FMN vlerëson progresin e Shqipërisë në menaxhimin e investimeve publike
Shqipëria ka shënuar progres të dukshëm në planifikimin dhe menaxhimin e investimeve publike, sipas vlerësimit të misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për eficiencën e investimeve publike (PIMA).
Gjetjet e vlerësimit u diskutuan gjatë një takimi të Ministrit të Financave, Petrit Malaj, me misionin e FMN-së, të kryesuar nga Ian Hawkesworth. Raporti përfundimtar pritet të publikohet së shpejti nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Sipas vlerësimit, Shqipëria performon mbi mesataren e ekonomive evropiane dhe të shumë vendeve të zhvilluara sa i përket planifikimit dhe menaxhimit të investimeve publike. Përmirësimi reflektohet në disa prej elementeve kryesore të menaxhimit të financave publike, përfshirë disiplinën buxhetore, alokimin e fondeve, si dhe rritjen e transparencës dhe konkurrueshmërisë në prokurimin publik.
Investimet publike në Shqipëri kanë qenë në rreth 6.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto gjatë viteve të fundit dhe pritet të mbeten në nivele të larta, ndërsa vendi vijon procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Sipas planifikimeve afatmesme, investime të mëtejshme parashikohen në sektorë si transporti, energjia, digjitalizimi dhe rritja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve klimatike.
Ministri nënvizoi rëndësinë e përdorimit transparent dhe eficient të fondeve publike, veçanërisht për investimet në infrastrukturë, shëndetësi dhe arsim, me synimin që për çdo lek të shpenzuar të sigurohet sa më shumë vlerë për qytetarët. Sipas tij, objektivi mbetet vijimi i reformave dhe forcimi i mekanizmave që garantojnë një planifikim dhe menaxhim sa më eficient të investimeve publike.