Ministri Malaj prezanton treguesit financiarë për 2026: Rritje ekonomike dhe paga më të larta

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi në një konferencë për media treguesit financiarë dhe ekonomikë të gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, duke theksuar se ekonomia shqiptare vijon të ruajë ritme të qëndrueshme rritjeje, me rritje të të ardhurave buxhetore, ulje të papunësisë, paga më të larta dhe përmirësim të mëtejshëm të formalizimit të ekonomisë.

Sipas të dhënave të prezantuara, ekonomia shqiptare u rrit me 3.7% në tremujorin e parë të vitit, mbi mesataren e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor. Inflacioni mesatar u mbajt në nivelin 2.7%, brenda objektivit të Bankës së Shqipërisë, ndërsa papunësia zbriti në nivel rekord prej 8.4%.

Ministri Malaj bëri të ditur se të ardhurat buxhetore për periudhën janar-qershor arritën në 410.6 miliardë lekë, 12.2% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025. Ndërkohë, shpenzimet publike u rritën me 7.5%, ndërsa investimet kapitale me 10.2%, duke reflektuar ecurinë e projekteve publike.

Sipas ministrit, tregu i punës vijon të shënojë përmirësim, me pagën mesatare që arriti në 935 euro në tremujorin e parë të vitit, nga 831 euro një vit më parë. Rritje është regjistruar si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, ndërsa është zgjeruar edhe numri i punonjësve të deklaruar në fashat më të larta të pagave, si rezultat i formalizimit të ekonomisë.

Gjatë konferencës u bë e ditur gjithashtu se qarkullimi i bizneseve për gjashtëmujorin e parë të vitit 2026 u rrit me 7% krahasuar me një vit më parë, ndërsa numri i bizneseve aktive arriti në 148,270, me një rritje prej 6%. Investimet e huaja direkte vijuan trendin pozitiv, ndërsa kreditimi i ekonomisë u zgjerua me 11.1% në pesë muajt e parë të vitit, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ministri Malaj prezantoi edhe ecurinë e disa prej masave të Paketës Fiskale 2026. Procesi i rivlerësimit të pasurive të paluajtshme ka gjeneruar deri tani 5 miliardë lekë të ardhura, ndërsa skema e kompensimit 10% të TVSH-së në bujqësi ka regjistruar 2,397 aplikime nga fermerët. Po ashtu, përmes skemës DIVA janë rimbursuar 39,965 individë, në vlerën totale prej 597.8 milionë lekësh.

Gjatë konferencës, ministri theksoi gjithashtu se një nga prioritetet për vitin 2026 mbetet avancimi i procesit të integrimit evropian përmes përafrimit të plotë të legjislacionit tatimor dhe doganor me direktivat dhe kërkesat e Bashkimit Evropian. Sipas tij, harmonizimi i legjislacionit doganor pritet të përfundojë deri në muajin shtator, ndërsa ai i legjislacionit tatimor brenda vitit 2026, krahas avancimit të sistemeve dixhitale dhe përdorimit të inteligjencës artificiale në menaxhimin e riskut.