Bursa Bujqësore, më shumë transparencë dhe alternativa për fermerët në shitjen e prodhimit

Fermerët do të kenë mundësi të shohin dhe krahasojnë ofertat e blerësve për produktet e tyre përmes Bursës Bujqësore, një mekanizëm i ri që synon të rrisë transparencën dhe konkurrencën në treg, si dhe fuqinë e tyre negociuese në shitjen e prodhimit.

Nismën për ngritjen e Bursës Bujqësore e prezantoi Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, sipas të cilit mekanizmi do të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë mes fermerëve dhe kërkesës në treg.

Përmes Bursës Bujqësore, blerësit me shumicë do të mund të deklarojnë produktin që kërkojnë, sasinë, cilësinë dhe çmimin që janë të gatshëm të ofrojnë, ndërsa fermerët do të mund të krahasojnë ofertat dhe të zgjedhin alternativën më të favorshme. Ky informacion do të jetë i aksesueshëm çdo ditë, duke i lidhur fermerët drejtpërdrejt me kërkesën reale të tregut.

Sipas ministrit, ngritja e Bursës Bujqësore synon t’i përgjigjet edhe një prej shqetësimeve të ngritura nga fermerët, që lidhet me çmimin e shitjes së prodhimit të tyre.