Liceu Francez i Korçës, Kumbaro: Miratohet projektligji për shkollën e re me orientim shkencor dhe diplomë shqiptaro-franceze
Qeveria shqiptare ka miratuar projektligjin për ngritjen e Liceut Francez të Korçës, një institucion të ri publik të arsimit parauniversitar, me orientim shkencor dhe teknologjik, që do t’u ofrojë nxënësve mundësinë e pajisjes me diplomë të përbashkët shqiptare dhe franceze.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, bëri të ditur se projekti vjen si rezultat i marrëveshjes mes qeverive të Shqipërisë dhe Francës, me iniciativën e përbashkët të Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Emmanuel Macron.
Sipas ministres, Ministria e Arsimit ka punuar gjatë dy viteve të fundit për përafrimin e kurrikulave dhe përgatitjen e modelit arsimor të liceut, i cili do të ofrojë mësimdhënie në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht.
Liceu do të jetë një shkollë publike, falas për nxënësit shqiptarë dhe e hapur edhe për nxënës nga vendet e rajonit. Projekti për godinën e re në Korçë parashikon klasa moderne, laboratorë, bibliotekë dhe mensë.
Një tjetër risi është përfshirja e mësuesve francezë në procesin mësimor, krahas mësuesve shqiptarë që do të zhvillojnë lëndë si gjuha shqipe, letërsia dhe historia e Shqipërisë.
Liceu Francez i Korçës synon të ndërthurë traditën historike të arsimit frankofon në Shqipëri me një model bashkëkohor arsimimi, të përqendruar te shkencat, teknologjia dhe bashkëpunimi ndërkombëtar.