Ministri Gogu: Më 30 shtator hapen për diskutim ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se më 30 shtator do të publikohet, në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, paketa më e gjerë e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që prej miratimit të tij. Paketa do të diskutohet në një tryezë me drejtues të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të gjykatave, prokurorisë dhe avokatisë, si dhe me shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë. Rishikimi përfshin masat e sigurimit, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe administrimin e tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Ndryshimet mbështeten në studimin e Këshillit të Evropës për paraburgimin në Shqipëri, si dhe në jurisprudencën e konsoliduar gjatë viteve të fundit nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese. Procesi vjen pas një dekade reformash në sistemin e drejtësisë dhe synon të përfshijë në kuadrin procedural standardet dhe garancitë e konsoliduara nga jurisprudenca. Sipas ministrit Gogu, synimi i rishikimit është që forcimi i shtetit të së drejtës të shoqërohet me fuqizimin e garancive procedurale për individin.