Rikualifikohet njësia e kimioterapisë në Korçë, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala: Pacientët nuk do të udhëtojnë më drejt Tiranës për çdo trajtim
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, vizitoi njësinë e rikualifikuar të kimioterapisë ditore në Spitalin Rajonal të Korçës, e rikonstruktuar dhe pajisur sipas standardeve bashkëkohore, duke mundësuar që rreth 300 pacientë të qarkut të marrin trajtimin kimioterapeutik pranë vendbanimit të tyre.
Ministrja Sala theksoi se decentralizimi i shërbimeve onkologjike është një nga drejtimet kryesore të transformimit të kujdesit ndaj pacientëve me sëmundje tumorale, me synim që shërbimi të shkojë pranë pacientit dhe të reduktohet nevoja për udhëtime të vazhdueshme drejt Tiranës.
Njësia e re është realizuar përmes bashkëpunimit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale me shoqatën amerikane “Albania Fighting Cancer”, duke krijuar një mjedis modern dhe të sigurt për administrimin e trajtimeve kimioterapeutike.
Korça është pjesë e një procesi më të gjerë të modernizimit të shërbimeve onkologjike në vend. Ministria po vijon ndërhyrjet në tetë pika të tjera rajonale të kimioterapisë, me objektiv garantimin e të njëjtave standarde të kujdesit për pacientët, pavarësisht vendbanimit të tyre.
Ky model do të mbështetet nga Rrjeti Kombëtar i Onkologjisë dhe Instituti Kombëtar i Tumoreve, të cilët synojnë të lidhin shërbimet rajonale me qendrën universitare dhe të garantojnë një koordinim më të mirë të diagnostikimit, trajtimit dhe ndjekjes së pacientëve.
“Ne po ndërtojmë një sistem ku nuk ka rëndësi nëse pacienti jeton në Korçë, Shkodër, Vlorë apo Tiranë. Standardi i kujdesit duhet të jetë i njëjtë”, u shpreh ministrja Sala, duke nënvizuar se pacienti do të jetë në qendër të modelit të ri të integruar të kujdesit onkologjik.
Paralelisht, Spitali Rajonal i Korçës po fuqizon edhe kapacitetet diagnostikuese përmes teknologjive moderne në radiologji dhe instalimit të sistemit RIS/PACS, i cili do të mundësojë menaxhim më efikas të informacionit radiologjik dhe diagnostikim më të shpejtë e të koordinuar.
Investimet në Korçë dhe në pikat e tjera rajonale janë pjesë e synimit për kalimin nga një kujdes onkologjik i përqendruar në një rrjet kombëtar të integruar, ku infrastruktura, teknologjia dhe ekspertiza bashkohen për të garantuar trajtim cilësor dhe sa më pranë pacientit.