Hapet thirrja për 300 kredi me 0% interes për punonjësit e administratës publike

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se më 27 gusht hapet thirrja për aplikime për 300 kredi banese me 0% interes për punonjësit e administratës publike. Aplikimet do të kryhen online përmes platformës e-Albania dhe do të qëndrojnë të hapura deri më 25 shtator 2026. Për të përfituar nga skema, aplikanti duhet të jetë i punësuar në administratën publike, sipas përcaktimeve të ligjit “Për strehimin social” dhe të mos ketë banesë në pronësi ose në proces legalizimi, përveç rasteve kur banesa ekzistuese është nën normat e strehimit. Ndër kriteret e tjera përfshihen moszotërimi i pasurive të paluajtshme apo të luajtshme me vlerë mbi gjysmën e vlerës së banesës që synohet të blihet përmes kredisë së lehtësuar, si dhe mospërfitimi nga programe të tjera të strehimit social. Programi parashikon financimin e blerjes së banesës sipas çmimit të referencës, ndërsa sipërfaqja përcaktohet në përputhje me certifikatën familjare. Kuotat ndahen ndërmjet pesë institucioneve dhe strukturave të administratës publike. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Punëve të Brendshme kanë nga 70 kuota secila, ndërsa për Policinë e Burgjeve/Ministrinë e Drejtësisë janë parashikuar 20 kuota. Dokumentacioni i nevojshëm, procedura e aplikimit dhe kriteret e plota të përfitimit përcaktohen në udhëzuesin e thirrjes.