Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, pret kryetarin e Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag: Gjermania mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti në Tiranë kryetarin e Komisionit për Çështjet e Bashkimit Evropian në Bundestagun gjerman, Anton Hofreiter.
Në një postim në rrjetin social X, ministri Hoxha e cilësoi takimin një mundësi të vlefshme për të diskutuar mbi progresin e Shqipërisë dhe agjendën ambicioze të reformave në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
“Gjermania ka qenë një nga mbështetëset më të forta dhe më të qëndrueshme të Shqipërisë gjatë gjithë këtij udhëtimi. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Gjermanisë për një proces zgjerimi të bazuar në meritë dhe udhëheqjen e saj në promovimin e një perspektive të besueshme evropiane për Ballkanin Perëndimor”, shkroi Hoxha.
Takimi riafirmoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, si dhe rëndësinë e vijimit të bashkëpunimit dypalësh, përfshirë shkëmbimet parlamentare.
Sipas ministrit Hoxha, objektivi i përbashkët mbetet ndërtimi i një Evrope më të fortë dhe më të bashkuar.