Ministri Nufi: 39 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 25 janë shuar plotësisht
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, informoi mbi situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, duke bërë të ditur se janë raportuar 39 vatra, prej të cilave 25 janë shuar plotësisht, 11 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, si dhe 340 efektivë të Forcave të Armatosura, 4 automjete zjarrfikëse të FA-së, helikopterët e Forcës Ajrore, të cilët kanë kryer 6 operacione, dhe një avion Air Tractor.
Ministri Nufi bëri të ditur se gjatë ditës së sotme parashikohet angazhimi i 380 efektivëve të Forcave të Armatosura, dy helikopterëve dhe një avioni Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive ndodhen në qarqet Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.
Në Dajt puna vijon pa rrezik për zonat e banuara, ndërsa në Qinam të Zall-Herrit është shmangur rreziku për banesat. Në Dibër mbeten aktive vatrat në Vajkal, Lundre-Madhesh dhe Mallunxë–Lis, pa rrezik për zonat e banuara.
Në Lezhë vijojnë të jenë aktive vatrat në Gallatë dhe në zonën Kalivaç-Zimaj-Kashnjet, ku është shmangur rreziku për banesat.
Situata më e rëndësishme gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar në Fier dhe Himarë. Në zonën Drizë–Vadhizë-Peshtan-Levan, falë ndërhyrjes së forcave tokësore dhe ajrore, është shmangur rreziku për banesat, ndërsa operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit vijon.
Në lagjen “1 Maji” në Himarë u angazhuan rreth 300 forca operacionale dhe 171 efektivë të Forcave të Armatosura. Nga zona u evakuuan 36 persona, ndërsa u dogjën 6 banesa, prej të cilave 3 të banuara. Zjarri ka ulur intensitetin, rreziku për banesat është shmangur dhe puna për shuarjen e plotë vijon.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po e ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Ministri Nufi theksoi se kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë kudo ku situata e kërkon, me përparësi mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.