Ministri Nufi: Qeveria miraton shpërblime për zjarrfikësit dhe efektivët e angazhuar në zjarre, si dhe projektaktin për misionin në Gaza
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, njoftoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave se qeveria ka miratuar vendimin për shpërblimin e efektivëve të Forcave të Armatosura dhe të shërbimeve zjarrfikëse të angazhuara në përballimin e situatës së zjarreve në vend.
Sipas ministrit, vendimi autorizon njësitë e pushtetit vendor të japin shpërblime për shërbimet zjarrfikëse në varësi të tyre, ndërsa parashikon gjithashtu shpërblim për të gjithë efektivët e Forcave të Armatosura që morën pjesë në operacionet për shuarjen e zjarreve.
Ministri Nufi bëri të ditur se deri më tani janë shuar mbi 27 vatra masive zjarri në të gjithë vendin, në operacionet për të cilat janë angazhuar mbi 1380 efektivë, më shumë se 90 mjete dhe pesë helikopterë. Aktualisht, aktive mbetet vetëm vatra në Dajt, ku po operojnë mbi 120 efektivë dhe dy helikopterë. Ai e cilësoi shpërblimin si një vlerësim të merituar për punën dhe sakrificën e forcave të angazhuara në terren.
Një tjetër vendim i miratuar nga Këshilli i Ministrave ishte projektakti ligjor që do t’i dërgohet Kuvendit për miratim, lidhur me pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza.
Ministri bëri të ditur se, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit dhe Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, Shqipëria do të angazhohet fillimisht me katër oficerë shtabi. Pas dislokimit të tyre do të vlerësohet niveli i mëtejshëm i angazhimit të Forcave të Armatosura, përfshirë numrin e trupave dhe vendndodhjen e tyre në mision.