Vendime të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 7 Tetor 2026
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E AKTIT TË THEMELIMIT DHE STATUTIT TË SHOQËRISË TREGTARE SHTETËRORE “OPERATORI I SHOQËRIVE SHTETËRORE”, SH.A., SI DHE PËRCAKTIMIN E KAPITALIT FILLESTAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 7 të nenit 7 dhe të nenit 8 të ligjit nr. 79/2026, “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e aktit të themelimit dhe të statutit të shoqërisë “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., të krijuar në zbatim të nenit 7, të ligjit nr.79/2026, “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, sipas shtojcave nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
2. Kapitali fillestar i shoqërisë tregtare shtetërore është 100 000 000 (njëqind milionë) lekë dhe përballohet nga buxheti i shtetit, alokuar për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.
3. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, shoqëria “Operatori i Shoqërive Shtetërore”, sh.a., dhe shoqëritë tregtare me kapital shtetëror në likuidim, subjekt i ligjit nr.79/2026, “Për mbylljen e shoqërive tregtare me kapital shtetëror në likuidim”, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË KARTËS THEMELUESE TË ORGANIZATËS SË BASHKËPUNIMIT DIGJITAL
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 10, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të Kartës Themeluese të Organizatës së Bashkëpunimit Digjital, bërë në Riad, më 26.11.2020, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KRIJIMIN E MEDALJEVE, SHENJAVE DHE DISTINKTIVËVE TË VEÇANTË TË NDERIT PËR MIRËNJOHJE, PËRKUJTIMORE APO SHËRBIMI NË FORCAT E ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE PËRCAKTIMIN E KRITEREVE, PROCEDURAVE DHE AUTORITETEVE PËRGJEGJËSE PËR DHËNIEN E TYRE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.93/2022, “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Objekti i këtij vendimi është krijimi i medaljeve, shenjave dhe distinktivëve të veçantë të nderit, që i jepen personelit ushtarak dhe civil, që shërben në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe për ushtarakët e huaj që shquhen për merita e kontribute të veçanta për Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe kriteret, procedurat dhe autoritetet përgjegjëse për dhënien e tyre.
2. Qëllimi i këtij vendimi është vlerësimi i shërbimit, punës dhe aftësimit profesional të personelit ushtarak e civil, që shërben në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në mbrojtje të interesave të vendit dhe kryerjes me përgjegjësi të lartë të detyrave, si dhe vlerësimi i ushtarakëve të huaj për punën e tyre në interes të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
3. Ky vendim zbatohet për subjektet e përcaktuara në të gjatë kryerjes së detyrave dhe ushtrimit të veprimtarive të tyre, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, përfshirë misionet dhe operacionet ushtarake, veprimtaritë në ndihmë të popullsisë civile, shërbimin, stërvitjet e përbashkëta dhe misionet diplomatike.
4. Medalje, shenja dhe distinktivë të nderit u jepen ushtarakëve të shërbimit aktiv, ushtarakëve në rezervë, në lirim, personelit civil, reparteve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe ushtarakëve të huaj. Distinktivë të nderit u jepen gjithashtu studentëve/kadetëve dhe kursantëve ushtarakë.
5. Dhënia e medaljeve, shenjave dhe distinktivëve të veçantë të nderit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë bazohet në parimet e mirënjohjes, vlerësimit të kontributit, meritokracisë, objektivitetit, përgjegjshmërisë, transparencës, proporcionalitetit dhe reciprocitetit ndërkombëtar.
6. Përfituesve të medaljeve, shenjave dhe distinktivëve të veçantë të nderit, të përcaktuar në pikën 4, të këtij kreu, u hiqet e drejta e mbajtjes/përdorimit së tyre, me urdhër të autoritetit që e ka dhënë, në rast se:
a) konstatohet një vendim gjyqësor i formës së prerë për heqjen e tyre, si dënim plotësues, sipas përcaktimeve në Kodin Penal;
b) është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale; ose
c) është shpallur “person i padëshiruar”, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për të huajt në Republikën e Shqipërisë.
II. LLOJET E MEDALJEVE DHE KRITERET PËR DHËNIEN E MEDALJEVE
Përveç dekoratave dhe titujve të nderit, që jepen nga autoritete të tjera, sipas legjislacionit në fuqi, për subjektet e përcaktuara në pikën 4, të kreut I, të këtij vendimi, jepen medaljet:
a) “Medalja e vlerave të larta” u jepet ushtarakëve aktivë, në rezervë, në lirim, personelit civil dhe reparteve të Forcave të Armatosura, si dhe ushtarakëve të huaj, për të shprehur falënderimin dhe vlerësimin për kontributin e veçantë, profesionalizëm të lartë, integritet të palëkundur, mbështetje dhe bashkëpunim të çmuar, në interes të mbrojtjes dhe sigurisë së Republikës së Shqipërisë;
b) Medalja “Për Shërbime të Dalluara” u jepet ushtarakëve aktiv dhe personelit civil të Forcave të Armatosura për merita dhe arritje të spikatura në përmbushjen e detyrave në shërbim të Forcave të Armatosura, si dhe në dobi të komunitetit dhe interesit publik të vendit. Kjo medalje vlerëson përkushtimin, profesionalizmin dhe ndikimin e drejtpërdrejtë në rritjen e efektivitetit e të prestigjit të institucionit;
c) “Medalja e nderit të Forcave të Armatosura” u jepet ushtarakëve aktivë, në rezervë, në lirim, personelit civil të Forcave të Armatosura, si dhe ushtarakëve të huaj, për të vlerësuar ndershmërinë, sakrificën, profesionalizmin dhe kontributin e veçantë, në interes të misionit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
ç) Medalja “Shpëtimtari” u jepet ushtarakëve aktivë, në rezervë dhe personelit civil të Forcave të Armatosura, të dalluar për akte guximi, humanizmi e sakrifice për shpëtimin e jetës së qytetarëve, ku përmes vendosmërisë dhe profesionalizmit është bërë i mundur parandalimi i pasojave të rënda në situata emergjente apo me rrezikshmëri të lartë.
Kjo medalje vlerëson kontributin e drejtpërdrejtë në shërbim të sigurisë publike, solidatitetit njerëzor;
d) Medalja “I gjymtuar në luftë / shërbim” u jepet ushtarakëve aktivë dhe në rezervë të Forcave të Armatosura, në shenjë mirënjohjeje për guximin dhe sakrificën e treguar në raste të gjymtimit gjatë kryerjes së detyrës në luftë, operacion apo shërbim zyrtar;
dh) Medalja “I plagosur në luftë / shërbim” u jepet ushtarakëve aktivë dhe në rezervë të Forcave të Armatosura, në shenjë mirënjohjeje për guximin dhe sakrificën e treguar në raste të plagosjes gjatë kryerjes së detyrës në luftë, operacion apo shërbim zyrtar;
e) “Medalja e vlerësimit në shërbim” u jepet ushtarakëve aktivë për shërbim të gjatë, të pandërprerë dhe shembullor gjatë gjithë veprimtarisë profesionale në Forcat e Armatosura, duke vlerësuar profesionalizmin, disiplinën dhe kontributin e dhënë në Forcat e Armatosura. Kjo medalje jepet për çdo 10 vjet shërbimi në Forcat e Armatosura;
ë) Medalja “Nderi i Forcës Tokësore”, “Nderi i Forcës Detare”, “Nderi i Forcës Ajrore”, “Nderi i Komandës Mbështetëse”, “Nderi i Komandës Kibernetike dhe Ndërlidhjes”, “Nderi i Akademisë së Forcave të Armatosura” u jepet ushtarakëve aktivë, që kanë shërbyer për një periudhë të paktën 5-vjeçare me përkushtim, profesionalizëm, integritet dhe disiplinë të lartë në strukturat përkatëse;
f) Medalja “Nderi i Regjimentit”, “Nderi i Batalionit”, “Nderi i Distriktit Detar” dhe “Nderi i Bazës Ajrore” u jepet ushtarakëve aktivë, të cilët janë shembull i trimërisë, korrektësisë, profesionalizmit dhe kanë dhënë një kontribut të vazhdueshëm në përmbushjen e detyrave me iniciativë e duke shfaqur aftësi drejtuese në situata sfiduese.
III. LLOJET E DISTINKTIVËVE DHE SHENJAVE TË VEÇANTA TË NDERIT, KRITERET PËR DHËNIEN E TYRE
1. Përveç dekoratave të përcaktuara në kreun II, të këtij vendimi, për subjektet e përcaktuara në pikën 4, të kreut I të tij, jepen edhe distinktivë dhe shenja nderi.
2. Distinktivët e nderit janë shenja nderi prej metali, që mbahen në uniformë dhe i jepen ushtarakeve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë të dalluar në gara, konkurrime apo aktivitete të organizuara nga Forcat e Armatoura, apo dhe aktivitete ndërkombëtare, si më poshtë vijon:
a) Distinktivi “Nënoficeri i vitit” i jepet nënoficerit, i cili renditet i pari në garën vjetore të nënoficerit të vitit, që zhvillohet çdo vit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë;
b) Distinktivi “Ushtari/Detari i vitit” i jepet personelit që renditet i pari në garën vjetore të ushtarit/detarit të vitit, që zhvillohet çdo vit në Forcat e Armatosura të Republikës se Shqipërisë;
c) Distinktivi “Qitës i Dalluar” i jepet personelit që ka demonstruar aftesi të shkëlyera dhe profesionalizëm në përdorimin e armës dhe që ka arritur rezultate të larta e të qëndrueshme në garat e qitjes kombëtare apo ndërkombëtare, me armë të lehta e të rënda, sipas standardeve të përcaktuara nga institucionet zyrtare;
ç) Distinktivi “Studenti/Kursanti i vitit” u jepet studentëve dhe kursantëve të renditur në tri diplomat më të mira midis të gjithë të diplomuarve ushtarakë dhe civilë nga akademitë, kolegjet, shkollat e trupës dhe qendrat e trajnimeve ushtarake;
d) Distinktivi “Sportist i vitit” i jepet personelit që renditet në tri vendet e para si ekip ose individualisht në garat sportive kombëtare dhe ndërkombëtare gjatë një viti kalendarik.
3. Shenjat e nderit janë elemente dalluese, me përmbajtje tekstili ose metalike, që mbahen në uniformë dhe i jepen ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë për t’i dalluar ata nga të tjerët, për shkak të kualifikimit, angazhimit dhe shërbimit të veçantë në Forcat e Armatosura, që janë, si më poshtë vijon:
a) Shenja “Operator Special” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses kursin bazë të Forcave Speciale, në institucionet e kualifikimit ushtarak, brenda ose jashtë vendit;
b) Shenja “Komando” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses kursin komando në institucionet e kualifikimit ushtarak, brenda ose jashte vendit;
c) Shenja “Snajperist” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses kursin e snajperit në institucionet e kualifikimit ushtarak, brenda ose jashtë vendit;
ç) Shenja “Parashutist” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses kursin bazë të parashutizmit në institucione, shkolla dhe qendra trajnimi, brenda ose jashtë vendit, kanë kryer pesë hedhje automatike me parashutë nga avionët/helikopterët;
d) “Shenja e pilotit” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që marrin një diplomë piloti nga shkollat e trajnimit të fluturimit të Forcave Ajrore ose nga një shkollë ose kurs fluturimi, brenda ose jashtë vendit, diploma e të cilëve miratohet nga Komanda e Forcës Ajrore;
dh) Shenja “Pilot i nivelit të lartë” u jepet pilotëve aktivë të Forcave të Armatosura, nga komanda e njësisë së pilotëve që kanë grumbulluar një total prej 1 250 (një mijë e dyqind e pesëdhjetë) orësh fluturimi (përfshirë shkollën e fluturimit) ose 7 (shtatë) vjet përvojë fluturimi, që nga fillimi i karrierës së tyre;
e) “Shenja e pilotit ekspert” u jepet pilotëve aktivë të Forcave të Armatosura, nga komanda e njësisë së pilotëve që kanë grumbulluar një total prej 2 500 (dy mijë e pesëqind) orësh fluturimi (duke përjashtuar shkollën e fluturimit) ose që kanë përfunduar 15 (pesëmbëdhjetë) vjet që nga fillimi i karrierës së tyre;
ë) Shenja “Teknik fluturimi” u jepet oficerëve dhe nënoficerëve teknikë, që kanë përfunduar shkolla ose kurse teknike avionësh/helikopterësh, ,brenda ose jashtë vendit, dhe kanë aftësi për të fluturuar sipas miratimit nga Komanda e Forcës Ajrore, duke fituar kështu titullin “Teknik fluturimi”;
f) Shenja “Specialist i Asgjësimit të Municioneve Shpërthyese” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses kurset e asgjësimit të municioneve shpërthyese në institucionet përkatëse, brenda ose jashtë vendit;
g) “Shenja e Marinarit” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë shërbyer për 5 (pesë) vjet ose më shumë në anije sipërfaqësore, si dhe oficerët që mbajnë pozicionin e komandantit të anijes në anijet sipërfaqësore;
gj) “Shenja e Zhytësit” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses kursin bazë të zhytësit në institucionet e kualifikimit ushtarak, brenda ose jashtë vendit;
h) “Shenja e zhytësit special” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses trajnimin për zhytje në thellësi të mëdha në institucionet e kualifikimit, brenda ose jashtë vendit;
i) “Shenja e Zhytësit të operacioneve speciale” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që kanë përfunduar me sukses kursin bazë të zhytësit në institucionet e kualifikimit ushtarak, brenda ose jashtë vendit, dhe kursin bazë të forcave speciale;
j) “Shenja e ekspertit në fushën kibenetike” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, të kualifikuar si ekspertë në fushën e kibernetikës, dhe shërbejnë në Qendrën Operacionale Kibernetike/Njësinë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, në Forcat e Armatosura;
k) “Shenja e Shërbimit Mjekësor Ushtarak” u jepet ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, që shërbejnë si mjek/infermier/specialist në shërbimin mjekësor në Forcat e Armatosura;
l) “Shenja e titullit akademik” e mban personeli që ka përfunduar studimet e doktoraturës dhe ka mbrojtur gradën shkencore “doktor”, dhe titujt shkencorë “profesorë të asociuar” / “profesorë”, në një fushë shkencore që lidhet me profesionin e ushtarakut, në akademi ushtarake, universitete ose institucione arsimore civile, brenda ose jashtë vendit.
IV. AUTORITETET PËRGJEGJËSE PËR DHËNIEN E MEDALJEVE, DISTINKTIVËVE DHE SHENJAVE
Autoritetet përgjegjëse për dhënien e medaljeve janë:
a) ministri i Mbrojtjes, për medaljet e parashikuara në shkronjat “a” dhe “b”, të kreut II, të këtij vendimi;
b) shefi i Shtabit të Përgjithshëm:
i. për medaljet e parashikuara nga shkronja “c” deri në shkronjën “dh”, të kreut II, të këtij vendimi;
ii. për medaljen e parashikuar në shkronjën “e”, të kreut II, të këtij vendimi, për personelin e varësisë së drejtpërdrejtë të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe të reparteve/institucioneve të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm;
iii. për distinktivët e parashikuar nga shkronja “a” deri në shkronjën “d”, të pikës 2, të kreut III, të këtij vendimi;
iv. për shenjën e parashikuar në shkronjën “k”, të pikës 3, të kreut III, të këtij vendimi, për personelin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, dhe të reparteve/institucioneve të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
c) komandantët e forcave, komandantët e komandave/strukturave mbështetëse/institucioneve arsimore:
i. për medaljet e parashikuara në shkronjat “e” dhe “ë”, të kreut II, të këtij vendimi;
ii. për distinktivët e parashikuar në shkronjën “ç”, të pikës 2, të kreut III, të këtij vendimi;
iii. për shenjat e parashikuara në pikën 3, të kreut III, të këtij vendimi.
ç) komandantët në nivel regjimenti/batalioni/distrikti/bazë ajrore dhe struktura të tjera të Forcave të Armatosura të njësuara me to, për medaljen e parashikuar në shkronjën “f”, të kreut II, të këtij vendimi.
V.PROCEDURA E DHËNIES SË MEDALJEVE, SHENJAT DHE DISTINKTIVËT E NDERIT, SI DHE MODELI I TYRE PËR PERSONELIN E FORCAVE TË ARMATOSURA
1. Propozimi për dhënien e medaljes dërgohet tek autoriteti përgjegjës, si rregull, jo më vonë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike përpara datës së propozuar për dhënien e medaljes, përveç rasteve të veçanta kur respektimi i këtij afati është i pamundur dhe duhet të përmbajë:
a) autoritetin propozues;
b) bazën ligjore për propozim;
c) gjenealitetet dhe një prezantim të personit të cilit do t’i jepet medalja;
ç) arsyet e hollësishme të propozimit, motivacionin dhe elementet që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për dhënien e medaljes, sipas përcaktimeve të këtij vendimi;
d) llojin e medaljes së propozuar;
dh) të dhënat për medalje të mëparshme të personit të propozuar.
2. Ministri i Mbrojtjes i jep medaljet e përcaktuara në këtë vendim, kryesisht ose me propozim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
3. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura i jep medaljet kryesisht ose me propozim të:
a) komandantëve të forcave dhe atyre mbështetëse;
b) titullarëve të strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
4. Komandantët e forcave dhe atyre mbështetëse i japin medaljet kryesisht ose me propozim të titullarëve të strukturave të varësisë.
5. Komandantët e regjimenteve/batalioneve/flotiljeve/bazës ajrore i japin medaljet kryesisht ose me propozim të drejtuesve të strukturave të varësisë.
6. Pas njohjes me propozimin për dhënien e medaljes, ndiqet kjo procedurë:
a) Autoritetet përgjegjëse, të përcaktuara në kreun IV, të këtij vendimi, ngarkojnë strukturën përgjegjëse të burimeve njerëzore/personelit dhe strukturën përgjegjëse të përkujdesjes së ushtarakëve për shqyrtimin e propozimit;
b) Strukturat përgjegjëse të burimeve njerëzore/personelit kryejnë shqyrtimin e propozimit për dhënie medaljeje dhe pasi marrin miratimin në parim nga autoriteti përgjegjës për dhënien e medaljes, përgatitin urdhrin përkatës për dhënien e medaljes, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve.
7. Procedura për dhënien e shenjave dhe distinktivëve të nderit kryhet në përfundim të aktivitetit nga autoritetet përkatëse.
8. Dhënia e medaljeve, shenjave dhe distinktivëve të nderit bëhet me ceremoni zyrtare, e cila organizohet nga autoriteti që jep medaljen përkatëse, sipas këtij vendimi, në prani të efektivit të repartit, të pjesëtarëve të familjes së personit që do të marrë medaljen, shenjën ose distinktivin e nderit, si dhe të ftuarve të tjerë, sipas rastit.
9. Modelet dhe përshkrimet e medaljeve e shenjave e të distinktivëve të nderit në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, si dhe modeli i certifikatës dhe aksesorëve përcaktohen në anekset A, B, C, Ç dhe D, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
VI. PROCEDURAT DHE AUTORITETET PËRGJEGJËSE PËR DHËNIEN E MEDALJEVE USHTARAKËVE TË HUAJ
1. Dhënia e medaljes për ushtarakët e huaj bëhet me ceremoni zyrtare, e cila organizohet në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të komandës apo strukturës propozuese.
2. Për medaljen që jepet nga ministri i Mbrojtjes, ceremonia organizohet nga struktura përgjegjëse për burimet njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse për politikat e mbrojtjes dhe strukturën përgjegjëse për organizimin e ceremonialit.
3. Për medaljen që jepet nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Mbrojtjes, ceremonia organizohet nga struktura përgjegjëse e personelit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në bashkëpunim me strukturën përgjegjëse për politikat e mbrojtjes dhe strukturën përgjegjëse për organizimin e ceremonialit.
4. “Medalja e vlerave të larta” u jepet ushtarakëve të huaj nga ministri i Mbrojtjes, kryesisht apo me propozim të:
a) shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
b) komandantëve të forcave, komandave mbështetëse dhe strukturave të varësisë së Shtabit të Përgjithshëm, nëpërmjet shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
c) Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Mbrojtjes;
ç) përfaqësuesve ushtarakë të vendit tonë jashtë vendit.
5. “Medalja e nderit të Forcave të Armatosura” u jepet ushtarakëve të huaj nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, kryesisht apo me propozim të:
a) komandantëve të forcave dhe atyre mbështetëse;
b) Drejtorisë së Përgjithshme të Politikave të Mbrojtjes;
c) strukturave të varësisë së Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
ç) Përfaqësuesve ushtarakë të vendit tonë jashtë vendit.
6. Propozimi bëhet me shkrim dhe përmban:
a) autoritetin propozues;
b) emrin, mbiemrin dhe një prezantim të personit të cilit do t’i jepet medalja;
c) arsyet e hollësishme të propozimit, motivacionin dhe elementet që vërtetojnë përmbushjen e kritereve përkatëse për dhënien e medaljes;
ç) llojin e medaljes që do të jepet.
7. Propozimet për dhënien e medaljes trajtohen nga struktura përgjegjëse për burimet njerëzore në Ministrinë e Mbrojtjes dhe personeli i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të cilat pasi verifikojnë ligjshmërinë dhe dokumentacionin përkatës, përgatisin praktikën dhe e dërgojnë për miratim tek autoriteti kompetent.
8. Medalja i jepet personalisht ushtarakut të huaj ose nëpërmjet përfaqësuesit të autorizuar nga autoriteti që ka akorduar medaljen.
9. Kur medalja i jepet një ushtaraku të huaj pas vdekjes, medalja i jepet pjesëtarëve të familjes së tij. Edhe në këtë rast ndiqet e njëjta procedurë për dhënien e medaljeve, sipas përcaktimeve të këtij vendimi. Në rast të pamundësisë së paraqitjes së familjarëve, medalja dërgohet nëpërmjet përfaqësive diplomatike apo me postë.
10. Modeli i medaljeve dhe certifikatave, që do t’u jepen ushtarakëve të huaj, është i njëjtë me medaljet që marrin ushtarakët shqiptarë dhe përcaktohet në anekset A dhe Ç, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
VII. DISPOZITA KALIMTARE
1. Medaljet e dhëna përpara hyrjes në fuqi të këtij vendimi njihen dhe mbahen sipas motivacionit e kushteve, me të cilat janë dhënë.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.275, datë 13.4.2016, “Për modelin, përshkrimin, rregullat, procedurat dhe dhënien e medaljeve dhe certifikatave në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, dhe nr.276, datë 13.4.2016, “Për përcaktimin e masës së shpërblimit për medaljet në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, shfuqizohen me hyrjen në fuqi të këtij vendimi.
3. Ngarkohen ministri i Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E MARRËVESHJES SË KUSHTEVE TË VEÇANTA TË GRANTIT, NDËRMJET KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË (PËRFITUESI) DHE AGJENCISË FRANCEZE TË ZHVILLIMIT (AFD), PËR PROJEKTIN “PËRMIRËSIMI I ITUN DURRËS DHE REHABILITIMI I SISTEMIT TË KANALIZIMEVE TË UJËRAVE TË PËRDORURA NË ZONËN HISTORIKE TË QYTETIT TË DURRËSIT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 19, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e marrëveshjes së kushteve të veçanta të grantit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë (përfituesi) dhe Agjencisë Franceze të Zhvillimit (AFD), për projektin “Përmirësimi i ITUN Durrës dhe rehabilitimi i sistemit të kanalizimeve të ujërave të përdorura në zonën historike të qytetit të Durrësit”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
LIRIMIN DHE EMËRIMIN E NJË ANËTARI TË KËSHILLIT DREJTUES TË AGJENCISË SHTETËRORE TË KADASTRËS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 8, të ligjit nr.111/2018, “Për kadastrën”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Z. Dritan Palnikaj, anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, lirohet nga kjo detyrë.
2. Znj. Eva Bica emërohet anëtar i këshillit drejtues të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, përfaqësues i Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE MENDIMI KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË PËR PROJEKTLIGJIN JOQEVERITAR “PËR DISA SHTESA NË LIGJIN NR.7703, DATË 11.5.1993, “PËR SIGURIMET SHOQËRORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të neneve 82, pika 2, dhe 100, të Kushtetutës, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e mendimit Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për projektligjin joqeveritar “Për disa shtesa në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E METODAVE DHE TË PROCEDURAVE PËR SIGURIMIN E GARANCIVE FINANCIARE APO TË SIGURACIONEVE TË NEVOJSHME PËR KOMPENSIMIN E NJË DËMI TË MUNDSHËM NDAJ MJEDISIT APO PËR ELIMINIMIN E NJË KËRCËNIMI TË PASHMANGSHËM PËR DËME NË MJEDIS
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 53, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
1. Ky vendim miraton metodat dhe procedurat për sigurimin, nëpërmjet garancisë bankare ose kontratës së sigurimit, të fondeve të nevojshme që operatori duhet të vërë në dispozicion paraprakisht për kompensimin e një dëmi të mundshëm në mjedis ose për eliminimin e një kërcënimi të pashmangshëm për dëme në mjedis.
2. Ky vendim rregullon:
a) format e pranueshme të garancisë financiare dhe kushtet minimale të tyre;
b) metodën dhe procedurën për përcaktimin e vlerës së garancisë financiare;
c) paraqitjen, pranimin, vlefshmërinë, rinovimin, rishikimin dhe ekzekutimin e garancisë financiare.
3. Garancia financiare siguron përmbushjen e detyrimeve financiare të operatorit, sipas neneve 50 deri në 53, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, pa zëvendësuar detyrimin parësor të operatorit për marrjen e masave parandaluese dhe rehabilituese.
Neni 2
Fusha e zbatimit
1. Ky vendim zbatohet për çdo operator, që kryen cilëndo nga veprimtaritë e përfshira në listën e miratuar me vendimin nr.666, datë 2.9.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e listës së veprimtarive që konsiderohen si të rrezikshme për mjedisin”.
2. Ky vendim nuk zbatohet për operatorët, që kryejnë veprimtari jashtë listës së përmendur në pikën 1, të këtij neni, pa cenuar përgjegjësinë e tyre, sipas shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 50, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.
3. Ky vendim përcakton kompetencat e autoriteteve përgjegjëse për verifikimin, administrimin dhe zbatimin e këtyre garancive, pa cenuar kërkesat për garanci financiare të parashikuara në legjislacionin sektorial.
Neni 3
Përkufizimet
1. Në këtë vendim, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Garanci financiare”, çdo marrëveshje e zbatueshme ligjërisht, që plotëson kërkesat e këtij vendimi;
b) “Ofrues i garancisë financiare”, banka, dega e bankës së huaj, shoqëria e sigurimit ose dega e shoqërisë së huaj të sigurimit, e licencuar ose e autorizuar për ushtrimin e veprimtarisë përkatëse në Republikën e Shqipërisë;
c) “Garanci financiare sektoriale”, garancia e vendosur për të njëjtin operator dhe veprimtari në zbatim të legjislacionit të posaçëm;
ç) “Vlera e garancisë financiare”, shuma e përcaktuar nga AKM-ja, sipas nenit 8, të këtij vendimi;
d) “Kosto”, kostot e justifikuara nga nevoja për të siguruar zbatimin e duhur dhe efektiv të këtij vendimi, duke përfshirë kostot e vlerësimit të dëmit mjedisor, të kërcënimit të drejtpërdrejtë për një dëm të tillë dhe të alternativave të veprimit, si dhe kostot administrative, ligjore dhe të zbatimit, kostot e mbledhjes së të dhënave dhe kostot e tjera të përgjithshme, si dhe kostot e monitorimit e të mbikëqyrjes;
dh) “Sigurimi i përgjegjësisë mjedisore”, një policë sigurimi, që mbulon kostot e masave parandaluese, rehabilituese dhe të kompensimit të dëmit në mjedis, sipas legjislacionit në fuqi për mbrojtjen e mjedisit;
e) “Garanci bankare”, një angazhim me shkrim nga një bankë ose institucion financiar për të paguar, me kërkesë të autoritetit kompetent, shuma të përcaktuara për të mbuluar kostot e përgjegjësisë mjedisore, në varësi të kushteve të rëna dakord.
2. Termat e tjerë të përdorur në këtë vendim kanë kuptimin e përcaktuar në ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, dhe në legjislacionin në fuqi për veprimtarinë bankare dhe të sigurimit.
KREU II
GARANCIA FINANCIARE
Neni 4
Detyrimi për garancinë financiare
1. Detyrimi për sigurimin e garancisë financiare lind për çdo operator, që kryen një nga veprimtaritë e parashikuara në pikën 1, të nenit 2, të këtij vendimi.
2. Operatori siguron një garanci financiare të vlefshme përpara fillimit të veprimtarisë dhe e mban atë pa ndërprerje gjatë gjithë periudhës së përcaktuar në nenin 11, të këtij vendimi, dhe në përputhje me kushtet e përcaktuara në këtë vendim.
3. Garancia financiare identifikon operatorin, veprimtarinë dhe vendndodhjen që mbulon. Ajo mund të mbulojë më shumë se një veprimtari ose vendndodhje vetëm kur vlera e miratuar për secilën prej tyre është e dallueshme dhe mbulimi i njërës nuk cenon mbulimin e tjetrës.
4. Të gjitha shpenzimet për sigurimin dhe mbajtjen e garancisë financiare përballohen nga operatori.
5. Vlera e garancisë financiare nuk përbën kufi të përgjegjësisë së operatorit. Operatori mbetet përgjegjës për çdo shumë që tejkalon vlerën e saj.
6. AKM-ja njofton operatorin për detyrimin e vendosjes së garancisë financiare, vlerën e saj dhe afatin për paraqitjen e saj, në përputhje me nenin 9, të këtij vendimi.
Neni 5
Format e garancisë financiare
1. Detyrimi për garancinë financiare përmbushet me:
a) garanci bankare të parevokueshme, të pakushtëzuar dhe të pagueshme me kërkesën e parë me shkrim të AKM-së, të lëshuar nga një bankë ose degë e bankës së huaj e licencuar nga Banka e Shqipërisë; ose
b) kontratë sigurimi që mbulon përgjegjësinë për dëmin në mjedis dhe kostot e përcaktuara në nenin 7, të këtij vendimi, të lidhur me një shoqëri sigurimi ose degë të shoqërisë së huaj të sigurimit, të licencuar ose të autorizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për klasën përkatëse të sigurimit.
2. Operatori mund të përdorë një kombinim të formave të parashikuara në pikën 1, të këtij neni, me kusht që vlera e përbashkët dhe mbulimi i tyre të plotësojnë tërësisht kërkesat e këtij vendimi.
3. AKM-ja verifikon licencimin ose autorizimin e ofruesit të garancisë financiare nëpërmjet bashkërendimit me Bankën e Shqipërisë ose me Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në funksion të marrjes së informacionit përkatës. Ky verifikim nuk cenon kompetencat mbikëqyrëse të këtyre autoriteteve.
Neni 6
Kushtet minimale të garancisë financiare
1. Garancia financiare përmban, të paktën:
a) të dhënat identifikuese të operatorit, të veprimtarisë dhe të vendndodhjes së mbuluar;
b) AKM-në si përfituese të garancisë bankare ose të drejtën kontraktore të AKM-së për të kërkuar pagesën e kostove që përballon ajo sipas ligjit, në rastin e kontratës së sigurimit;
c) vlerën e garancisë financiare, monedhën dhe periudhën e vlefshmërisë;
ç) ngjarjet, masat dhe kostot e mbuluara, në përputhje me nenin 7, të këtij vendimi;
d) procedurën e kërkesës për pagesë dhe dokumentet që e shoqërojnë atë;
dh) detyrimin e ofruesit për të njoftuar AKM-në dhe operatorin jo më pak se 90 (nëntëdhjetë) ditë përpara çdo përfundimi, mosrinovimi, anulimi ose uljeje të mbulimit, kur një veprim i tillë lejohet nga ligji;
e) përcaktimin se falimentimi, paaftësia paguese, pushimi i veprimtarisë ose humbja e lejes nga operatori nuk shuan detyrimet e ofruesit për ngjarjet e mbuluara gjatë periudhës së vlefshmërisë së garancisë;
ë) zbatimin e legjislacionit shqiptar dhe juridiksionin e gjykatave shqiptare.
2. Çdo pjesë e zbritshme, bashkësigurim ose kufizim tjetër kontraktor përballohet nga operatori dhe nuk ul shumën që duhet të jetë e disponueshme për përmbushjen e detyrimeve sipas këtij vendimi.
3. Garancia financiare nuk pranohet kur përmban përjashtime ose kushte, që bien ndesh me ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, ose që e bëjnë të pamundur mbulimin e detyrimeve të përcaktuara në nenin 7, të këtij vendimi.
Neni 7
Kostot e mbuluara
1. Brenda vlerës së miratuar, garancia financiare mbulon kostot e nevojshme dhe të arsyeshme për:
a) vlerësimin e kërcënimit dhe të dëmit në mjedis, si dhe përcaktimin e masave të nevojshme;
b) masat parandaluese për eliminimin ose kufizimin e një kërcënimi të drejtpërdrejtë për dëme në mjedis;
c) kontrollin, ruajtjen, eliminimin ose menaxhimin tjetër të faktorëve, që kanë shkaktuar dëmin, me qëllim kufizimin ose parandalimin e dëmeve të mëtejshme;
ç) masat rehabilituese të përcaktuara ose të miratuara nga AKM-ja;
d) kompensimin e dëmit në mjedis, kur rehabilitimi dhe kthimi i mjedisit në gjendjen e mëparshme është i pamundur, sipas nenit 52, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar;
dh) zbatimin e masave nga AKM-ja ose nga një person i tretë i caktuar prej saj, kur operatori nuk i merr masat sipas ligjit.
2. Garancia financiare nuk mbulon gjobat, masat ndëshkuese administrative, kostot e zakonshme të ushtrimit të veprimtarisë ose kërkesat private për dëme ndaj personit apo pronës, që nuk përbëjnë dëm në mjedis, sipas ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.
Neni 8
Metoda për përcaktimin e vlerës
1. Vlera e garancisë financiare përcaktohet për çdo operator, veprimtari dhe vendndodhje nga AKM-ja, në përputhje dhe në zbatim të kritereve të miratuara në vendimin nr.665, datë 2.9.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve, në bazë të të cilave bëhet vlerësimi i kërcënimit të mundshëm dhe përcaktimi i dëmit në mjedis”.
2. Për përcaktimin e vlerës, operatori paraqet vlerësimin e rrezikut dhe preventivin e kostove të hartuara në përputhje me:
a) kriteret e miratuara me vendimin nr.665, datë 2.9.2026, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve, në bazë të të cilave bëhet vlerësimi i kërcënimit të mundshëm dhe përcaktimi i dëmit në mjedis”;
b) masat për rehabilitimin e mjedisit të dëmtuar, të miratuara me urdhrin e ministrit të Mjedisit, në mbështetje të shkronjës “a”, të pikës 4, të nenit 50, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar;
c) metodën për specifikimin e shpenzimeve për përcaktimin dhe eliminimin e kërcënimit dhe të dëmit, të miratuara me urdhrin e ministrit të Mjedisit, në mbështetje të shkronjës “b”, të pikës 4, të nenit 50, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.
3. Vlerësimi merr parasysh, sipas rastit, natyrën dhe shkallën e veprimtarisë, teknologjinë, llojin dhe sasinë e substancave ose të mbetjeve, rrugët e mundshme të përhapjes, gjendjen fillestare dhe ndjeshmërinë e mjedisit pritës, masat parandaluese ekzistuese, historikun e incidenteve dhe kostot e zbatimit të masave nga një person i tretë.
4. Vlera e garancisë financiare nuk mund të jetë më e ulët se kostoja e plotë e vlerësuar e masave dhe e kompensimit, që mund të kërkohen njëkohësisht për skenarin më të rëndë të parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme, pa llogaritur dy herë të njëjtën kosto.
5. Madhësia, forma juridike ose gjendja financiare e operatorit nuk përbën shkak për uljen e vlerës së nevojshme sipas pikës 4, të këtij neni.
KREU III
PROCEDURA E PËRCAKTIMIT, PRANIMIT DHE RISHIKIMIT
Neni 9
Përcaktimi i vlerës nga AKM-ja
1. Operatori dorëzon në rrugë shkresore pranë AKM-së dokumentacionin e përcaktuar në pikën 2, të nenit 8, të këtij vendimi, përpara fillimit të veprimtarisë dhe në rastet e rishikimit sipas nenit 12, të këtij vendimi.
2. AKM-ja, brenda 5 (pesë) ditëve punë, shqyrton dokumentacionin dhe, në rast se konstaton që dokumentacioni i depozituar nga operatori nuk është i plotë apo ka pasaktësi, e njofton atë duke i kërkuar plotësimin e dokumentacionit dhe të pasaktësive të konstatuara, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga dita e njoftimit. AKM-ja mund të kryejë edhe verifikim në vend dhe të përdorë të dhënat që disponohen nga leja e mjedisit, vlerësimi i ndikimit në mjedis, monitorimi, inspektimi dhe regjistrat publikë.
3. Brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve punë nga marrja e dokumentacionit të plotë, AKM-ja përcakton, me vendim të arsyetuar, vlerën, mbulimin, kohëzgjatjen dhe afatin për paraqitjen e garancisë financiare.
4. Kundër vendimit të AKM-së, operatori ka të drejtën e ankimit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
Neni 10
Paraqitja dhe pranimi i garancisë financiare
1. Operatori paraqet pranë AKM-së, brenda afatit të caktuar në vendimin sipas nenit 9, të këtij vendimi:
a) origjinalin ose dokumentin elektronik të nënshkruar në mënyrë të vlefshme të garancisë financiare;
b) provën e pagesës së primit, kur zbatohet, dhe çdo dokument tjetër, që provon hyrjen në fuqi të mbulimit;
c) të dhënat e kontaktit të ofruesit të garancisë financiare;
ç) tabelën që lidh secilën kosto të miratuar me mbulimin përkatës të instrumentit, kur përdoret një kombinim garancish;
d) çdo dokumentacion mbështetës të kërkuar nga AKM-ja.
2. AKM-ja, brenda 20 (njëzet) ditëve punë nga marrja e dokumentacionit të plotë, verifikon përputhjen me vendimin për përcaktimin e vlerës dhe me kërkesat e neneve 5 deri në 7, të këtij vendimi.
3. AKM-ja shprehet me vendim të arsyetuar për pranimin e garancisë financiare dhe ia komunikon atë operatorit.
4. Në rastet kur garancia financiare nuk është përputhje me vendimin për përcaktimin e vlerës apo nuk plotëson kërkesat e këtij vendimi, AKM-ja njofton operatorin që, brenda 5 (pesë) ditëve punë nga marrja e njoftimit, të plotësojë mangësitë e konstatuara.
5. Pas kalimit të afatit të përcaktuar në pikën 4, të këtij neni, AKM-ja shprehet me vendim të arsyetuar për pranimin ose jo të garancisë financiare dhe ia komunikon atë operatorit.
6. Kundër vendimit të AKM-së, operatori ka të drejtën e ankimit, në përputhje me parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative.
Neni 11
Vlefshmëria dhe vazhdimësia
1. Garancia financiare mbahet e vlefshme pa ndërprerje gjatë ushtrimit të veprimtarisë dhe pas përfundimit ose mbylljes së saj, për periudhën që AKM-ja përcakton me vendim të arsyetuar, duke u bazuar në rrezikun e mbetur, masat rehabilituese dhe detyrimet pas mbylljes, sipas legjislacionit sektorial.
2. Operatori paraqet garancinë e rinovuar ose zëvendësuese jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë përpara mbarimit të afatit të garancisë ekzistuese.
3. Për qëllimet e këtij vendimi, ulja e vlerës, kufizimi i mbulimit, anulimi ose zëvendësimi nuk prodhojnë efekt pa pranimin paraprak me shkrim të AKM-së dhe pa hyrjen në fuqi të mbulimit zëvendësues.
4. Garancia financiare lirohet vetëm pas mbylljes së veprimtarisë, me vendim të arsyetuar të AKM-së, pasi të jetë verifikuar se nuk ekziston një kërcënim i drejtpërdrejtë dhe se janë përmbushur të gjitha detyrimet parandaluese, rehabilituese dhe të kompensimit të mbuluara prej saj.
Neni 12
Rishikimi i vlerës dhe i mbulimit
1. Operatori i paraqet AKM-së, një herë në vit, jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë përpara përfundimit të afatit të garancisë, konfirmimin e vlefshmërisë së garancisë financiare dhe të dhënat për çdo ndryshim të rrezikut ose të kostove.
2. Vlera dhe mbulimi rishikohen edhe kur:
a) ndryshon veprimtaria, teknologjia, kapaciteti, lloji ose sasia e substancave dhe mbetjeve;
b) ndryshon leja e mjedisit ose një leje tjetër, që ndikon në rrezikun mjedisor;
c) ndodh një incident, konstatohet ndotje ose ndryshon gjendja e mjedisit pritës;
ç) ndryshojnë masat rehabilituese ose kostot për zbatimin e tyre;
d) AKM-ja disponon të dhëna të reja, që ndikojnë në skenarin ose në koston e miratuar.
3. Në rastet kur, nga rishikimi, rezulton se vlera ose mbulimi është i pamjaftueshëm, AKM-ja i kërkon operatorit plotësimin e garancisë financiare brenda afatit prej 5 (pesë) ditësh punë, të përcaktuar në vendimin e arsyetuar.
4. Ulja e vlerës miratohet vetëm kur provohet një ulje e qëndrueshme e rrezikut ose e kostove dhe nuk cenohen detyrimet ekzistuese.
KREU IV
EKZEKUTIMI, MONITORIMI DHE BASHKËRENDIMI
Neni 13
Ekzekutimi i garancisë financiare
1. AKM-ja kërkon ekzekutimin e garancisë financiare, brenda vlerës së saj, kur:
a) operatori nuk merr masat parandaluese ose rehabilituese të kërkuara, sipas nenit 50, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, brenda afatit të përcaktuar nga AKM-ja;
b) operatori nuk paguan kompensimin e përcaktuar sipas nenit 52, të po atij ligji;
c) operatori është në pamundësi financiare për të përmbushur detyrimet e mësipërme, përfshirë rastin e hapjes së procedurës së falimentimit.
2. Kërkesa për pagesë mbështetet në aktin administrativ përkatës të AKM-së dhe përmban identifikimin e garancisë, shumën e kërkuar dhe llogarinë, ku duhet të kryhet pagesa.
3. Garancia bankare paguhet sipas kushteve të saj me kërkesën e parë me shkrim të AKM-së. Kërkesa ndaj shoqërisë së sigurimit trajtohet sipas legjislacionit për sigurimin dhe kushteve të kontratës së pranuar nga AKM-ja.
4. Pagesat e përfituara nga ekzekutimi i garancisë financiare përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove të përcaktuara në nenin 7, të këtij vendimi, dhe administrohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
5. Ekzekutimi i garancisë financiare nuk e shkarkon operatorin nga detyrimi për të përballuar kostot, që tejkalojnë shumën e paguar ose detyrimet e tjera të parashikuara nga ligji.
Neni 14
Monitorimi dhe mospërmbushja
1. AKM-ja monitoron vlefshmërinë, vlerën dhe mbulimin e garancisë financiare. Struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit kontrollon përmbushjen e detyrimit, sipas kompetencave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi.
2. Kur garancia mungon, ka përfunduar, është ulur ose nuk plotëson kërkesat e këtij vendimi, AKM-ja i kërkon operatorit plotësimin ose zëvendësimin e saj brenda 10 (dhjetë) ditëve punë, duke marrë parasysh natyrën dhe rrezikun e menjëhershëm.
3. Në rast mospërmbushjeje, AKM-ja njofton strukturën përgjegjëse inspektuese dhe, sipas rastit, autoritetin përgjegjës për lejet. Masat administrative dhe sanksionet për shkeljet e detyrimeve të parashikuara në këtë vendim vendosen vetëm në rastet e parashikuara në legjislacionin në fuqi, si dhe vetëm nga organet dhe sipas procedurave të parashikuara në të.
Neni 15
Bashkërendimi me garancitë financiare sektoriale
1. Ky vendim nuk cenon detyrimet për garanci financiare të parashikuara nga legjislacioni sektorial në fuqi, të zbatueshëm për veprimtari të caktuara.
2. Nëse garancia financiare e kërkuar sipas legjislacionit sektorial mbulon plotësisht kostot e masave parandaluese, kompensimin e një dëmi të mundshëm ndaj mjedisit dhe kostove të tjera të përgjegjësisë mjedisore, sipas ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, nuk kërkohet vendosja e një garancie financiare shtesë, sipas këtij vendimi.
3. Në rastet kur garancia financiare sektoriale mbulon vetëm pjesërisht detyrimet e parashikuara në këtë vendim, operatori siguron një garanci financiare plotësuese vetëm për pjesën e pambuluar.
4. AKM-ja njeh një garanci financiare sektoriale për përmbushjen e plotë ose të pjesshme të detyrimit sipas këtij vendimi vetëm në masën që ajo:
a) mbulon të njëjtën veprimtari, vendndodhje, rreziqe, masa dhe kosto;
b) ka vlerë dhe kohëzgjatje jo më të ulët se ato të përcaktuara nga AKM-ja;
c) i siguron AKM-së ose autoritetit publik përkatës të drejtën efektive për të kërkuar përdorimin e saj për kostot e mbuluara.
5. Për të njëjtat kosto të masave parandaluese, për kompensimin e një dëmi të mundshëm ndaj mjedisit dhe kostove të tjera të përgjegjësisë mjedisore, sipas këtij vendimi, nuk mund të kërkohet mbulimi financiar më shumë se një herë nga garanci të ndryshme financiare.
6. AKM-ja dhe autoritetet publike përgjegjëse për administrimin e garancive financiare sektoriale bashkëpunojnë e shkëmbejnë informacion për të verifikuar mbulimin e detyrimeve, për të shmangur mbivendosjen e garancive dhe për të parandaluar mbulimin e dyfishtë të së njëjtës kosto.
Neni 16
Të dhënat për garancitë financiare
AKM-ja mban të dhënat për garancitë financiare, ku përfshihen operatorët, veprimtaria, vendndodhja, forma e garancisë, vlera, ofruesi, periudha e vlefshmërisë, rishikimi i vlerës dhe ekzekutimi i garancisë financiare.
KREU V
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 17
Dispozita kalimtare
1. Operatorët, që, në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ushtrojnë një veprimtari të përfshirë në listën e përmendur në pikën 1, të nenit 2, të këtij vendimi, paraqesin pranë AKM-së vlerësimin e rrezikut dhe preventivin e kostove brenda 6 (gjashtë) muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
2. Operatorët, sipas pikës 1, të këtij neni, sigurojnë garancinë financiare të pranuar nga AKM-ja jo më vonë se 12 (dymbëdhjetë) muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
3. Për operatorët që fillojnë veprimtarinë pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, detyrimi përmbushet përpara fillimit të veprimtarisë.
Neni 18
Institucionet zbatuese
Ngarkohen Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Neni 19
Hyrja në fuqi
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.662, DATË 13.10.2022, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I SEGMENTIT RRUGOR “RISHIKIMI I PROJEKTIT PËR SEGMENTIN RRUGOR TË VAZHDIMIT TË ‘UNAZËS SË MADHE’ TIRANË NGA ‘SHESHI SHQIPONJA’ – ‘BULEVARDI I RI’ DHE ‘RIKUALIFIKIMI I ‘UNAZËS LINDORE’ PËR LOTET 4, 5, 6”, TË NDRYSHUAR”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.662, datë 13.10.2022, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i segmentit rrugor “Rishikimi i projektit për segmentin rrugor të vazhdimit të ‘Unazës së madhe’ Tiranë nga ‘Sheshi Shqiponja’ – ‘Bulevardi i ri’ dhe ‘Rikualifikimi i ‘Unazës lindore’ për lotet 4, 5, 6”, të ndryshuar”, bëhen ndryshimet dhe shtesat e mëposhtme:
a) Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, “ndërtesë”, “apartament”, “njësi” dhe “bodrum”, me një vlerë të përgjithshme prej 4 289 967 687.6 (katër miliardë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) lekësh.”.
b) Në pikën 4 bëhen këto ndryshime:
i. Në fjalinë hyrëse, vlera e përgjithshme e shpronësimit prej “… 4 287 593 896 (katër miliardë e dyqind e tetëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e nëntëdhjetë e tre mijë e tetëqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekësh …” zëvendësohet me vlerën “… 4 289 967 687.6 (katër miliardë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë milionë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e shtatë pikë gjashtë) lekësh …”;
ii. Në shkronjën “a”, vlera prej “… 4 164 885 397 (katër miliardë e njëqind e gjashtëdhjetë e katër milionë e tetëqind e tetëdhjetë e pesë mijë e treqind e nëntëdhjetë e shtatë) lekësh …” zëvendësohet me vlerën “… 4 167 259 188.6 (katër miliardë e njëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e pesëdhjetë e nëntë mijë e njëqind e tetëdhjetë e tetë pikë gjashtë) lekësh …”.
c) Në tabelën bashkëlidhur vendimit, pas numrit rendor 340 shtohet pasuria me numër rendor 341, sipas tabelës, që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Jug, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIE SHTESE PENSIONI TË POSAÇËM SHTETËROR ZNJ. QAMILE METAN MARRA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Dhënien e shtesës së pensionit të posaçëm shtetëror znj. Qamile Metan Marra, në masën e dhjetëfishit të pensionit social, por shuma e pensionit të caktuar sipas ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, dhe përfitimeve të caktuara sipas ligjeve për skemat suplementare dhe trajtimet e veçanta, plus këtë shtesë, të mos kalojë dymbëdhjetëfishin e pensionit social.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E RAPORTIT TË GJASHTË PERIODIK KOMBËTAR PËR ZBATIMIN E KONVENTËS KUADËR TË KËSHILLIT TË EVROPËS “PËR MBROJTJEN E MINORITETEVE”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 4, të nenit 25, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 25, të konventës kuadër të Këshillit të Evropës, “Për mbrojtjen e minoriteteve”, ratifikuar me ligjin nr.8496, datë 3.6.1999, “Për ratifikimin e “Konventës kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e minoriteteve””, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e Raportit të Gjashtë Periodik Kombëtar për zbatimin e konventës kuadër të Këshillit të Evropës “Për mbrojtjen e minoriteteve”, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
RISHPËRNDARJE FONDESH NDËRMJET PROGRAMEVE BUXHETORE TË MINISTRISË SË INFRASTRUKTURËS DHE ENERGJISË, NË BUXHETIN E MIRATUAR PËR VITIN 2026
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 44, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 17, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në buxhetin e vitit 2026, miratuar për Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, bëhet rishpërndarja e fondeve, ndërmjet programeve buxhetore, si më poshtë vijon:
a) Në programin buxhetor “Transporti hekurudhor”, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente pakësohet në vlerën prej 9 000 000 (nëntë milionë) lekësh;
b) Në programin buxhetor “Mbështetje për burimet natyrore”, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente pakësohet në vlerën prej 10 082 000 (dhjetë milionë e tetëdhjetë e dy mijë) lekësh;
c) Në programin buxhetor “Mbështetje për energjinë”, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente pakësohet në vlerën prej 12 300 000 (dymbëdhjetë milionë e treqind mijë) lekësh;
ç) Në programin buxhetor “Transporti detar”, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente pakësohet në vlerën prej 18 655 000 (tetëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e pesëdhjetë e pesë mijë) lekësh;
d) Në programin buxhetor “Furnizimi me ujë dhe kanalizime”, tavani buxhetor i shpenzimeve korrente shtohet në vlerën prej 50 037 000 (pesëdhjetë milionë e tridhjetë e shtatë mijë) lekësh.
2. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “NDËRTIMI I NYJËS QË LIDH RRUGËN E LAKNASIT ME PROJEKTIN “ZGJERIMI I SUPERSTRADËS TIRANË – DURRËS””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i nyjës që lidh rrugën e Laknasit me projektin “Zgjerimi i superstradës Tiranë – Durrës””.
2. Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.
3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë e llojit “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 19 916 795.10 (nëntëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë dhjetë) lekësh.
4. Vlera e përgjithshme e shpronësimit prej 19 916 795.10 (nëntëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e gjashtëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e nëntëdhjetë e pesë pikë dhjetë) lekësh përballohet nga buxheti i shtetit, llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë.
5. Vlera e shpenzimeve procedurale, në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohet nga buxheti i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
6. Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 (tre) muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
7. Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim, pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
8. Agjencia Shtetërore për Shpronësimin kryen procedurat për likuidimin e pronarëve të shpronësuar, sipas përcaktimeve të bëra në këtë vendim.
9. Në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidimin e masës së shpërblimit për pasuritë, pronë private, që shpronësohen me anë të këtij vendimi, verifikohen kufizimet hipotekare të regjistruara mbi to. Për pasuritë, mbi të cilat rezultojnë të regjistruara hipotekë në favor të bankave ose institucioneve financiare jobankare, likuidimi i masës së shpërblimit kryhet duke respektuar të drejtat e kreditorëve hipotekarë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, pas administrimit e vlerësimit të dokumentacionit, që vërteton ekzistencën dhe masën e detyrimit të garantuar, si dhe mënyrën e shlyerjes së tij e të çlirimit të pasurisë nga barra hipotekare.
10. Afati i fillimit dhe i përfundimit të punimeve është në përputhje me afatet e parashikuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
11. Autoriteti Rrugor Shqiptar, pas miratimit të këtij vendimi, aplikon menjëherë pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, e cila, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e miratimit të vendimit, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
12. Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara, deri në momentin e realizimit të procesit të hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Autoritetin Rrugor Shqiptar, për pasuritë e shpronësuara, sipas këtij vendimi.
13. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Tiranë Rurale 2, Agjencia Shtetërore për Shpronësimin, si dhe Drejtoria e Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.94, DATË 12.2.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA REALIZIMI I PROJEKTIT “RIKONSTRUKSIONI I SEGMENTIT RRUGOR “SHËN GJERGJI”-“NAUN KAÇAKU” (ISH-URA ME SHKALLË–STACIONI I PATOSIT), FIER””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë private për interes publik”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.94, datë 12.2.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i segmentit rrugor “Shën Gjergji”-“Naun Kaçaku” (ish – ura me shkallë-stacioni i Patosit), Fier””, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:
a) Në pikat 3 dhe 4, vlera “… 13 684 429 (trembëdhjetë milionë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër mijë e katërqind e njëzet e nëntë) lekësh …” zëvendësohet me “…13 979 684 (trembëdhjetë milionë e nëntëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e tetëdhjetë e katër) lekë …”;
b) Në tabelën, bashkëlidhur vendimit, shtohet pasuria me numër rendor 19, sipas tabelës që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, përballohen nga buxheti i Bashkisë Fier.
3. Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Bashkia Fier, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Fier, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
KRYEMINISTRI
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.253, DATË 27.4.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR CAKTIMIN E ELEMENTEVE TË SIGURISË DHE PËR MIRATIMIN E FORMËS DHE TË MODELIT TË DOKUMENTIT TË IDENTITETIT TË SHTETASVE SHQIPTARË”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 8, të ligjit nr.8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik dhe digjital të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.253, datë 27.4.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për caktimin e elementeve të sigurisë dhe për miratimin e formës dhe të modelit të dokumentit të identitetit të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa:
a) Në titullin e vendimit, pas fjalës “… shqiptarë …” shtohen fjalët “, … si dhe mënyrën e shpërndarjes …”;
b) Pas pikës 2 shtohen pikat 2/1 dhe 2/2, me këtë përmbajtje:
“2/1. Miratimin e mënyrës së shpërndarjes së letërnjoftimit elektronik për shtetasit shqiptarë, sipas aneksit nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2/2. Për qëllime të këtij vendimi, termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
a) “Autoriteti përgjegjës” nënkupton shoqërinë aksionare përgjegjëse për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike;
b) “Shpërndarja e letërnjoftimit elektronik” është procesi i vënies në dispozicion dhe dorëzimit të sigurt të letërnjoftimit elektronik të shtetasit shqiptar te mbajtësi i ligjshëm, pas përfundimit të procedurës së aplikimit dhe personalizimit të dokumentit;
c) “Zyrë aplikimi” është struktura e administruar nga autoriteti përgjegjës, e organizuar brenda vendit, në bashkëpunim me njësitë e vetëqeverisjes vendore, ndërsa jashtë vendit, e organizuar në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme.”.
2. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme dhe shoqëria aksionare përgjegjëse për prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.715, DATË 26.11.2025, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPALLJEN E DISA ZONAVE ME PËRPARËSI ZHVILLIMIN E EKONOMISË MALORE NË BASHKINË MAT”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 4, të ligjit nr.20/2025, “Për paketën e maleve”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Në vendimin nr.715, datë 26.11.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Mat”, bëhen këto shtesa:
1. Pas shkronjës “c”, të pikës 1, shtohen shkronjat “ç”, “d”, “dh”, “e”, “ë”, “f”, “g”, “gj”, “h”, “i”, “j”, “k”, “l”, “ll”, “m”, “n” dhe “nj”, me këtë përmbajtje:
“ç) Zona nr.4, fshati Macukull, pjesë e njësisë administrative Macukull, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 2 921 (dy mijë e nëntëqind e njëzet e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
d) Zona nr.5, fshati Bushkash, pjesë e njësisë administrative Ulëz, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 206 (dyqind e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
dh) Zona nr.6, qyteti Ulëz, pjesë e njësisë administrative Ulëz, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 571 (pesëqind e shtatëdhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
e) Zona nr.7, fshati Madhesh, pjesë e njësisë administrative Ulëz, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 626 (gjashtëqind e njëzet e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ë) Zona nr.8, fshati Stojan, pjesë e njësisë administrative Ulëz, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 3 137 (tre mijë e njëqind e tridhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
f) Zona nr.9, fshatrat Rukaj, Rremull, Prellë dhe Dukagjin, pjesë të njësive administrative Rukaj dhe Derjan, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 423 (katërqind e njëzet e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
g) Zona nr.10, fshatrat Gjoçaj dhe Lam i Madh, pjesë të njësisë administrative Derjan, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 1 472 (një mijë e katërqind e shtatëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
gj) Zona nr.11, fshatrat Bruç dhe Laç, pjesë të njësisë administrative Rukaj, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 552 (pesëqind e pesëdhjetë e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
h) Zona nr.12, fshatrat Vinjoll dhe Gjalish, pjesë të njësisë administrative Lis, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 1 602 (një mijë e gjashtëqind e dy) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
i) Zona nr.13, fshatrat Rremull, Rukaj, Derjan dhe Burgajet, pjesë të njësive administrative Rukaj, Derjan dhe Lis, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 827 (tetëqind e njëzet e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
j) Zona nr.14, fshati Zall Gjoçaj, pjesë e njësive administrative Derjan dhe Macukull, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 595 (pesëqind e nëntëdhjetë e pesë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
k) Zona nr.15, fshati Macukull, pjesë e njësisë administrative Macukull, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 157 (njëqind e pesëdhjetë e shtatë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
l) Zona nr.16, fshatrat Baz dhe Karicë, pjesë e njësive administrative Baz dhe Komsi, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 2 534 (dy mijë e pesëqind e tridhjetë e katër) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
ll) Zona nr.17, fshati German, pjesë e njësisë administrative Komsi, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 731 (shtatëqind e tridhjetë e një) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
m) Zona nr.18, fshatrat Shëlli dhe Vig, pjesë të njësisë administrative Macukull, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 1 289 (një mijë e dyqind e tetëdhjetë e nëntë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
n) Zona nr.19, fshatrat Midhë dhe Fshat Burrel, pjesë të njësive administrative Burrel dhe Komsi, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 566 (pesëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH;
nj) Zona nr.20, fshati Selixë, pjesë e njësisë administrative Komsi, Bashkia Mat, Qarku Dibër, me sipërfaqe 63 (gjashtëdhjetë e tre) ha, sipas hartës në sistemin KRGJSH.”.
2. Hartave treguese, sipas sistemit KRGJSH, që i bashkëlidhen vendimit nr.715, datë 26.11.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e disa zonave me përparësi zhvillimin e ekonomisë malore në Bashkinë Mat”, u shtohen hartat treguese, sipas sistemit KRGJSH për zonat nr.4, nr.5, nr.6, nr.7, nr.8, nr.9, nr.10, nr.11, nr.12, nr.13, nr.14, nr.15, nr.16, nr.17, nr.18, nr.19 dhe nr.20, të cilat i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.
II. Ngarkohen Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Bashkia Mat për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.45, DATË 29.1.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KALIMIN NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË BUJQËSISË DHE ZHVILLIMIT RURAL TË FONDIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE DHE ISH-INSTITUCIONEVE KËRKIMORE-SHKENCORE TË KËSAJ MINISTRIE, AKTUALISHT NË DISPOZICION TË AGJENCISË SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10, pika 3, e 13, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në pikën 1, të vendimit nr.45, datë 29.1.2014, të Këshillit të Ministrave, “Për kalimin në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të fondit të tokës bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore dhe ish-institucioneve kërkimore-shkencore të kësaj ministrie, aktualisht në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, të ndryshuar, pas fjalisë së fundit shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:
“Sipërfaqja prej 81.5592 (tetëdhjetë e një pikë pesë mijë e pesëqind e nëntëdhjetë e dy) ha, pjesë e sipërfaqes 18 076 (tetëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) ha, është sipas formularëve 4 (katër) fletë dhe planrilevimeve 17 (shtatëmbëdhjetë) fletë, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse të tij.”.
2. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA