Nënshkruhet marrëveshja për ndërtimin e Parkut Eolik të Spillesë, ministri Karakaçi: Investimi i parë i këtij lloji në Shqipëri

Shqipëria nis realizimin e projektit të parë të parkut eolik në vend, me një kapacitet të instaluar prej 72.6 MW. Marrëveshja për ndërtimin e Parkut Eolik të Spillesë, në Bashkinë e Rrogozhinës, u nënshkrua me kompaninë austriake VERBUND, duke shënuar një hap drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të sigurisë energjetike.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes, bëri të ditur se projekti ka përmbushur të gjitha kushtet dhe është gati për nisjen e menjëhershme të punimeve, ndërsa operimi tregtar parashikohet të fillojë në tremujorin e parë të vitit 2028.

“Për herë të parë, Shqipëria kalon nga potenciali i energjisë së erës drejt realizimit konkret të një parku eolik që do të ndërtohet në territorin e saj. Ky është një zhvillim me rëndësi strategjike që ka kapacitetin për ta shndërruar ambicien tonë në një vend që shfrytëzon në mënyrë gjithnjë e më të plotë burimet e veta të energjisë së pastër”, u shpreh ministri Karakaçi.

Parku Eolik i Spillesë është projekti i parë nga tri projektet e përzgjedhura përmes ankandit të parë për energjinë e erës që ka përmbushur të gjitha parakushtet për nisjen e ndërtimit. Krahas marrëveshjes përfundimtare, është nënshkruar edhe marrëveshja e shitblerjes së energjisë elektrike.

Ministri Karakaçi theksoi se zhvillimi i energjisë së erës dhe asaj diellore është pjesë e strategjisë për diversifikimin e prodhimit të energjisë elektrike, me synimin për të ulur varësinë nga kushtet klimatike dhe për të garantuar furnizim më të qëndrueshëm për familjet dhe bizneset.

Investimi pritet të sjellë përfitime edhe për ekonominë lokale të Rrogozhinës, përmes zhvillimit të infrastrukturës së aksesit dhe përfshirjes së nënkontraktorëve shqiptarë në zbatimin e projektit.