Mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar në aktivitetin në Pustec, MEPJ: Respektimi i simboleve kombëtare, pjesë e etikës institucionale dhe fqinjësisë së mirë
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shprehu keqardhje për mospërfshirjen e Himnit Kombëtar Shqiptar në një aktivitet kulturor të zhvilluar në Pustec, ku, në prani të Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe Kryetarit të Bashkisë, u luajt vetëm himni i Maqedonisë së Veriut.
Pavarësisht se aktiviteti ishte organizuar nga një shoqatë lokale, pjesëmarrja e përfaqësuesve të lartë institucionalë dhe të zgjedhurve vendorë i jepte atij një dimension të veçantë publik. Në këtë kontekst, mospërfshirja e Himnit Kombëtar Shqiptar u cilësua si një mungesë serioze dhe shmangie nga rregullat e mirësjelljes dhe protokollit, të cilat kërkojnë respektimin e simboleve kombëtare krahas atyre të komuniteteve që ato përfaqësojnë.
Sipas MEPJ-së, respektimi i simboleve kombëtare nuk është çështje politike apo interpretimi, por pjesë e etikës institucionale, protokollit dhe respektit të ndërsjellë, veçanërisht në hapësira ku bashkëjetojnë komunitete dhe identitete të ndryshme.
Ministria nënvizoi se në Pustec, ashtu si në çdo pjesë të territorit të Republikës së Shqipërisë, respekti për simbolet kombëtare lidhet drejtpërdrejt me respektin për qytetarët, vlerat e bashkëjetesës demokratike dhe kulturën qytetare. Ai përbën gjithashtu një themel të fqinjësisë së mirë dhe të marrëdhënieve të shëndosha ndërmjet qytetarëve dhe shteteve.