Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 11 Shtator 2026
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR KOMUNIKIMIN ME MJETE ELEKTRONIKE NË PROCEDURAT KONKURRUESE TË KONCESIONIT/PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 32, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Publikimi i dokumenteve të procedurave konkurruese të koncesionit dhe dorëzimi i ofertave të operatorëve për këto procedura do të zhvillohen me mjete elektronike.
2. Përjashtimisht nga pika 1, e këtij vendimi, në procedurat konkurruese të koncesionit me faza, komunikimet dhe shkëmbimi i informacionit ndërmjet autoritetit ose entit kontraktues dhe operatorëve ekonomikë, në fazat që vijojnë pas dorëzimit të ofertave, zhvillohen në formë shkresore, në përputhje me mjetet e komunikimit, të parashikuara në pikën 1, të nenit 32, të ligjit nr.88/2025.
3. Për procedurat e dhënies së kontratave të partneritetit publik privat, për sa i takon komunikimit dhe shkëmbimit të informacionit, zbatohen rregullat e legjislacionit në fuqi për prokurimin publik, në përputhje me nenin 50, të ligjit nr.88/2025.
4. Vendimi nr.130, datë 12.3.2014, i Këshillit të Ministrave, “Për kryerjen në mënyrë elektronike të procedurave konkurruese të koncesionit dhe partneritetit publik privat”, shfuqizohet.
5. Ngarkohen të gjitha autoritetet dhe entet kontraktore për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.38, DATË 21.1.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR HAPJEN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND EDHE PËR KANDIDATË TË TJERË JASHTË SHËRBIMIT CIVIL DHE PËR PËRDORIMIN E PROCEDURËS SË PRANIMIT TË DREJTPËRDREJTË NË TND, PËR VITIN 2026”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 27, pika 5, e 29, pika 1, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, si dhe në vijim të pikave 2, 3 e 4, të kreut V, të vendimit nr.118, datë 5.3.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për procedurat e emërimit, menaxhimit dhe përfundimit të marrëdhënies në shërbimin civil të nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të anëtarëve të TND-së”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 3, të vendimit nr.38, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për hapjen e procedurës së pranimit të drejtpërdrejtë në TND edhe për kandidatë të tjerë jashtë shërbimit civil dhe për përdorimin e procedurës së pranimit të drejtpërdrejtë në TND, për vitin 2026”, togfjalëshi “… është 11 (njëmbëdhjetë) …” zëvendësohet me “… është 15 (pesëmbëdhjetë) …”.
2. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.39, DATË 21.1.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PLANIN VJETOR TË PRANIMIT, PËR VITIN 2026, NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, PJESË TË SHËRBIMIT CIVIL”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.39, datë 21.1.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për planin vjetor të pranimit, për vitin 2026, në institucionet e administratës shtetërore, pjesë të shërbimit civil”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:
a) Në paragrafin e parë, togfjalëshi “… gjithsej, 1067 (një mijë e gjashtëdhjetë e shtatë) … zëvendësohet me “… gjithsej, 1071 (një mijë e shtatëdhjetë e një) …”;
b) Në shkronjën “a”, shifra 11 bëhet 15.
2. Ngarkohet Departamenti i Administratës Publike, në cilësinë e njësisë përgjegjëse, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.480, DATË 26.6.2026, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PËRDORIMIN E FONDIT TË RINDËRTIMIT PËR FINANCIMIN E RIFORCIMIT TË NJËSIVE TË BANIMIT NË NDËRTESA (PALLAT), NË BASHKITË KRUJË E KURBIN, DHE CAKTIMIN E BASHKIVE KRUJË E KURBIN SI NJËSI ZBATUESE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nënndarjeve “i” e “iii”, të shkronjës “b”, të nenit 13, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, dhe të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.480, datë 26.6.2026, të Këshillit të Ministrave “Për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e riforcimit të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), në bashkitë Krujë e Kurbin, dhe caktimin e bashkive Krujë e Kurbin si njësi zbatuese”, bëhen këto ndryshime:
a) Në paragrafin e parë, vlera “… 300 618 237, 34 (treqind milionë e gjashtëqind e tetëmbëdhjetë mijë e dyqind e tridhjetë e shtatë presje tridhjetë e katër) lekë …” zëvendësohet me “… 267 872 232, 84 (dyqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e shtatëdhjetë e dy mijë e dyqind e tridhjetë e dy presje tetëdhjetë e katër) lekë …”;
b) Në shkronjën “a”, vlera “… 196 476 027 (njëqind e nëntëdhjetë e gjashtë milionë e katërqind e shtatëdhjetë e gjashtë mijë e njëzet e shtatë) lekë …” zëvendësohet me “… 163 730 022,50 (njëqind e gjashtëdhjetë e tre milionë e shtatëqind e tridhjetë mijë e njëzet e dy presje pesëdhjetë) lekë …”.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave dhe Bashkia Krujë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.833, DATË 20.11.2019, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I RRUGËS SHKODËR–VELIPOJË (SEGMENTI, HARKU I BËRDICËS–BAKS)”, SHKODËR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.833, datë 20.11.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i rrugës Shkodër-Velipojë (Segmenti, harku i Bërdicës–Baks)”, Shkodër”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikën 3, vlera “…18 852 893 (tetëmbëdhjetë milionë e tetëqind e pesëdhjetë e dy mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e tre) lekë …” zëvendësohet me vlerën “… 19 580 624 (nëntëmbëdhjetë milionë e pesëqind e tetëdhjetë e mijë e gjashtëqind e njëzet e katër) lekë …”;
b) Tabelës bashkëlidhur vendimit i shtohet tabela, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vlera prej 727 731 (shtatëqind e njëzet e shtatë mijë e shtatëqind e tridhjetë e një) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
4. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
5. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Bashkia Shkodër.
6. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Bashkia Shkodër, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Shkodër, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Shkodër për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR PAVLEFSHMËRINË E KONTRATAVE TË KONCESIONEVE DHE PARTNERITETIT PUBLIK PRIVAT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 72, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Komisioni i Prokurimit Publik është organi kompetent për shqyrtimin e ankesave për pavlefshmërinë e kontratave të koncesionit dhe partneritetit publik privat.
2. Operatorët ekonomikë kanë të drejtë të paraqesin ankesë për shqyrtimin e pavlefshmërisë së kontratës te Komisioni i Prokurimit Publik. Në çdo rast, kjo ankesë duhet të paraqitet brenda 6 (gjashtë) muajve nga e nesërmja e datës së lidhjes së kontratës.
3. Komisioni i Prokurimit Publik, me marrjen e ankesës, me vendim të ndërmjetëm, vendos pezullimin e menjëhershëm të zbatimit të kontratës deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Komisioni i Prokurimit Publik mund të lejojë autoritetin ose entin kontraktor të vazhdojë zbatimin e kontratës, nëse pezullimi mund të cenojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm.
4. Komisioni i Prokurimit Publik mund të shpallë një kontratë absolutisht të pavlefshme, kur konstaton ekzistencën e kushteve të përcaktuara në pikën 1, të nenit 72, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
5. Nëse pas shqyrtimit të të gjitha aspekteve përkatëse, Komisioni i Prokurimit Publik çmon se shpallja e pavlefshmërisë absolute të kontratës mund të cenojë çështjet thelbësore të interesit të përgjithshëm, vendos të mos e shpallë kontratën absolutisht të pavlefshme.
Për mosshpalljen absolutisht të pavlefshme të kontratës nuk konsiderohen çështje thelbësore të interesit të përgjithshëm interesat ekonomikë, të lidhur drejtpërdrejt me kontratën në fjalë, si:
a) kostot për shkak të vonesave në zbatimin e kontratës;
b) kostot për shkak të shpalljes së një procedure të re koncesioni apo partneriteti publik privat;
c) kostot për shkak të ndryshimit të operatorit ekonomik, që do të zbatojë kontratën;
ç) kostot për shkak të detyrimeve ligjore si pasojë e pavlefshmërisë.
6. Në përfundim të shqyrtimit të ankesës, në rastin kur nuk shpallet pavlefshmëria e kontratës, Komisioni i Prokurimit Publik vendos:
a) të shkurtojë afatin e zbatimit të kontratës;
b) dënimin me gjobë të autoritetit ose entit kontraktor për shkeljet e konstatuara, sipas këtij vendimi.
7. Gjoba vendoset në raport me vlerën e kontratës së nënshkruar, por, në çdo rast, jo më shumë se 10% e kësaj vlere.
8. Në vendosjen e masës së gjobës, Komisioni i Prokurimit Publik duhet të marrë në konsideratë disa elemente, si:
a) rrethanat në të cilat është kryer shkelja;
b) rëndësinë e shkeljes së kryer;
c) pasojat që kanë ardhur;
ç) proporcionalitetin midis dëmit të shkaktuar dhe masës së gjobës;
d) vlerën e përllogaritur të kontratës;
dh) parimet e koncesionit dhe partneritetit publik privat që janë shkelur;
e) përsëritjen e shkeljeve në raste të tjera.
9. Komisioni i Prokurimit Publik në vendim përcakton edhe afatin, brenda të cilit ky vendim duhet zbatuar.
10. Palët kanë të drejtë të ankimojnë vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik në gjykatën përkatëse, që shqyrton mosmarrëveshjet administrative, sipas përcaktimit në nenin 66, të ligjit nr.88/2025, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
11. Ngarkohet Komisioni i Prokurimit Publik për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi me hyrjen në fuqi të ligjit nr.88/2025, “Për koncensionet dhe partneritetin publik privat”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË MJEDISIT TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE DHE PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.572, DATË 18.9.2024, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË MJEDISIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mjedisit të disa pronave të paluajtshme shtetërore, sipas formularëve 10 (dhjetë) fletë, planrilevimeve 10 (dhjetë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit të pronave, bashkëlidhur vendimit nr.572, datë 18.9.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mjedisit”, të ndryshuar.
3. Paragrafi i dytë, i pikës 1, të vendimit nr.572, datë 18.9.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mjedisit”, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“Lista përbëhet, gjithsej, nga 59 (pesëdhjetë e nëntë) fletë formulari, 61 (gjashtëdhjetë e një) planrilevime, 6 (gjashtë) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
4. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS DHE SPORTIT TË DISA PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE DHE PËR DISA SHTESA E NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.715, DATË 13.12.2023, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS DHE SPORTIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 8, pika 3, dhe 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të disa pronave të paluajtshme shtetërore, sipas formularëve, 13 (trembëdhjetë) fletë dhe planrilevimeve 13 (trembëdhjetë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Pronat e përcaktuara në pikën 1, të këtij vendimi, i shtohen listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.715, datë 13.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit”, të ndryshuar.
3. Në vendimin nr.715, datë 13.12.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Paragrafi i dytë i pikës 1 ndyshohet, si më poshtë vijon:
“Lista përbëhet gjithsej nga 55 (pesëdhjetë e pesë) fletë formulari, 64 (gjashtëdhjetë e katër) planrilevime, 13 (trembëdhjetë) planimetri dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi.”.
b) Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“2. Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit i ndalohet të ndryshojë destinacionin e përdorimit të pronave të përcaktuara në pikën 1 të këtij vendimi apo t’i tjetërsojë ato.”.
4. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RREGULLORES SË SISTEMIT TË MBIKËQYRJES SË KUFIRIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 27, të ligjit nr.39/2025, “Për kontrollin e kufirit shtetëror”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e rregullores së sistemit të mbikëqyrjes së kufirit, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe institucionet e përcaktuara në rregulloren e sistemit të mbikëqyrjes së kufirit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet financiare nga data 1 janar 2027.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURISË SË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKET NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I UJËSJELLËSIT ÇUKË-BËRBËNESH”, BASHKIA SARANDË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Ujësjellësit Çukë – Bërbënesh”, Bashkia Sarandë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
3. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasurinë e llojit “kullotë”, me një vlerë të përgjithshme prej 283 200 (dyqind e tetëdhjetë e tre mijë e dyqind) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit, prej 283 200 (dyqind e tetëdhjetë e tre mijë e dyqind) lekësh, përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
8. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim, për pasurinë, pronë private, që shpronësohet me anë të këtij vendimi, masa e shpërblimit do të vendoset në një llogari të posaçme bankare dhe do t’i vendoset në dispozicion personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës, në përputhje me pikën 2, të nenit 16, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Sarandë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasurinë që shpronësohet, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasurinë e shpronësuar deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasurinë që shpronësohet, sipas këtij vendimi, në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve.
13. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Sarandë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Vlorë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I KANALIT TË UJËRAVE TË LARTA, LOTI 1”, BASHKIA VLORË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i kanalit të ujërave të larta, loti 1”, Bashkia Vlorë.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Vlorë.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, përfshirë dhe sipërfaqe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 11 105 855 (njëmbëdhjetë milionë e njëqind e pesë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 11 105 855 (njëmbëdhjetë milionë e njëqind e pesë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Bashkisë Vlorë.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Vlorë.
8. Bashkia Vlorë kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Bashkia Vlorë.
10. Bashkia Vlorë, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
11. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Vlorë për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
12. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Vlorë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Vlorë, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.1058, DATË 16.7.2008, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E LISTËS SË INVENTARIT TË PRONAVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE, TË CILAT I KALOJNË NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI KËSHILLIT TË MINISTRAVE, PËR DREJTORINË E SHËRBIMEVE QEVERITARE”, TË NDRYSHUAR, DHE PËR DISA NDRYSHIME NË DISA VENDIME TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në listën e inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, bashkëlidhur vendimit nr.1058, datë 16.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Këshillit të Ministrave, për Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare”, të ndryshuar, shtohen pronat, sipas formularit të inventarizimit, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.20, datë 16.1.2019, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të pasurisë me nr.1/56, zona kadastrale 8150, Tiranë”, nr.525, datë 7.9.2023, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Departamenti i Administratës Publike dhe Komisioni i Prokurimit Publik te Ministria e Drejtësisë, të pasurive nr.6/373-b2, nr.6/373+2-1, nr.6/373+2-2, nr.6/373 +2-3 e nr.6/373+2-4, zona kadastrale 8350, Tiranë (pjesë e ish-hotel “Arbëria”)”, nr.217, datë 20.4.2018, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë te Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, të objektit “Godina e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë””, nr.227, datë 14.4.2021, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Kryeministrisë të pronës me emërtimin “Godina e Kryeministrisë”, ndodhur në zonën kadastrale 8160, dhe për shfuqizimin e vendimit nr.968, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave”, nr.494, datë 30.6.2005, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Jashtme”, të ndryshuar, nr.165, datë 28.3.2007, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për nevojat e veta, të mjediseve, për ushtrimin e veprimtarisë së këtij institucioni”, të ndryshuar, shfuqizohen.
3. Pronat e përcaktuara në formularin e inventarizimit bashkëlidhur këtij vendimi hiqen nga listat e inventarit të miratuara me vendimet e Këshillit të Ministrave nr.250, datë 24.4.2003, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Punëve të Brendshme”, të ndryshuar, nr.232, datë 17.4.2024, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Arsimit dhe Sportit”, nr.717, datë 1.12.2017, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”, të ndryshuar, nr.820 datë 13.10.2010, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të institucioneve të varësisë, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural”, të ndryshuar, dhe nga sipërfaqja e truallit funksional e sipërfaqja ndërtimore e përcaktuar në vendimin nr.471, datë 9.7.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në përgjegjësi administrimi të truallit, të ndërtesës së korpusit qendror dhe sipërfaqes funksionale të tij, “Ish-kinostudio”, nga “Alba film”, sh.a., te Ministria e Kulturës”, të ndryshuar, dhe në vendimin nr.965, datë 25.10.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për ndryshimin e përgjegjësisë së administrimit, nga Ministria e Mbrojtjes te Ministria e Financave dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, të pronës nr.37, me emërtimin “Ministria e Mbrojtjes”, me vendndodhje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Tiranë, dhe për një ndryshim në vendimin nr.515, datë 18.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Mbrojtjes,” të ndryshuar.
4. Ngarkohen Kryeministria, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Arsimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministria e Mjedisit, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministri i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E VËNIES NË DISPOZICION TË PASURIVE TË PALUAJTSHME SHTETËRORE NR.178/44, NR.152/43 DHE NR.182, NË ZONËN KADASTRALE 1522, BASHKIA DURRËS, NË ZONAT ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E TURIZMIT, ME TARIFËN SIMBOLIKE 1 EURO, NË MBËSHTETJE TË INVESTIMIT STRATEGJIK NË FUSHËN E TURIZMIT, SI DHE PËR MIRATIMIN E PROJEKTMARRËVESHJES NDËRMJET MINISTRISË SË TURIZMIT, KULTURËS DHE SPORTIT DHE SHOQËRISË “OMNIX ALBANIA”, SH.P.K.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 27, të ligjit nr.55/2015, “Për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të neneve 35 e 36, të ligjit nr.93/2015, “Për turizmin”, të ndryshuar, dhe në vijim të krerëve I, pika 4.2, dhe IV, pika 2, të vendimit nr.162, datë 2.3.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat, procedurat dhe mënyrat e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit”, të ndryshuar, dhe të vendimit nr.691, datë 5.10.2016, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e formatit të marrëveshjes me investitorët në fushën e turizmit”, me propozimin e ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e vënies në dispozicion të pasurive të paluajtshme shtetërore nr.178/44, nr.152/43 dhe nr.182, në zonën kadastrale 1522, Bashkia Durrës, me sipërfaqe të përgjithshme 90 030 (nëntëdhjetë mijë e tridhjetë) m², në pronësi shtetërore, në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, në favor të shoqërisë “OMNIX ALBANIA”, sh.p.k., në mbështetje të investimit strategjik në fushën e turizmit.
2. Miratimin e lidhjes së marrëveshjes së përdorimit me tarifë simbolike 1 euro ndërmjet Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe shoqërisë “OMNIX ALBANIA”, sh.p.k., sipas tekstit të projektmarrëveshjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Ngarkohen Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe shoqëria “OMNIX ALBANIA”, sh.p.k., për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA