Ministrja Pirdeni: Reforma në Administratën Publike forcon kapacitetet për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se Shqipëria ndodhet në një fazë të avancuar të Reformës në Administratën Publike, me një strategji të qartë për modernizimin e administratës dhe forcimin e kapaciteteve institucionale në funksion të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në konferencën për shtyp të organizuar në kuadër të përmbylljes së Javës së Administratës Publike, ministrja theksoi se reforma në administratën publike mbetet një nga shtyllat kryesore të procesit të integrimit evropian dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e institucioneve dhe zbatimin e reformave në të gjithë sektorët.

Ministrja Pirdeni u shpreh se vlerësimet e Komisionit Evropian konfirmojnë se Shqipëria ka ndërtuar një administratë publike me kapacitete të konsoliduara, e cila ka përballuar me sukses procesin e screening-ut dhe po mbështet avancimin e negociatave për kapitujt e anëtarësimit. Ajo kujtoi se më 26 maj, në Konferencën e Tetë Ndërqeveritare, Bashkimi Evropian përcaktoi piketat për përmbylljen e negociatave në kapitujt 23 dhe 24, si edhe për Reformën në Administratën Publike.

Ajo nënvizoi se administrata publike disponon tashmë një sistem të modernizuar të rekrutimit dhe zhvillimit të karrierës në shërbimin civil, ndërsa hapi i radhës është forcimi i mëtejshëm i sistemit për ta bërë atë më të hapur ndaj profesionistëve të rinj dhe më të aftë për të përballuar sfidat e negociatave dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Sipas saj, procesi i integrimit përfaqëson një mundësi për forcimin e institucioneve dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës. Në këtë kuadër, gjatë Javës së Administratës Publike një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe iniciativave në fushën e antikorrupsionit, si pjesë e përpjekjeve për rritjen e integritetit institucional dhe përmbushjen e standardeve evropiane.