Ministri Hoxha takim me ambasadorët e BE-së: Liritë demokratike dhe shteti i së drejtës, në themel të rrugës evropiane të Shqipërisë

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në Shqipëri, gjatë të cilit u diskutua mbi zhvillimet e fundit në vend, respektimin e lirive demokratike dhe vijimin e procesit të integrimit evropian.

Gjatë takimit, Ministri Hoxha riafirmoi angazhimin e Qeverisë shqiptare për garantimin e lirive dhe të drejtave themelore, përfshirë të drejtën për tubim dhe manifestim paqësor. Ai theksoi se aktet e dhunës, vandalizmi dhe sulmet ndaj pronës publike apo private nuk mund të konsiderohen mjete legjitime të shprehjes politike, duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.

Në fokus të diskutimeve ishte gjithashtu ruajtja e stabilitetit institucional, garantimi i ligjshmërisë dhe proporcionalitetit në veprimet e autoriteteve publike, si dhe rëndësia e dialogut si instrument për adresimin e shqetësimeve dhe kapërcimin e dallimeve.

Ministri Hoxha rikonfirmoi gatishmërinë e Qeverisë për dialog me të gjithë aktorët që distancohen nga aktet e dhunës, duke e cilësuar atë si një vlerë thelbësore të funksionimit demokratik.

Duke iu referuar procesit të integrimit evropian, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet një objektiv strategjik kombëtar, i cili kërkon vijimësinë e reformave, konsolidimin e institucioneve dhe respektimin e standardeve demokratike.

“Momentet e vështira duhet të forcojnë vendosmërinë tonë dhe jo të na shmangin nga reformat, standardet demokratike dhe përgjegjësitë që burojnë nga ambicia jonë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian”, u shpreh Ministri Hoxha.

Në përfundim, Ministri vlerësoi dialogun e hapur me përfaqësuesit diplomatikë të vendeve anëtare të BE-së dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm me partnerët evropianë në mbështetje të perspektivës evropiane të Shqipërisë.