Situata e zjarreve në vend, 9 vatra aktive, Ministri Nufi: Mbi 450 forca në terren, prioritet mbrojtja e jetës dhe banesave.
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, bëri të ditur se deri në orën 14:00 të datës 12 gusht, në territorin e vendit mbeten aktive 9 vatra zjarri në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Gjirokastër, Dibër dhe Korçë, ndërsa vijon me intensitet angazhimi i koordinuar i të gjitha strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Në tërësi, mbi 450 forca rezultojnë të angazhuara në vatrat ku raportohen shifra të plota të personelit, ndërsa operacionet nga ajri mbështeten nga 3 helikopterë të Forcës Ajrore dhe 2 avionë “Air Tractor”. Në operacione janë përfshirë efektivë të Forcave të Armatosura, strukturat e MZSH-së, Policia e Shtetit, ADZM, AKMC, shërbimet pyjore, strukturat vendore dhe vullnetarët.
Një nga operacionet me angazhimin më të madh po zhvillohet në Gurë-Lurë, Dibër, ku mbi 220 forca po punojnë për kufizimin dhe shuarjen e zjarrit, të mbështetura nga ajri nga 2 avionë “Air Tractor”. Forcat zjarrfikëse janë pozicionuar edhe pranë banesave që mund të ekspozohen ndaj flakëve.
Në Dajt vijon ndërhyrja mbi tunelet e Qafë-Mollës, me forca tokësore dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore, ndërsa në Priskë të Madhe po operojnë 15 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse. Në Krujë, operacioni vijon në lagjet Abaze dhe Bojë, ku një helikopter i Forcave të Armatosura po ndërhyn nga ajri me fokus mbrojtjen e banesave.
Ndërhyrjet vijojnë gjithashtu në Drenie të Patosit, në malin e Nëmerçkës dhe Malin Dhëmbel në Përmet, ndërsa vatra në Malin e Moravës, në Devoll, është izoluar dhe po mbahet nën monitorim. Në pjesën më të madhe të këtyre zonave nuk raportohet rrezik për banesat.
Ministri Nufi theksoi se prioritet mbetet mbrojtja e jetës dhe banesave, izolimi dhe neutralizimi i vatrave aktive, si dhe vijimi i operacioneve deri në normalizimin e plotë të situatës.