“Shteti shkon pranë qytetarit”, Ministri Hoxha: Prani Diplomatike Virtuale dhe shërbime konsullore kudo e në çdo kohë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, prezantoi risitë për modernizimin e shërbimeve konsullore, me fokus rritjen e cilësisë, shpejtësisë dhe aksesit për shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, ministri bëri të ditur se gjatë periudhës 2017-2026 janë administruar 1 milion e 378 mijë shërbime konsullore. Gjithashtu, nga viti 2019 deri në qershor 2026 janë administruar 4 milionë e 300 mijë legalizime, ndërsa që prej vitit 2021 janë regjistruar mbi 203 mijë aplikime për e-Visa.
Një nga risitë është krijimi i Asistentit Virtual, i cili do të jetë në dispozicion në çdo kohë dhe nga kudo, për t’iu përgjigjur pyetjeve dhe për t’i orientuar qytetarët drejt shërbimit të nevojshëm.
Ministri Hoxha bëri të ditur gjithashtu se në çdo shërbim konsullor do të vendoset një kod QR, përmes të cilit qytetarët do të mund të vlerësojnë cilësinë e shërbimit dhe të paraqesin ankesat e tyre.
“Qytetari nuk duhet të jetë vetëm përfitues i shërbimit, por edhe vlerësues i tij. Duam të dimë si po punojmë dhe si mund të përmirësohemi”, u shpreh ministri.
Një tjetër zhvillim është ngritja e Pranisë Diplomatike Virtuale, e konceptuar si një pikë e vetme digjitale për informacion dhe shërbime konsullore, veçanërisht për qytetarët që ndodhen në vende ku Shqipëria nuk ka përfaqësim fizik.
“Duam të kalojmë nga praktika ku qytetari shkon te shteti, tek ajo ku shteti shkon dhe është gjithnjë pranë qytetarit”, theksoi Hoxha.
Aktualisht ofrohen online 32 shërbime konsullore, 22 prej të cilave nuk kërkojnë domosdoshmërisht praninë fizike të qytetarit. Aty ku natyra e shërbimit e lejon, dokumentet mund të dërgohen edhe përmes postës.