Projektbuxheti 2027 për pushtetin vendor, rritet financimi për bashkitë dhe mbështetja për reformën territoriale

Buxheti për pushtetin vendor në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 114.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% krahasuar me vitin 2026, ndërsa transfertat nga Buxheti i Shtetit për njësitë e vetëqeverisjes vendore arrijnë në 49.4 miliardë lekë, ose 4% më shumë se një vit më parë. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, theksoi se financimet synojnë forcimin e kapaciteteve të bashkive, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe mbështetjen e reformës territoriale.

Një nga projektet kryesore është digjitalizimi i shërbimeve vendore, i financuar nga Banka Botërore, zbatimi i të cilit do të nisë në disa bashki, duke filluar nga Tirana. Projekti synon të lehtësojë ndërveprimin e qytetarëve me administratën vendore dhe të zgjerojë ofrimin e shërbimeve digjitale në nivel lokal.

Një tjetër investim është zhvillimi i sistemit AFMIS, gjithashtu i mbështetur nga Banka Botërore, i cili do të mundësojë përmirësimin e planifikimit dhe menaxhimit financiar të pushtetit vendor. Përmes një platforme monitorimi, institucionet do të kenë mundësi të ndjekin në kohë reale situatën financiare të çdo bashkie, duke lehtësuar shpërndarjen e burimeve dhe hartimin e politikave mbështetëse.

Ministri Demo u ndal edhe te roli i Akademisë së Trajnimit për Vetëqeverisjen Vendore (TALGA), e cila do të mbështesë forcimin e kapaciteteve administrative dhe procesin e tranzicionit që do të shoqërojë reformën territoriale. Në këtë drejtim, ai theksoi edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë partnerët zviceranë, suedezë, holandezë dhe delegacionin e Bashkimit Evropian.

Sa i përket zbatimit të reformës territoriale, ministri bëri të ditur se viti 2027 do të jetë një periudhë tranzicioni për administratat dhe buxhetet vendore, pasi reforma pritet të hyjë në fuqi pas zgjedhjeve lokale. Gjatë kësaj periudhe, fondet e alokuara nga Buxheti i Shtetit do të transferohen te bashkitë e reja, ndërsa prioritet do të jetë konsolidimi i strukturave vendore dhe përgatitja e planifikimeve buxhetore për vitin 2028.