Policisë së Shtetit i shtohen 389 të rinj e të reja, Lamallari: Nga një polici që reagon, drejt një policie që parandalon
Policisë së Shtetit i shtohen 389 punonjës të rinj, të cilët përfunduan kursin për Patrullë të Përgjithshme në Akademinë e Sigurisë. Në ceremoninë e certifikimit, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, theksoi se përfundimi i formimit policor shënon nisjen e një misioni të ri në shërbim të qytetarëve dhe sigurisë së vendit.
“389 të rinj e të reja të këtij kursi kanë tashmë jo vetëm njohuritë profesionale, por janë të përgatitur për realitetin e një prej profesioneve më të vështira dhe më fisnike në shërbim të vendit”, u shpreh Lamallari.
Duke iu drejtuar punonjësve të rinj, ministri nënvizoi se uniforma e Policisë së Shtetit duhet të përfaqësojë besim, përgjegjësi dhe integritet, ndërsa autoriteti i saj duhet të ushtrohet gjithmonë në shërbim të qytetarit.
“Uniforma e Policisë së Shtetit nuk ju jep privilegje, por vetëm përgjegjësi. Mos e bëni pis uniformën, mos e tradhtoni besimin e qytetarit dhe mos harroni kurrë se integriteti është arma juaj më e fuqishme”, tha Lamallari.
Ministri u ndal edhe te transformimi i Policisë së Shtetit, duke theksuar se modernizimi nuk lidhet vetëm me investimet në teknologji dhe pajisje, por para së gjithash me formimin profesional dhe ndryshimin e qasjes ndaj sigurisë publike.
Sipas tij, objektivi është kalimi nga një polici që ndërhyn pasi ka ndodhur një problem, drejt një policie që është e pranishme në komunitet dhe punon për parandalimin e tij.
“Është e domosdoshme që ne të ndryshojmë mendësinë si qasemi, nga një polici që thjesht reagon drejt një policie që parandalon. Nga një polici që shihet vetëm kur ndodh një problem, drejt një policie që është e pranishme çdo ditë pranë qytetarit dhe gjithnjë e më shumë qaset si shërbim, jo thjesht si forcë”, deklaroi Lamallari.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, ministri theksoi se transformimi i vendit duhet të shoqërohet me rritjen e standardeve profesionale të Policisë së Shtetit, duke synuar një forcë moderne, profesionale dhe njerëzore, të aftë të parandalojë krimin, ta godasë atë dhe t’i shërbejë qytetarit.
Në përfundim, Lamallari u kërkoi punonjësve të rinj të jenë “të fortë përballë krimit, të drejtë përballë ligjit dhe njerëzorë përballë qytetarit”, duke e cilësuar Policinë si “fytyrën më të afërt të shtetit” për qytetarët.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u kërkoi gjithashtu punonjësve të rinj që gjatë ushtrimit të detyrës të udhëhiqen nga tri parime themelore: respektimi i ligjit, shërbimi ndaj qytetarëve dhe nderimi i amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.
“Busulla juaj në këtë mision duhet të ketë vetëm tri drejtime: në drejtim të ligjit, në shërbim të qytetarëve dhe në përmbushjen e amanetit të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit”, u shpreh Hita.