Ministri Karakaçi: 118 milionë euro për rehabilitimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve në Durrës
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri të ditur miratimin e disa projekteve për përmirësimin dhe zgjerimin e infrastrukturës së ujësjellës-kanalizimeve në Durrës dhe Tiranë, si dhe për eficiencën energjetike në shkollat publike. Një nga projektet lidhet me rehabilitimin e sistemit të ujësjellësit, të kanalizimeve dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës, në kuadër të marrëveshjes së miratuar me qeverinë franceze. Projekti ka një vlerë prej rreth 118 milionë eurosh, nga të cilat rreth 80 milionë euro janë grant nga Bashkimi Evropian, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Ministri Karakaçi njoftoi gjithashtu zgjerimin e fazës së investimit në Durrës, që përfshin zonat e Porto Romanos, Shkozetit dhe Spitallës, për të cilat është alokuar një grant prej 50 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor. Investimi do të mundësojë edhe zgjerimin e sistemit të ujësjellës-kanalizimeve dhe impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura përtej qytetit të Durrësit. Për Tiranën, ministri bëri të ditur miratimin e dy projekteve të tjera. I pari parashikon përmirësimin e sistemit të ujësjellësit, me ndërtimin e rreth 40 kilometrave tubacione të reja, rehabilitimin e 10 kilometrave tubacione ekzistuese, si dhe përfshirjen e sistemeve SCADA dhe sistemeve inteligjente të matjes. Projekti, me vlerë rreth 80 milionë euro, do të bashkëfinancohet me Bankën Evropiane të Investimeve, ndërsa synohet përfitimi i një granti që mbulon mbi 50% të fondit të investimit. Projekti i dytë, i zhvilluar në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, ka një vlerë rreth 22 milionë euro dhe parashikon investime për eficiencën energjetike në 50 shkolla publike, përmes rehabilitimit strukturor, vendosjes së paneleve diellore dhe sistemeve kapot, me synim përmirësimin e performancës energjetike.