Ministri Blendi Gonxhja: Muzeu Hebraik dhe Klubi “Labëria” janë dy godina të ndryshme, Muzeu Etnografik do të restaurohet dhe rijetëzohet

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, sqaroi se Muzeu Hebraik në Vlorë nuk po ndërtohet në godinën historike të Klubit Patriotik “Labëria”, ndërsa Muzeu Etnografik nuk do të tjetërsohet, nuk do të ndryshojë destinacion dhe nuk do t’i hiqet Bashkisë së Vlorës.

Duke iu përgjigjur diskutimeve të ngritura gjatë ditëve të fundit, ministri theksoi se ka një ndryshim të madh ndërmjet mbrojtjes së historisë dhe përdorimit të saj për të prodhuar frikë, ndasi dhe dezinformim.

Sipas Gonxhes, pretendimet se Muzeu Hebraik po ngrihet në godinën e Klubit Patriotik “Labëria” nuk mbështeten në fakte. Dokumentacioni zyrtar dëshmon se bëhet fjalë për dy godina të ndryshme, dy pasuri kulturore të regjistruara veçmas dhe dy projekte të pavarura.

Godina ku ndodhet Muzeu Etnografik i Vlorës është monument kulture dhe mban zyrtarisht emërtimin “Banesa ku në vitin 1908 u ngrit Klubi Patriotik ‘Labëria’”. Ndërkohë, Muzeu Hebraik po realizohet në një tjetër godinë, gjithashtu monument kulture, të regjistruar me emërtimin “Banesa pranë Klubit Labëria”.

Ministri bëri të ditur se këto të dhëna nuk po publikohen për herë të parë si reagim ndaj pretendimeve të fundit, por janë fakte të dokumentuara, të komunikuara dhe të bëra publike prej kohësh.

Më 13 mars 2024, gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Vlorës, ku u diskutua projekti i Muzeut Hebraik, kjo çështje u ngrit dhe u sqarua shprehimisht. Në procesverbalin zyrtar të mbledhjes evidentohet qartë se Muzeu Etnografik nuk do të preket, se ndërhyrja i përket banesës ngjitur dhe se “vetë Klubi Labëria nuk do të preket”.

Sipas ministrit Gonxhja, sqarimi është bërë publik institucionalisht më shumë se dy vjet më parë, pikërisht në Këshillin Bashkiak të Vlorës. Dokumentet dhe faktet kanë qenë të aksesueshme, ndërsa dallimi ndërmjet dy godinave ka qenë i qartë që gjatë procesit të vendimmarrjes.

Ai nënvizoi se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me dy versione të së njëjtës histori, por me fakte të dokumentuara dhe publike prej kohësh, përballë një përpjekjeje për t’i shtrembëruar ato dhe për të krijuar një panoramë të pasaktë mbi projektin.

Gonxhja sqaroi gjithashtu se godina historike e Klubit Patriotik “Labëria” jo vetëm që nuk do të preket, por do t’i nënshtrohet restaurimit dhe rijetëzimit.

Bordi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, ka miratuar fondin për hartimin e projektit të plotë të restaurimit dhe muzealizimit të Muzeut Etnografik të Vlorës. Projekti do të ruajë historinë dhe simbolikën patriotike të godinës, do të restaurojë monumentin e kulturës dhe do ta rijetëzojë muzeun sipas standardeve bashkëkohore.

Ministri theksoi se faktet janë të qarta: Muzeu Etnografik nuk po tjetërsohet, nuk po ndryshon destinacion dhe nuk po i hiqet Bashkisë së Vlorës.

Muzeu Etnografik do të vijojë të qëndrojë në godinën historike të Klubit Patriotik “Labëria”, në një hapësirë të restauruar dhe me një koncept të ri muzeal, duke ruajtur dhe përcjellë historinë, trashëgiminë dhe simbolikën e tij të çmuar.

Ndërkohë, Muzeu Hebraik po realizohet në godinën pranë tij. Së bashku, dy muzetë pritet të krijojnë një pol të ri muzeal dhe kulturor në zemër të Qendrës Historike të Vlorës, duke pasuruar ofertën shpirtërore të qytetit, fuqizuar kujtesën dhe identitetin e tij, si dhe duke i dhënë një shtysë të re zhvillimit turistik, kulturor dhe ekonomik të të gjithë komunitetit.