Ibrahimaj: Forcimi i bashkëpunimit rajonal, i rëndësishëm për zgjerimin e mundësive për gratë sipërmarrëse
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në Konferencën Rajonale për Gratë Ndërmarrëse dhe Takimet B2B, Edicioni IV, “SHE RISES”, të zhvilluar në Prishtinë. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit të biznesit nga vendet e rajonit, me fokus fuqizimin ekonomik të grave, nxitjen e sipërmarrjes dhe zgjerimin e bashkëpunimit rajonal.
Gjatë Panelit Ministror “Ndërmarrësia e Grave në Bashkëpunimin Ekonomik Rajonal”, ministrja Ibrahimaj prezantoi politikat e Shqipërisë për mbështetjen e grave dhe vajzave në sipërmarrje, duke u ndalur veçanërisht te skemat e financimit të startup-eve. Ajo bëri të ditur se gjatë vitit të kaluar, 42% e fondeve të akorduara për startup-et kanë përfituar ndërmarrjet e drejtuara nga gra dhe vajza, krahasuar me rreth 28–30% në vitet e para të zbatimit të skemës.
Ministrja theksoi se Shqipëria renditet e para në rajon për pjesëmarrjen e grave në tregun e punës, me një tregues prej 62%, ndërsa gratë administratore përbëjnë rreth 31–31,5% të drejtuesve të ndërmarrjeve. Sipas saj, këto të dhëna dëshmojnë nevojën për politika të mëtejshme që nxisin përfshirjen e grave në krijimin dhe drejtimin e bizneseve.
Në kuadër të forcimit të bashkëpunimit ekonomik rajonal, Ibrahimaj propozoi krijimin e një forumi të përbashkët për gratë sipërmarrëse, me përfaqësuese nga vendet e rajonit, për të nxitur partneritete të reja, shkëmbimin e informacionit dhe identifikimin e mundësive të financimit. Ajo vlerësoi gjithashtu rolin e teknologjisë dhe inovacionit në zgjerimin e aksesit të grave në tregje dhe në zhvillimin e aktiviteteve të tyre ekonomike.
Konferenca “SHE RISES”, e organizuar nga Dhoma Ekonomike e Grave të Kosovës, synon forcimin e lidhjeve mes grave sipërmarrëse të rajonit, përmes shkëmbimit të përvojave, takimeve B2B dhe krijimit të partneriteteve të qëndrueshme të biznesit.