Viti i ri akademik/ Ministrja Kumbaro: Shtohen programet me diploma të dyfishta me universitetet evropiane, Universiteti i Tiranës renditet në Times Higher Education
Ka nisur sot në universitetet e vendit viti i ri akademik 2026-2027. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, uroi studentët, pedagogët dhe stafet universitare nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku u inaugurua godina e re e Fakultetit të Studimeve Profesionale.
Në fjalën e saj, ministrja Kumbaro theksoi se universitetet shqiptare po zgjerojnë bashkëpunimin me institucionet evropiane të arsimit të lartë, përmes programeve të përbashkëta dhe atyre me diploma të dyfishta me universitete në Itali, Portugali, Gjermani dhe Spanjë. Gjithashtu, 26 programe të reja i shtohen këtë vit korpusit të programeve që ofrohen në gjuhën angleze.
Duke u ndalur te ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë, ministrja bëri të ditur se Universiteti i Tiranës është renditur për herë të parë në Times Higher Education, një nga organizatat ndërkombëtare të vlerësimit të institucioneve të arsimit të lartë.
“Është i pari institucion shqiptar që rankohet ndërkombëtarisht dhe nga Durrësi le të urojmë edhe kolegët në Tiranë. Ndërkohë, edhe Universiteti ‘Aleksandër Moisiu’ mban statusin e ‘reporterit’ në Times Higher Education, siç e mbajnë edhe katër universitete të tjera jopublike, me synimin për t’u rankuar së shpejti”, u shpreh ajo.
Në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, nisja e vitit të ri akademik u shoqërua me hapjen e godinës së re të Fakultetit të Studimeve Profesionale, një investim i mbështetur nga Qeveria Shqiptare, që ofron ambiente dhe kushte bashkëkohore për studentët dhe pedagogët.
Duke vlerësuar zhvillimin e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, ministrja Kumbaro bëri të ditur se këtë vit akademik janë regjistruar mbi 1900 studentë të rinj. Ajo veçoi gjithashtu renditjen e revistës shkencore të universitetit në Scopus, si një hap në drejtim të rritjes së cilësisë së kërkimit shkencor dhe ndërkombëtarizimit të institucionit.
Në fokus të politikave për arsimin e lartë mbetet edhe forcimi i kërkimit shkencor dhe mbështetja e studimeve doktorale. Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare për Kërkimin Shkencor dhe Inovacionin kanë hapur thirrjen për mbështetjen e studentëve të ciklit të doktoraturës, me një buxhet të dedikuar prej mbi 600 mijë eurosh dhe me dyfishim të mbështetjes për çdo student krahasuar me vitin e kaluar.
Së shpejti pritet të hapet edhe thirrja për projekte në infrastrukturën kërkimore, me financim të dedikuar për investime në laboratorë dhe forcimin e kapaciteteve kërkimore të universiteteve.