“Formëso të ardhmen europiane të Shqipërisë”, vlerësim për rolin e administratës publike në rrugëtimin europian të Shqipërisë

Në kuadër të Javës së Administratës Publike 2026, u zhvillua sot aktiviteti me temë “Formëso të ardhmen europiane të Shqipërisë”, një dialogim mbi rolin e administratës publike në procesin e transformimit dhe integrimit europian të vendit.

Në event mori pjesë edhe Kryeministri Edi Rama, i cili vlerësoi kontributin e profesionistëve të administratës publike në zbatimin e reformave transformuese dhe theksoi rëndësinë e ndërtimit të institucioneve të forta, modernizimit të administratës dhe përdorimit të teknologjisë e inteligjencës artificiale si instrumente kyçe për përshpejtimin e reformave dhe përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.

 

* * *

Kryeministri Edi Rama: Përshëndetje të gjithëve! Transformimi i administratës është një proces jashtëzakonisht kompleks, jashtëzakonisht i vështirë dhe i cili kërkon diçka që bota sot dhe për më tepër Shqipëria sot dhe shqiptarët sot, e kanë gjithmonë e më pak, kërkon kohë.

Kërkon kohë sepse bëhet fjale për krijimin e mekanizmave që lidhen me njerëz, me shumë njerëz. Dhe besoj që po të kthehemi për një moment mbrapa dhe të kujtohemi që ligji i parë themelor i administratës tonë publike është aprovuar afro një dekadë më parë, atëherë ne mund të kuptojmë se çfarë transformimi ka ndodhur në shërbimin tonë civil dhe për të gjithë ata që na ndjekin është e rëndësishme të bëjnë dallimin. Kur ne flasim për administratë publike kemi parasysh shërbimin civil ku përfshihen rreth 4000, atëherë janë më shumë se kaq po gjithsesi janë më pak se 10 mijë, ndërkohë që në numrin e përgjithshëm të administratës ne kemi dhjetëra mijëra të tjerë të cilët janë pjesë e administratës shtetërore. Pra nuk është i njëjti nivel dhe kjo është diçka që ne nuk e kemi unike ne Shqipëri, është në shumë vende.

Nëse në administratën publike ku gjendet dhe gjithë ai burim njerëzor që na ka mundësuar ecurinë shembullore me procesin e negociatave, ne kemi sot një kualitet të ri, në administratën shtetërore ne kemi sot një sfidë shumë të madhe përballë qytetarëve sepse qytetarët kanë të gjithë të drejtën e tyre që të jenë shumë më kërkues dhe të trajtohen shumë më mirë në shumë raste.

Duke qenë se jemi në një moment specifik intensiv të rrugëtimin tonë si shoqëri, më lejoni të sjell këtu një episod nga shumë episode që ne po mbledhim për të lexuar si duhet protestën e bulevardit në atë pjesë të saj që ajo protestë ka rëndësinë themelore për ne, që është zëri dhe që janë shqetësimet reale të qytetarëve. Pra ajo që unë e quaj uji i pastër dhe i rrjedhshëm i protestës nën atë koren e zezë të asaj që për fat të keq është pjesa e zhurmshme dhe  e dukshme ku janë mbledhur gjithë dështakët dhe zemëraket e Shqipërisë. Në atë rrjedhë të madhe njerëzish ka shumë për të mësuar dhe episodi është ky. Nëna e një shokut tim, ai është pak më i ri se unë por ajo është gjyshe, kishte dalë në protestë. Edhe i biri më tregoi që ishte alarmuar kur i kishin thënë që ka shkuar mamaja në protestë. Ishte alarmuar sepse ajo është në një moshë të caktuar që duke e imagjinuar në mes të një turme njerëzish, gjëja e parë që të shkon në mend është që nëqoftëse larg qoftë pengohet, rrezohet mund të ketë dhe dëmtim fizik dhe ishte kthyer në shtëpi shumë i alarmuar dhe e pyet të ëmën, “po ti, çfarë bëre ti në protestë, për çfarë shkove ti në protestë”. Dhe e ëma i tregon atë që besoj unë, duke parë dhe episode të tjera që ne po i mbledhim, thelbin e zemërimit të shumë njerëzve me administratën shtetërore. Për një arsye apo për një tjetër nuk e kam mirë parasysh tani të natyrës shtetërore, asaj i duhet të shkojë në mënyrë periodike në poliklinikë dhe duke qenë se si ajo ka dhe të tjerë që e dinë praktikën që ndjek mjeku që duhet të kujdeset për ta, njerëzit shkojnë atje që në orën 5, që në orën 6 të mëngjesit. Pse? Sepse presin që mjeku të vijë dhe shpresojnë që duke qenë përpara në radhë të kenë mundësinë që ai t’i shohë, se mjeku, e para nuk vjen në orar, vjen gjithmonë një orë, dy orë mbrapa. Pra ata njerëz presin nga ora 5 – 6 e mëngjesit deri nga ora 9 – 10, të moshuar. E dyta, mjeku nuk rri deri në fund të orarit po mbasi trajton tre katër prej tyre ikën.

Dhe kjo grua në moshë, një gjyshe del në protestë sepse është e fyer dhe fyerje është fjalë e lehtë në fakt sepse fyerja është një herë, ky është një poshtërim. Dhe ndjenja e poshtërimit nga shteti yt, nga njerëzit që paguhen për të të shërbyer ty është një ndjenjë që mjafton të bësh një përpjekje shumë të vogël për ta vënë veten në atë pozitë për të kuptuar që është kulmi.

Dhe njerëzit nuk ndjehen të fyer dhe të poshtëruar thjeshtë dhe vetëm sepse nuk e zgjidhin dot një hall sepse jo çdo hall është i zgjidhshëm në rrugë administrative sepse ne e kemi parë që shumë halle kërkojnë zgjidhje gjyqësore sepse administrata s’mund të bëhet gjykatë, sepse nëse administrata do të bëhej gjykatë, nëse qeveria do të bëhej gjykatë, nëse kryeministri do bëhej gjykatës atëherë mund të bënte pesë të mira, por mund të bënte dhe 5 mijë të këqija. E për këtë arsye janë të ndara gjerat, por përtej fakti që e zgjidh apo se zgjidh, ai mjeku nuk është i detyruar me ligj as me zakon që të shërojë një sëmundje të pashërueshme, por ai mjeku është i detyruar që njeriut të sëmurë t’i ofrojë të gjithë komfortin që vjen nga njerzillëku. Mungesa e njerzillëkut është një mungesë të cilët njerëzit nuk janë të disponuar ta tolerojnë, me të drejtë. Dhe natyrisht që këta nuk janë shumica për fat të mirë sepse ne nuk mjaftohemi vetëm me çfarë shikojmë, siç mendojnë disa me çfarë shikojmë në raporte.

Ne bëjmë përpjekje për tw kuptuar si funksionon administrata edhe kur është jashtë vëmendjes sonë.

Si funksionon një spital edhe kur nuk jam unë që shkoj atje për një vizitë apo inspektim dhe atje përgatiten te gjithë se po vjen kryeministri, apo ministri. Dhe me strukturën e antikorrupsionit dhe me ndihmën e mekanizmave të tjerë, ministrja ndjek ecurinë e këtyre marrëdhënieve edhe me vizita dhe kontrolle që janë komplet të pa lajmëruara dhe nuk rezulton që në spitale norma ose normalja është kjo që thashë për atë mjekun, por nuk ka rëndësi. Nuk ka rëndësi sepse mjafton t’i ndodhë dikujt, nuk ka nevojë ‘’të tërhiqen zvarrë’’ të gjithë njerëzit që kanë diçka për të thënë, mjafton ‘’të tërhiqet njëri zvarrë’’ siç ndodhi në atë momentin skandaloz dhe kjo rezonon me të tjerët sepse kjo nëna, kjo gjyshja nuk tërhiqet zvarrë fizikisht, por tek ai njeriu që tërhiqet zvarrë atje, ndihet pjesë sepse ndërkohë është ky mjeku këtu që ‘’i tërheq zvarrë” atë dhe moshatarët, bashkëmoshataret e saj që me të drejtën e Zotit dhe me të drejtën që u jep fakti që kanë kontribuuar për këtë vend, kërkojnë atë shërbimin minimal.

Tani, ta konstatosh është e rëndësishme; të jesh i vetëdijshëm për këtë, është po kaq e rëndësishme dhe për mua personalisht qënia i vetëdijshëm për çfarë njerëzit jetojnë, është gjëja më e rëndësishme dhe për këtë arsye unë jam gjithmonë në përpjekje për të parë nga jashtë rrethit të ngushtë që pastaj mund të të mbylli dhe ti nuk kupton më pastaj ku je. Por të veprosh për ta ndryshuar këtë, është shumë më komplekse sesa ç’ mund të mendohet, sepse nuk është një çështje reagimi i menjëhershëm, ashtu sikundër lufta kundër korrupsionit nuk është thjesht një çështje burgu apo varje me litar siç së fundi ka filluar të gjenerohet edhe kjo nga, kuptohet, segmente që nuk kanë lidhje me atë drejtëzën shumë të gjatë që përbën gjithë komponentët e këtij moment.

Duhet që sistemi të të mbrojë dhe fiks ajo që po ndodh sot në Shqipëri dhe që humbet në mjegullën dhe në tymin e shumë gjërave që bëhen bashkë, është që sistemi për herë të parë, po lufton me korrupsionin, pra është komplet e kundërta e asaj që thuhet badihava. Sistemi po e lufton korrupsionin dhe jo voluntarizmi këtu dhe atje, gjë që natyrisht është shumë e dhimbshme, gjë që natyrisht, është njësoj si një therje në sy të të gjithëve që krijon turbullirë, krijon neveri, krijon pisllëk, ndjenjën e pisllëkut sepse faktikisht kjo gjë po ndodh.

Po hyhet aty ku nuk është hyrë kurrë, që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe kjo nuk është  një arsye për të kërkuar gijotinën sepse të gjitha sistemet që në fund përfunduan në “ferr” për popujt që u ekzaltuan nga ideja e drejtësisë së atypëratyshme dhe që shkuan tek plumbi ballit apo tek gijotina, na kanë mësuar që kjo e demokracisë dhe e balancimit të pushteteve dhe e ndërtimit të një sistemi që garanton gjithkënd dhe garanton madje edhe të akuzuarin, është e vetmja rrugë për të garantuar brezat.

Pse po zgjatem në këtë pikë? Sepse dua të jem shumë i qartë me të gjithë nga eksperienca ime. Besoj që e kam sot mundësinë që nga maja e kësaj eksperience që është tanimë goxha vjeçare, të them që në fund të ditës, ajo që është e rëndësishme për shtet ndërtimin, nuk është episodi por është tërësia e hapave që hidhen me durim dhe pa zhurmë.

Episodet e zhurmshme ndihmojnë në një mënyrë ose në një tjetër, por nuk bëjnë sistemin dhe besimi im për pse Shqipëria mund ta kapërcejë me një shpejtësi të pazakonshme, atë që është koha e domosdoshme për ta ndërtuar sistemin, lidhet vetëm me një fakt, me faktin që Shqipëria sot ka fatin te jetojë në epokën e teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale.

Franca, ambasadorja është aty, ka një nga administratat publike më të strukturuara në planet; ka një nga mekanizmat më kompleks të funksionimit të shtetit, por për të ardhur aty, Franca ‘’ka prerë koka’’ e ‘’ka derdhur lumenj gjaku’’, e ka djegur, e ka shkatërruar veten dhe të tjerët për shumë e shumë kohëra.

Dhe e njëjta gjë është për të gjitha vendet që sot janë në avangardë të mënyrës së funksionimit të shtetit. Vijnë nga shumë larg, vijnë nga eksperienca të jashtëzakonshme shtet ndërtimi. Ne jemi në embrion dhe kërkojmë që të jemi sot një vend që pranohet në Bashkimin Europian sepse ka një administratë të standardeve të BE-së. Kjo është diçka marramendëse si sfidë.

Ama kemi digjitalizimin, i cili për shembull, na bëri një gjë shumë të madhe që sot njerëzit e kanë harruar dhe sot pjesa dërmuese e të rinjve që ndihen të papërfillur apo që ndihen në nevojën për të protestuar, as nuk e dinë që ka ekzistuar. Digjitalizimi ne na hoqi rradhat për të marrë një copë letër dhe na i hoqi rradhat për të marrë një copë letër duke na dhënë mundësinë të bëheshim, se tani po bëhen të gjithë, një nga vendet e para me numrin më të madh të shërbimeve që merren nga telefoni.

Digjitalizimi bëri që të gjithë ata që janë jashtë vendit, të kenë në shërbim shtetin e tyre nga telefoni dhe jo te presin të vijnë për të ardhur për pushime, për të shkuar e për të mbajtur radha për të marrë një copë letër, siç ndodhte në të kaluarën. Pushimet verore të emigrantëve deri përpara ca vitesh, ishin midis plazhit edhe rradhave nëpër sportele ku dyndeshin për të marrë ato dokumentet që iu mungonin.

Para pak ditësh, Adea, nuk e di, më duket e përmendi, mbaroi puna titanike e ‘’milingonave’’ për të digjitalizuar Kadastrën, për të digjitalizuar kartelat, për të digjitalizuar dokumentacionin, hartat me mbështetjen e Bashkimit Europian dhe brenda afatit të përcaktuar sipas Planit të Ri të Rritjes dhe afatit që ne i kemi vënë vetes lidhur me negociatat.

Tani vjen faza tjetër, vjen faza e ndërtimit të sistemit që do ta bëjë përfundimisht Kadastrën njësoj si të gjitha shërbimet e tjera që sot nuk janë më problem se ti i merr online dhe do ikë nga jeta e shqiptarëve dhe ky makth i Kadastrës i cili vjen si rezultat i shumë çudirave që kanë ndodhur në këtë vend, por i cili, ndryshe nga sa duket, kërkon një punë milingonash për të mbledhur bashkë të gjitha copat e çikat e shumë e shumë proceseve të deformuara dhe sot, Shqipëria është duke punuar për të pasur modelin e parë të inteligjencës artificiale për të bërë prokurime publike, nga A-ja tek Z-ja, sepse copëza ekzistojnë, por një model kompleks nuk ekziston dhe ne jemi duke punuar me disa fuqi të mëdha në botën e teknologjisë për ta realizuar këtë produkt, i cili në rast se do të jetë i suksesshëm dhe unë besoj se do jetë i suksesshëm, do fillojë të testohet në mes të vitit të ardhshëm me synimin për të hyrë plotësisht në punë në 2028-n, por nëse dhe kur të jetë efektiv, do të heqë përfundimisht të gjithë problematikën e tenderave dhe kontratave për fondet publike, përfundimisht! Do ta bëjë zero! Por imagjinojeni sikur teknologjia të mos ekzistonte, mendoni se sot ne do t’i kishim hequr dot radhët me edukim? Mund të ndërrosh sa parti të duash, mund të ndërrosh sa kryeministra të duash, mund të ndërrosh sa ministra të duash, mund të ndërrosh sa drejtorë të duash, përmirësimet e qëndrueshme vijnë vetëm nga sistemi. Njerëzit që ngarkohen me këto detyra dallohen vetëm këtu. Kush beson te sistemi dhe punon për sistemin, dhe kush nuk kupton fare rëndësinë e sistemit.

Kjo është nga ana ime ajo që besoj se është thelbi i gjithë përpjekjes që ne bëjmë sot, dhe që ka të bëjë pikërisht me sistemin dhe gjithë ndryshimet e bëra në ligj, synojnë këtë, ndërkohë që patjetër teknologjia do të ndihmojë shumë edhe në shumë aspekte të tjera që kanë të bëjnë me zona që janë vunerabël në aspektin e cilësisë siç është shëndetësia, siç është arsimi. Sot ne kemi një sërë procesesh në arsim që nuk janë më problem.

U bë matura shtetërore, nuk u dëgjua asgjë. Asgjë nga ato që dëgjoheshin më përpara që bëhej nami! Pse? Sepse në sistemin tonë arsimor, shumë pjesë tanimë janë mekanizma të konsoliduar dhe ky është procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Këtë bëjnë negociatat. Këtë bën ndërveprimi i vazhdueshëm me Komisionin Europian, sistemin.

 

***

 

Kryeministri Edi Rama: Nuk është se mbeti gjë pa u thënë në këtë kornizë të këtij diskutimi të parë por unë do ri theksoja domosdoshmërinë e një rritjeje të vazhdueshme të kapaciteteve teknologjike në administratë.

Ne sapo kemi nisur një fazë të re ku janë aktualisht 140 nëpunës të lartë të administratës, në ministritë tona që kanë hyrë në një program të inteligjencës artificiale dhe që do të shërbejnë si grupi i parë i një procesi që do të shtrihet pastaj edhe në institucionet e tjera natyrisht për të rritur shpejtësinë, për të rritur kapacitetin e vendimmarrjes dhe cilësinë e gjykimit në marrjen e një vendimi dhe për të krijuar në ndërkohë atë që është dhe magjia e inteligjencës artificiale, një dije administrative çdo ditë e më të gjerë për administrimin e proceseve të brendshme të institucioneve dhe për rritjen domethënëse dhe të domosdoshme të cilësisë së ndërveprimit mes institucioneve.

Besoj që impakti i këtij programi do fillojë të ndihet jo në kohë të gjatë, do fillojë të ndihet relativisht shpejt dhe cilësia e akteve, cilësia e vlerësimeve do të rritet konsiderueshëm duke na dhënë mundësinë njëkohësisht dhe të kemi një monitorim shumë më të besueshëm të çdo procesi të brendshëm të administratës.

Besoj që këto të gjitha do na ndihmojnë shumë edhe në procesin e përmbylljes së negociatave dhe shpresoj që këto të gjitha do ndihmojnë shumë edhe në atë pikë të dobët që në momente të caktuara bëhen jashtëzakonisht të ndjeshme, që është marrëdhënia e drejtpërdrejtë e qytetarëve me administratën.