Prezantohen “Pasqyra e Çmimeve” dhe “Kurse”, transparencë dhe çmime më të ulëta për konsumatorët

Platforma digjitale “Pasqyra e Çmimeve” është tashmë funksionale, duke u mundësuar qytetarëve të krahasojnë çmimet e produkteve në rrjetet e supermarketeve dhe të identifikojnë alternativat më ekonomike për blerjet e përditshme. Platforma nis me 238 produkte të ndara në 13 kategori, me synimin për të rritur transparencën e çmimeve dhe për të nxitur konkurrencën në treg.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, morën pjesë në prezantimin e platformës “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismës “Kurse”, të realizuara në bashkëpunim mes qeverisë, rrjeteve të supermarketeve dhe furnitorëve. Gjatë prezantimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit bëri të ditura të dhënat mbi funksionimin e platformës dhe ofertat me çmime të reduktuara të përfshira në nismën “Kurse”.

Nisma “Kurse” përfshin 325 oferta me çmime të reduktuara, që do të jenë të vlefshme deri më 12 janar 2027. Sipas të dhënave të prezantuara, ulja mesatare e çmimeve për këto oferta është 13,3%, ndërsa për produkte të caktuara arrin deri në 40%, duke synuar lehtësimin e shpenzimeve të përditshme të familjeve shqiptare.

Nisma vjen në vijim të diskutimeve të zhvilluara më herët mes qeverisë dhe përfaqësuesve të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, ku u theksua nevoja për më shumë transparencë në formimin e çmimeve përgjatë zinxhirit të furnizimit, si dhe për masa që mbështesin fuqinë blerëse të konsumatorëve.

“Pasqyra e Çmimeve” dhe “Kurse” synojnë të nxisin konkurrencën mes operatorëve të tregut, të forcojnë mbrojtjen e konsumatorit dhe të kontribuojnë në uljen e kostove të përditshme për familjet shqiptare.