” zëvendësohen me “… veprojnë …”.
3. Në pikën 3, fjalët “… ose zyrat e Avokaturës së Shtetit …” hiqen.
Neni 5
Pas nenit 12 shtohet neni 12/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 12/1
Ndihmësi ligjor i avokatëve të shtetit
1. Ndihmësi ligjor i avokatëve të shtetit emërohet nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit, në nivel qendror dhe vendor, në bazë të parimit të shanseve të barabarta, meritës e profesionalizmit, nëpërmjet procedurave përzgjedhëse, sipas strukturës dhe organikës së Avokaturës së Shtetit, të miratuar me urdhër të Kryeministrit.
2. Ndihmës ligjor i avokatit të shtetit emërohet personi që plotëson kriteret e mëposhtme:
a) Të jetë shtetas shqiptar;
b) Të zotërojë diplomë “Master i shkencave” apo “Master profesional të përfituar në fund të studimeve të cilit të dytë me 120 kredite dhe me kohëzgjatje normale 2 vite akademike”, në tri vitet e fundit, me mesatare të ponderuar 9.00 – 10.00, në drejtësi. Diplomat, të cilat janë marrë jashtë vendit, duhet të jenë njohur paraprakisht pranë institucionit përgjegjës për njehsimin e diplomave, sipas legjislacionit në fuqi;
c) Të ketë jo më pak se 1 (një) vit përvojë pune në fushën juridike;
ç) Të mos jetë dënuar me vendim gjykate të formës së prerë, për kryerjen e një vepre penale;
d) Të mos jetë larguar nga shërbimi civil apo çdo funksion tjetër publik për shkelje ose paaftësi në kryerjen e detyrave;
dh) Të ketë zotësi të plotë për të vepruar.
3. Avokati i Përgjithshëm i Shtetit cakton ndihmësin ligjor të avokatit të shtetit pranë një ose disa avokatëve të shtetit.
4. Ndihmësi ligjor i avokatit të shtetit analizon praktikën gjyqësore përkatëse mbi interpretimin e dispozitave të zbatueshme për çështjet në gjykim, përpunon çështjen dhe përgatit mbrojtje të thjeshta standarde me shkallë kompleksiteti të ulët për përfaqësimin dhe mbrojtjen nga avokati i shtetit, kryen detyra të tjera për hetimin administrativ dhe përpunimin e çështjes, siç kërkohet nga avokati i shtetit. Rregulla specifike, të drejtat dhe detyrat e ndihmësit ligjor të avokatit të shtetit përcaktohen me urdhër të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.
5. Rregulla më të hollësishme për procedurën përzgjedhëse, marrëdhënien e punës, vlerësimin e rezultateve në punë, formimin vazhdues, disiplinën, lirimin dhe shkarkimin nga detyra të ndihmësit ligjor të avokatëve të shtetit, si dhe elementet e tjera, që lidhen me ushtrimin e këtij funksioni, miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”.
Neni 6
Në nenin 20 bëhen këto shtesa:
1. Në shkronjën “c”, të pikës 1, pas emërtimit “Shkollës së Magjistraturës” shtohet teksti, me këtë përmbajtje:
“ … ose plotëson një nga kriteret e mëposhtme:
i. zotëron përvojë pune mbi 7 vjet si ndihmës ligjor i avokatit të shtetit në Avokaturën e Shtetit;
ii. zotëron përvojë pune mbi 10 vjet si avokat, profesor, lektor i së drejtës ose ka ushtruar mbi 10 vjet profesionin e juristit në një nga institucionet qendrore të administratës publike.”.
2. Pas pikës 1 shtohen pikat 1/1 dhe 1/2, me këtë përmbajtje:
“1/1. Emërimi i avokatëve të shtetit, sipas nënndarjeve “i” dhe “ii”, të shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, nuk mund të jetë më shumë se 50 për qind e vendeve vakante të përvitshme, numri total i të cilave përcaktohet çdo datë 31 të muajit janar nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit.
1/2. Përjashtimisht, nëse gjatë të njëjtit vit kalendarik nuk plotësohen vendet vakante të mbetura, nëpërmjet provimit të pranimit në programin e formimit fillestar të Shkollës së Magjistraturës, këto vende vakante plotësohen, sipas përcaktimeve të nënndarjeve “i” dhe “ii”, të shkronjës “c”, të pikës 1, të këtij neni, nëpërmjet procedurës përzgjedhëse, sipas rregullave të hollësishme të miratuara me urdhër të Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit, bazuar në parimet e shanseve të barabarta, meritës dhe profesionalizmit.”.
Neni 7
Pas pikës 4, të nenit 27, shtohet pika 4/1, me këtë përmbajtje:
“4/1. Paga e ndihmësit ligjor të avokatit të shtetit është sa 0,45 e pagës së Avokatit të Përgjithshëm të Shtetit.”.
Neni 8
Pas kreut VIII shtohet kreu VIII/1, me këtë përmbajtje:
“KREU VIII/1
KUNDËRVAJTJET ADMINISTRATIVE DHE SANKSIONET
Neni 33/1
Kundërvajtjet administrative dhe sanksionet
1. Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga titullari dhe/ose nga nëpunësi përgjegjës i personit juridik, që është palë në një proces gjyqësor, të cilit i ofrohet shërbimi i përfaqësimit nga Avokatura e Shtetit, përbëjnë kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë, si më poshtë vijon:
a) Mosparaqitja e dokumentacionit, shpjegimeve, informacioneve apo qëndrimit të institucionit, të nevojshme për shqyrtimin e çështjes së Avokaturës së Shtetit, brenda 5 ditëve nga data e depozitimit të kërkesës pranë këtyre institucioneve, kur ky informacion është i domosdoshëm për ushtrimin e funksionit të përfaqësimit apo të mbrojtjes ligjore, nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë;
b) Mosdepozitimi ose depozitimi i pasaktë i informacionit dhe i akteve procedurale pranë gjykatës gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, nga 50 000 (pesëdhjetë mijë) – 100 000 (njëqind mijë) lekë;
c) Mosparaqitja apo refuzimi i pajustifikuar për të marrë pjesë në procesin gjyqësor për të dhënë shpjegime, për të nënshkruar ose për të miratuar qëndrimin institucional, kur kërkohet nga Avokatura e Shtetit, ose kryerja me dashje e veprimeve apo mosveprimeve, që pengojnë seriozisht përfaqësimin dhe mbrojtjen ligjore të interesave pasurore shtetërore, nga 500 000 (pesëqind mijë) deri në 1 000 000 (një milion) lekë.
2. Në çdo rast, kur kanë ardhur pasoja për interesat pasurore të shtetit, titullari dhe nëpunësi përgjegjës përgjigjet sipas legjislacionit në fuqi për përgjegjësinë civile. Në këto raste, personi juridik ka të drejtë të ngrejë padi regresi në gjykatë.
3. Me nëpunës përgjegjës kuptohet drejtuesi i strukturës që mbulon përfaqësimin në gjykatë apo punonjësi, me profil jurist, të ngarkuar me përfaqësimin në gjykatë të institucionit dhe shkëmbimin e informacionit me Avokaturën e Shtetit.
4. Gjobat vendosen nga Avokati i Përgjithshëm i Shtetit dhe arkëtohen në buxhetin e shtetit.
5. Procedura për vendosjen e gjobës dhe formati tip përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 33/2
Shlyerja e masës së dënimit me gjobë
Shlyerja e masës së dënimit me gjobë bëhet në përputhje me parashikimet e ligjit për kundërvajtjet administrative.
Neni 33/3
Ankimi i sanksioneve administrative
Personi, ndaj të cilit është vendosur masë administrative, sipas dispozitave të këtij ligji, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatën administrative të shkallës së parë, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.”.
Neni 9
Neni 35 shfuqizohet.
Neni 10
Në pikën 1, të nenit 36, pas fjalëve, “… të nenit 4, pika 7 …” shtohen “ … të nenit 12/1, pika 5 …”, dhe pas fjalëve “… dhe nenit 28 …” shtohen “… dhe nenit 33/1, pika 5.”.
Neni 11
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2027.
K R Y E T A R I
NIKO PELESHI
###
V E N D I M
PËR
PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.10018, DATË 13.11.2008, “PËR AVOKATURËN E SHTETIT”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 81, pika 1, 83, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10018, datë 13.11.2008, “Për Avokaturën e Shtetit”, të ndryshuar”, për shqyrtim e miratim, me procedurë të përshpejtuar, në Kuvendin e Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA