Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti: Apel për protesta paqësore, mbrojtjen e të rinjve dhe bashkëpunimin me prindërit.

Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, ka deklaruar se situata e rendit dhe sigurisë publike është nën kontroll, pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara gjatë protestave, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë. Përmes një deklarate për mediat, ajo u bëri thirrje të rinjve të distancohen nga dhuna, ndërsa falënderoi prindërit dhe kujdestarët për bashkëpunimin në garantimin e frekuentimit të rregullt të shkollës nga fëmijët.

“Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duam t’i drejtohemi me një falënderim të veçantë të gjithë prindërve dhe kujdestarëve, të cilët iu përgjigjën thirrjes sonë për bashkëpunim dhe sot shoqëruan fëmijët e tyre për frekuentimin e rregullt të orëve të mësimit, duke bërë të mund mos përfshirjen e tyre në një protestë ku ekziston rreziku i përplasjeve të dhunshme”, u shpreh zëvendësministrja.

Duke u ndalur te situata e sigurisë, Ruseti theksoi se Policia e Shtetit vijon të jetë në krye të detyrës për garantimin e rendit publik, ndërsa paralajmëroi se përfshirja në akte të dhunshme sjell përgjegjësi individuale përpara ligjit, pavarësisht ushtrimit të së drejtës për të protestuar.

“Dua të theksoj se, pavarësisht akteve të veçuara të dhunës të regjistruara deri në këto orë të pasdites, përfshirë sulmin ndaj Gjykatës së Apelit në Tiranë, situata është nën kontroll dhe Policia e Shtetit është në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike”, deklaroi ajo.

Zëvendësministrja solli në vëmendje edhe pasojat ligjore për të miturit e përfshirë në veprime të kundërligjshme, duke sqaruar se, sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Ajo nënvizoi se çdo rast do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e provave, duke respektuar prezumimin e pafajësisë dhe interesin më të lartë të fëmijës.

“Të rinjtë dhe prindërit duhet të jenë të informuar se mosha e mitur nuk i përjashton automatikisht nga përgjegjësia penale. Sipas Kodit Penal, përgjegjësia penale për krimet fillon në moshën 14 vjeç, ndërsa për kundërvajtjet penale në moshën 16 vjeç. Përgjegjësia do të vlerësohet individualisht, mbi bazën e veprimeve dhe provave për secilin person, duke respektuar në çdo rast prezumimin e pafajësisë”, theksoi Ruseti.

Duke ritheksuar se e drejta për protestë paqësore duhet të respektohet, zëvendësministrja u bëri thirrje të rinjve të mos bien pre e nxitjeve për dhunë, presionit të grupit apo thirrjeve në rrjetet sociale, që mund të rrezikojnë sigurinë dhe të ardhmen e tyre.

“Të rinjve që ndodhen pranë zonave të përplasjeve u bëjmë thirrje edhe një herë, largohuni nga dhuna! Mos lejoni që nxitja e dikujt tjetër, presioni i grupit apo thirrje në rrjetet sociale t’ju çojë drejt veprimeve që mund të rrezikojnë jetën tuaj dhe të të tjerëve! Ushtrojeni të drejtën tuaj për protestë në mënyrë paqësore dhe me përgjegjësi!”, u shpreh ajo.

Në përfundim, zëvendësministrja Ruseti kërkoi vijimin e bashkëpunimit të prindërve dhe kujdestarëve me institucionet shtetërore, duke theksuar rëndësinë e komunikimit me fëmijët për pasojat fizike, psikologjike dhe ligjore të dhunës.

“Prindër dhe kujdestarë, vijoni të bashkëpunoni me institucionet e shtetit shqiptar! Flisni me fëmijët tuaj edhe për pasojat ligjore, krahas atyre fizike dhe psikologjike që sjell dhuna!”, përfundoi zëvendësministrja Ruseti.