Inteligjenca artificiale në prokurimet publike, ministrja Ibrahimaj: Synojmë përfshirjen e saj brenda vjeshtës së ardhshme
Inteligjenca artificiale synohet të përfshihet në proceset e prokurimit publik brenda vjeshtës së vitit të ardhshëm, me qëllim automatizimin e proceseve, uljen e kostove dhe rritjen e transparencës dhe cilësisë së shërbimeve publike.
Objektivin e bëri të ditur Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP) dhe Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën. Në ceremoninë e zhvilluar në Tiranë mori pjesë edhe Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Ingrid Macdonald.
Marrëveshja “Prokurojmë së bashku për Shqipërinë Evropiane”, e nënshkruar nga administratori i OBP-së, Jonaid Myzyri, dhe drejtorja e Zyrës së UNOPS për Shqipërinë dhe Kosovën, Sabine Kania, parashikon mbështetje teknike nga UNOPS për një periudhë gjashtëmujore.
Bashkëpunimi do të fokusohet në forcimin e kapaciteteve institucionale të OBP-së, përmirësimin e mekanizmave të brendshëm dhe përafrimin e praktikave të prokurimit me standardet ndërkombëtare. Ai synon gjithashtu zhvillimin e blerjeve strategjike dhe përdorimin më të gjerë të teknologjisë dhe zgjidhjeve inovative në prokurimin publik.
Ministrja theksoi se përdorimi i teknologjisë dhe digjitalizimi janë pjesë e transformimit të mëtejshëm të sistemit të prokurimit publik, veçanërisht në drejtim të rritjes së transparencës dhe parandalimit të korrupsionit. Ajo vlerësoi progresin e bërë në këtë fushë dhe nënvizoi rëndësinë e vijimit të reformave, si dhe të partneriteteve ndërkombëtare për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e standardeve të administratës publike.