Ministri Gogu në Kuvend: Paga e gjyqtarit caktohet vetëm me ligj, jo me akte të Këshillave apo të Qeverisë
Replikë opozitës: Ndërroni qëndrime sipas interesit të ditës
Ministri Toni Gogu deklaroi sot në Kuvend se Parlamenti ka dy detyra njëkohësisht: të mbrojë pavarësinë e drejtësisë dhe çdo lek të qytetarëve që financon sistemin e drejtësisë. Sipas tij, kush zgjedh të përmbushë vetëm njërën prej tyre, nuk e zgjidh çështjen, por vetëm e zhvendos problemin.
Ministri theksoi se kompetenca për përcaktimin e pagave të gjyqtarëve i takon Kuvendit dhe duhet të ushtrohet përmes miratimit të ndryshimeve të nevojshme ligjore.
“Sot Kuvendi ka dy detyra, jo një: të mbrojë pavarësinë e drejtësisë dhe të mbrojë çdo lek të qytetarit që e paguan atë drejtësi. Kush zgjedh vetëm njërën, nuk ka zgjidhur asgjë; vetëm e ka zhvendosur problemin”, u shpreh Gogu.
Duke iu referuar vendimit përkatës, ministri deklaroi se dispozitivi përcakton qartë detyrimin e Kuvendit për të miratuar ndryshimet ligjore të nevojshme.
“Jo të Këshillave. Jo të Qeverisë. Jo të Ministrisë. Ky rregull nuk u shkrua për ta kufizuar gjyqësorin, por për ta mbrojtur. Sepse ajo që sot jepet me një akt jashtë ligjit, nesër mund të merret me një akt tjetër jashtë ligjit. Kur themi se paga caktohet me ligj, nuk po mbrojmë pushtetin e Kuvendit. Po mbrojmë gjyqtarin nga çdo qeveri, çdo ministër dhe çdo shumicë, përfshirë këtë”, deklaroi ministri.
Gogu iu drejtua edhe përfaqësueses së opozitës, duke e akuzuar atë për ndryshim të vazhdueshëm të qëndrimeve në varësi të interesit politik të momentit.
“Keni ndërruar kryetarë. Keni ndërruar aleanca. Keni ndërruar qëndrime për të njëjtat institucione dy herë brenda një mandati dhe ndoshta do t’i ndërroni sërish nesër. Ajo që nuk ka ndryshuar kurrë është pyetja nga e cila niseni: jo ‘çfarë është e drejtë?’, por ‘çfarë më duhet mua sot?’”, u shpreh ai.
Në përfundim, ministri përdori edhe një metaforë për të kritikuar qëndrimin e opozitës: “Orientimi me hënë ka një problem praktik: ecën, por vjen vërdallë. Pas dhjetë vjetësh rrotullimi, njeriu e gjen veten aty ku nisi, duke pyetur pse nuk mbërriti askund.”