Ministria e Mbrojtjes: Përmirësohet situata e zjarreve në vend, 4 vatra aktive dhe 1 nën monitorim

Ministria e Mbrojtjes njofton se situata e zjarreve në vend paraqitet në përmirësim, ndërsa gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 25 vatra zjarri, nga të cilat katër mbeten aktive dhe një është nën monitorim.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar 350 forca operacionale dhe 26 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 140 efektivë, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.

Vatrat aktive ndodhen në Dajt dhe Priskë në Tiranë, Lufaj në Mirditë dhe Tërbun në Pukë. Në Dajt, operacioni vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 zjarrfikës dhe pesë forca të Agjencisë së Zonave të Mbrojtura, ndërsa nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në Tërbun të Pukës vijon ndërhyrja e strukturave vendore, vullnetarëve dhe Forcave të Armatosura, me mbështetjen e dy helikopterëve. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat. Ndërkohë, vatrat në Gurë-Lurë, Bruç të Matit, Tharr të Mirditës dhe Selenicë janë shuar plotësisht. Në Qafë Helmes situata mbetet nën monitorim dhe vijon puna e forcave lokale.

Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë operacionet dhe monitorimin në terren për izolimin e plotë të vatrave aktive dhe mbrojtjen e zonave të banuara.