Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, nga Luksemburgu: Qytetarët e informuar dhe të angazhuar, në themel të qëndrueshmërisë demokratike
Shqipëria asociohet me Qendrën Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike, duke forcuar bashkëpunimin me Bashkimin Evropian për mbrojtjen e proceseve demokratike dhe përballimin e dezinformimit.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Luksemburg në takimin e zhvilluar në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, ku u vendos asociimi formal i Shqipërisë në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike, së bashku me partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera kandidate.
Në fokus të fjalës së tij, ministri Hoxha vendosi rolin e qytetarëve në mbrojtjen e demokracisë, rëndësinë e informimit të saktë dhe nevojën për një shoqëri të ndërgjegjësuar e të angazhuar përballë manipulimit të informacionit dhe ndërhyrjeve të huaja.
“Një përgjigje që përfshin të gjithë shoqërinë mund të ketë sukses vetëm kur vetë shoqëria është e informuar, e ndërgjegjësuar dhe e angazhuar”, theksoi Hoxha, duke nënvizuar se qëndrueshmëria demokratike nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve, por kërkon pjesëmarrjen aktive të qytetarëve.
Ministri u ndal veçanërisht te sfidat që paraqet manipulimi dhe ndërhyrja e huaj në hapësirën informative (FIMI), duke theksuar se këto fenomene nuk cenojnë vetëm funksionimin e institucioneve, por synojnë të dobësojnë besimin e qytetarëve dhe cilësinë e debatit demokratik.
Sipas Hoxhës, përvoja e Shqipërisë në përballimin e sulmeve kibernetike dhe forcimin e qëndrueshmërisë institucionale përbën një bazë të rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët evropianë. Ai theksoi gjithashtu nevojën për një komunikim publik më të fuqishëm dhe më të koordinuar, që ndihmon qytetarët të identifikojnë manipulimin e informacionit dhe të përballojnë sfidat e reja në hapësirën digjitale.
Duke e lidhur këtë bashkëpunim me procesin e integrimit evropian, Hoxha u shpreh se përfshirja e vendeve kandidate në mekanizmat e përbashkët evropianë u jep qytetarëve një kuptim më konkret të zgjerimit të BE-së.
“Kur qytetarët në mbarë Evropën shohin shtetet anëtare dhe vendet kandidate të punojnë krah për krah për të mbrojtur qëndrueshmërinë demokratike, ata e kuptojnë zgjerimin për atë që është në të vërtetë: një investim i përbashkët në të ardhmen tonë të përbashkët”, deklaroi ministri.
Asociimi i Shqipërisë në Qendrën Evropiane për Qëndrueshmërinë Demokratike synon të zgjerojë bashkëpunimin praktik me Bashkimin Evropian në përballimin e kërcënimeve ndaj proceseve demokratike, duke vendosur në vëmendje mbrojtjen e besimit publik, informimin e qytetarëve dhe forcimin e qëndrueshmërisë së shoqërisë.
“Për Shqipërinë, qëndrueshmëria demokratike dhe anëtarësimi në BE janë të pandashme”, përfundoi Hoxha.