Ministri Hoxha nga Vjena: Shqipëria përparon drejt BE-së mbi bazën e meritave

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë më 29 shtator 2026, në Vjenë, në takimin e nivelit të lartë të ministrave për çështjet evropiane të vendeve të formatit Slavkov – Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Takimi, i organizuar nga ministrja federale austriake për Evropën, Integrimin dhe Familjen, Claudia Bauer, u përqendrua te ecuria e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe forcimi i bashkëpunimit me vendet kandidate.

Në fjalën e tij, ministri Hoxha theksoi se zgjerimi duhet të mbetet një proces i besueshëm, i bazuar në merita dhe që sjell përfitime të prekshme për qytetarët në çdo fazë.

Duke folur për prioritetet e Shqipërisë, ai nënvizoi nevojën për një komunikim më të qartë dhe bindës mbi integrimin evropian, që e afron BE-në me qytetarët dhe u shpjegon mundësitë që sjell ky proces. Vëmendje të veçantë i kushtoi brezit të ri, i cili duhet ta ndiejë përkatësinë në familjen evropiane edhe përpara anëtarësimit.

Hoxha theksoi se integrimi gradual duhet të sjellë mundësi dhe përfitime konkrete përpara anëtarësimit. Ai kërkoi gjithashtu zgjerimin e pjesëmarrjes së vendeve kandidate në punën e institucioneve të BE-së, në mënyrë që ato të përgatiten të kontribuojnë në mënyrë efektive që nga dita e parë e anëtarësimit.

Duke iu referuar sfidave strategjike të kohës, ministri u shpreh se zgjerimi shkon përtej një zgjedhjeje politike.

“Është një imperativ gjeopolitik dhe një investim thelbësor në paqen, sigurinë, stabilitetin, konkurrueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e Evropës”, tha ai.

Ministri Hoxha ripohoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar reformat dhe për të përparuar drejt anëtarësimit përmes rezultateve konkrete.

“Ne do të vazhdojmë të sjellim rezultate, të përparojmë mbi bazën e meritave dhe të bashkëpunojmë ngushtë me partnerët tanë drejt një Evrope më të fortë, më të bashkuar dhe më të sigurt”, u shpreh Hoxha.