Anëtarësimi në BE, Ministri Hoxha nga Berlini: Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra, por vlerësim mbi bazën e meritës
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Berlin në konferencën ndërkombëtare “Zgjerimi i BE-së: Vlerësimi i koncepteve të reja dhe perspektiva për vitin 2027”, organizuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë (DGAP).
Gjatë fjalës së tij, Ministri Hoxha theksoi se zhvillimet gjeopolitike e kanë kthyer zgjerimin e Bashkimit Europian në një domosdoshmëri strategjike dhe të sigurisë, duke nënvizuar se ky proces duhet të mbështetet në reforma konkrete, respektimin e standardeve europiane dhe forcimin e institucioneve demokratike.
“Anëtarësimi në BE fitohet me meritë, nuk dhurohet si akt solidariteti. Fitohet reformë pas reforme, kapitull pas kapitulli, standard pas standardi”, u shpreh Ministri Hoxha, duke theksuar se Shqipëria nuk kërkon rrugë të shkurtra drejt integrimit, por një proces të drejtë dhe të bazuar në rezultate.
Ministri nënvizoi gjithashtu se procesi i bazuar në meritë duhet të funksionojë në të dyja drejtimet, ku përparimi i vendeve kandidate në zbatimin e reformave duhet të shoqërohet me hapa konkretë nga Bashkimi Europian. Sipas tij, zgjerimi nuk synon vetëm një BE më të madhe, por një Europë më të fortë, më të sigurt dhe plotësisht të bashkuar.