Nis viti i ri shkollor, 25 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës

Viti i ri shkollor 2026-2027 nis sot në të gjithë vendin, me rreth 25 mijë fëmijë që ulen për herë të parë në bankat e shkollës. Ky vit sjell investime të reja në infrastrukturën arsimore, zgjerimin e programit “Pas Shkolle”, si dhe masa të shtuara për sigurinë dhe mbështetjen psiko-sociale të nxënësve.

Këtë vit hapin dyert 53 shkolla të reja ose të rehabilituara, ndërsa janë miratuar edhe 39 projekte të tjera për rikonstruksionin e institucioneve arsimore.

Në fokus të vitit të ri shkollor është edhe siguria, me mbi 400 oficerë sigurie dhe 900 psikologë e punonjës socialë në shkollat e vendit. Ndërkohë, 20 shkolla në Tiranë dhe Kamzë janë përfshirë në projektin pilot “Smart City”, me masa të shtuara sigurie përmes kamerave inteligjente.

Programi “Pas Shkolle”, i pilotuar vitin e kaluar në Tiranë, zgjerohet këtë vit në 408 shkolla në të gjithë vendin. Nxënësit do të mund të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të mësimit dhe të përfshihen në aktivitete si arti, muzika, teatri, sporti dhe zejet, si dhe të marrin mbështetje për kryerjen e detyrave. Për klasat e para dhe të dyta, nxënësit që përfundojnë mësimin në orën 11:30 do të mund të qëndrojnë në shkollë deri në orën 14:00, ndërsa ata që përfundojnë në orën 12:30 ose 13:10, deri në orën 15:00.

Për ciklin fillor, nga klasa e parë deri në klasën e pestë, këtë vit janë shpërndarë tekste të reja dhe falas. Ndryshime ka edhe në organizimin e ditës së parë të shkollës, e cila do t’i kushtohet orientimit të nxënësve dhe njohjes së tyre me rregullat, normat e sjelljes dhe organizimin e institucionit arsimor.

Një tjetër risi lidhet me përdorimin e inteligjencës artificiale si mjet mbështetës në procesin mësimor. Sipas udhëzuesit të hartuar nga Ministria e Arsimit dhe të publikuar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, mësuesit dhe nxënësit mund të përdorin mjete të inteligjencës artificiale në funksion të mësimdhënies dhe të nxënit.

Në mesazhin e saj për nisjen e vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u uroi suksese nxënësve, mësuesve dhe prindërve, ndërsa vuri theksin te përmirësimi i kushteve në shkolla, siguria dhe mundësitë që u krijohen nxënësve përmes aktiviteteve mësimore dhe jashtëmësimore.

Sipas të dhënave paraprake të Ministrisë së Arsimit, rreth 1200 nxënës janë transferuar këtë vit nga shkollat jopublike në shkollat publike.