Ministrja Ibrahimaj: Rishikohet sistemi i prokurimeve publike, brenda vjeshtës nisin procedurat për përdorimin e inteligjencës artificiale

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se qeveria po rishikon mënyrën e zhvillimit të prokurimeve publike, me synim krijimin e një sistemi më të qëndërzuar dhe transparent, ndërsa është prezantuar edhe një model për sinkronizimin e sistemeve që lidhen me procesin. Pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja Ibrahimaj deklaroi se brenda vjeshtës pritet të nisin procedurat për përdorimin e inteligjencës artificiale në prokurimet publike. Sipas saj, ndryshimet synojnë gjithashtu që qytetarët të kenë më shumë informacion për procedurat e prokurimit dhe zbatimin e kontratave. Ministrja bëri të ditur se në modelin e prezantuar, Operatori i Blerjeve të Përqendruara do të marrë më shumë peshë në kryerjen e proceseve të prokurimeve publike, ndërsa do të sinkronizohen sistemet e Ministrisë së Financave, Agjencisë së Prokurimit Publik dhe Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, së bashku me zbatimin e kontratave, deri te sistemet e fiskalizimit. “Në këtë mënyrë, në çdo moment, fondet publike do të jenë të gjurmueshme, të kontrollueshme dhe transparente për të gjithë ata që do të jenë të interesuar”, theksoi ajo.