Ministrja Ibrahimaj: Shqipëria po punon për reformën e re të pensioneve, të rëndësishme përvojat ndërkombëtare

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë Seminarit Teknik të Rrjetit Evropian të Shoqatës Ndërkombëtare të Sigurimeve Shoqërore (ISSA), bëri të ditur se Shqipëria po punon për reformën e re të pensioneve dhe se shkëmbimi i përvojave ndërkombëtare është i rëndësishëm në fazën e finalizimit të saj.

Seminari, i zhvilluar në Tiranë më 16-17 shtator, me temë “Forcimi i shërbimeve në skemat e pensioneve. Përmbushja e nevojave të të moshuarve”, mblodhi përfaqësues të institucioneve të sigurimeve shoqërore nga Holanda, Gjermania, Suedia, Sllovakia, Greqia, Polonia, Çekia, Turqia dhe vende të tjera evropiane.

Në aktivitet morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i ISSA-s, Marcelo Abi-Ramia Caetano, Presidenti i Rrjetit Evropian të ISSA-s, Yunus Elitaş, si dhe drejtues dhe ekspertë të fushës.

Ministrja Ibrahimaj falënderoi ISSA-n për zgjedhjen e Tiranës si vend organizimi dhe theksoi se diskutimet mes përfaqësuesve të vendeve me sisteme, kultura dhe problematika të ndryshme krijojnë mundësi për shkëmbimin e ekspertizës dhe identifikimin e qasjeve të reja në fushën e pensioneve.

Ibrahimaj u ndal edhe te sfidat demografike, sociale dhe ekonomike me të cilat përballen sistemet e sigurimeve shoqërore. Ajo nënvizoi nevojën për ndërtimin e sistemeve të qëndrueshme, transparente dhe të thjeshta për t’u kuptuar nga qytetarët.

Në fokus të seminarit ishte përmirësimi i shërbimeve të pensioneve përmes digjitalizimit dhe automatizimit të proceseve. Diskutimet trajtuan përdorimin e teknologjive të reja, përfshirë inteligjencën artificiale, zhvillimin e llogaritësve online të pensioneve dhe ruajtjen e asistencës njerëzore për personat që kanë nevojë për mbështetje të drejtpërdrejtë.

Programi përfshiu gjithashtu komunikimin dhe informimin e qytetarëve për pensionet, planifikimin e daljes në pension, shërbimet për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e sektorit bujqësor, si dhe trajtimin e rasteve me element ndërkombëtar, përfshirë pensionet dhe periudhat e sigurimit në më shumë se një shtet.

Shqipëria u përfaqësua në diskutimet teknike nga drejtues dhe ekspertë të Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Seminari shërbeu si forum për shkëmbimin e përvojave ndërmjet institucioneve evropiane të sigurimeve shoqërore dhe diskutimin e qasjeve të reja për modernizimin e shërbimeve të pensioneve.