Paketa e re e strehimit, ministrja Ibrahimaj: 7 mijë familje dhe çifte do të mbështeten me kredi të buta dhe subvencionim të qirasë

Paketa e re e strehimit do të mbështesë 7 mijë familje dhe çifte përmes kredive të buta dhe subvencionimit të qirasë, duke e zgjeruar mbështetjen për strehim përtej shtresave në nevojë, edhe te të rinjtë dhe profesionistët.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur se kuadri i ri ligjor është në proces hartimi dhe synon një reformim më të gjerë të politikave të strehimit në vend.

Sipas ministres, programi do të përfshijë 4 mijë kredi të buta për çiftet e reja, prej të cilave 2 mijë me interes 0% dhe 2 mijë me normë interesi 3%, si dhe subvencionimin në masën 50% të qirasë për 3 mijë familje dhe çifte. Nga skema e subvencionimit të qirasë, krahas shtresave në nevojë, do të mund të përfitojnë edhe familjet dhe profesionistët e rinj, përfshirë ata që zgjedhin të kthehen dhe të jetojnë në vendbanimet e tyre pas përfundimit të studimeve.

Diferenca e normave të interesit do të mbulohet përmes Fondit Kombëtar të Strehimit, një mekanizëm i ri që do të përfshijë të ardhurat nga kontributi 3% i zhvilluesve dhe ndërtuesve, fondet e buxhetit të shtetit për strehimin dhe financime nga institucionet financiare ndërkombëtare.

Reforma parashikon edhe ndërtimin e blloqeve të banimit sipas modelit “30-40-30”. Sipas këtij modeli, 30% e banesave do të jenë për strehim social dhe shtresat në nevojë, 40% për strehim të përballueshëm për familjet dhe individët e shtresës së mesme, ndërsa 30% do të shiten në tregun e lirë.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se mbështetja për shtresat në nevojë do të vijojë. Që prej miratimit të ligjit për strehimin në vitin 2018, rreth 31 mijë familje kanë përfituar nga programet e mbështetjes, përfshirë subvencionimin e qirasë, kreditë e buta dhe ndërhyrjet për përmirësimin e kushteve të banimit.

Vetëm gjatë këtij viti janë shpallur 300 kredi me interes 0% për punonjësit e administratës publike, ndërsa programi për përmirësimin e kushteve të banimit do të mbështesë 678 familje në 26 bashki.