Ministri Demo: Kapitujt 24 dhe 22 në fokus, vijon puna për mbylljen e kapitujve brenda vitit 2027
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, priti Drejtoren për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Përgjithshme për Zgjerimin e Komisionit Evropian, Valentina Superti, me fokus avancimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Në fokus të takimit ishin piketat përmbyllëse të Kapitullit 24, “Drejtësia, Liria dhe Siguria”, dhe Kapitullit 22, “Politikat Rajonale dhe Koordinimi i Instrumenteve Strukturore”, si dhe angazhimet institucionale për përmbushjen e tyre.
Ministri Demo vlerësoi gatishmërinë e Komisionit Evropian për të vijuar mbështetjen me ekspertizë dhe asistencë në çështjet prioritare, ndërsa theksoi rëndësinë e ruajtjes së ritmit të reformave dhe bashkëpunimit të ngushtë institucional në funksion të objektivit për mbylljen e kapitujve brenda vitit 2027.
“Me angazhim, rezultate konkrete dhe bashkëpunim të ngushtë mes ekipeve tona, vijojmë punën për përmbushjen e detyrimeve dhe avancimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ministri Demo.