Adea Pirdeni betohet si Ministre për Administratën Publike, Shqipëria për herë të parë me një ministri të dedikuar për reformën administrative

Adea Pirdeni është betuar sot para Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, si Ministre për Administratën Publike, duke shënuar krijimin për herë të parë në Shqipëri të një ministrie me portofol të dedikuar për reformën e administratës publike dhe mirëqeverisjen.

Krijimi i kësaj ministrie synon të forcojë mbështetjen institucionale për modernizimin e shërbimit civil, konsolidimin e meritokracisë, riorganizimin institucional dhe rritjen e transparencës e të llogaridhënies në administratën publike.

Ky zhvillim vjen si vijimësi e reformave të ndërmarra që prej janarit 2024, nën drejtimin e Adea Pirdenit në detyrën e Ministres së Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Me ngritjen e ministrisë së re, reforma e administratës publike merr një strukturë të dedikuar institucionale, me fokus përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarëve, forcimin e kapaciteteve administrative dhe përafrimin me standardet evropiane.

Reforma e administratës publike mbetet një ndër proceset e rëndësishme në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, me synimin për ndërtimin e një administrate profesionale, efikase dhe në shërbim të qytetarëve.