250 kandidatë nisin stërvitjen bazë për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura, ministri Nufi: Krenaria për t’i shërbyer Atdheut do t’ju shoqërojë gjithë jetën

250 kandidatë për ushtarë dhe detarë aktivë, mes tyre 28 vajza, nisën sot Stërvitjen Individuale Bazë, duke hedhur hapin e parë drejt karrierës ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Gjatë ceremonisë së përcjelljes së kontingjentit, të zhvilluar në Garnizonin “Skënderbej” në Tiranë, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, vlerësoi vendimin e të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura, duke theksuar se shërbimi ndaj atdheut kërkon kurajë, përkushtim dhe gatishmëri për të përballuar sfidat.

“Është emocion i veçantë për mua sot që të jem në këtë ceremoni, ku 250 djem dhe vajza, nga më të mirët që ka Atdheu, kanë vendosur t’i bashkohen Forcave të Armatosura. Nuk është vendimmarrje e lehtë. Do të keni shumë sfida dhe, në fund të tyre, do të jeni krenarë për veten tuaj!”, u shpreh ministri Nufi.

Duke u ndalur te vlerat dhe përgjegjësitë e profesionit ushtarak, ministri theksoi se shërbimi në Forcat e Armatosura sjell edhe një përmbushje të veçantë personale dhe profesionale.

“Krenaria, gëzimi, si dhe kënaqësia profesionale dhe individuale që do të keni për t’i shërbyer Atdheut, është gjëja që do t’ju shoqërojë gjithë jetën”, theksoi ai.

Gjatë Stërvitjes Individuale Bazë, rekrutët do të përvetësojnë njohuritë dhe aftësitë themelore ushtarake, duke zhvilluar disiplinën, vetëbesimin, përgatitjen profesionale dhe aftësinë për të vepruar në grup. Stërvitja do të zhvillohet nga 26 tetori 2026 deri më 8 janar 2027, në qendrat stërvitore në Poshnje të Beratit, Vaun e Dejës dhe Zall Herr të Tiranës.