Projektbuxheti 2027 për drejtësinë, ministri Gogu: 30 miliardë lekë për forcimin e sistemit dhe zgjerimin e aksesit në drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi sot në Komisionin e Ligjeve projektbuxhetin e vitit 2027 për sistemin e drejtësisë, i cili parashikon një fond prej rreth 30 miliardë lekësh, niveli më i lartë i financimit deri më tani. Nga kjo shumë, 15.7 miliardë lekë janë parashikuar për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e saj të varësisë, me fokus zgjerimin e aksesit në drejtësi, mbrojtjen e të miturve, riintegrimin e të dënuarve, përmirësimin e kushteve në sistemin penitenciar dhe përmbylljen e kompensimit të pronave.

Një nga prioritetet kryesore të projektbuxhetit është zgjerimi i shërbimit të Ndihmës Juridike Falas, përmes hapjes së 10 zyrave të reja. Pesë prej tyre do të hapen në dhjetor 2026 në Kamëz, Krujë, Librazhd, Bulqizë dhe Rrëshen, ndërsa pesë të tjera në vitin 2027 në Divjakë, Mallakastër, Gramsh, Devoll dhe Malësi të Madhe. Krahas ndihmës juridike falas, përfituesit do të kenë lehtësime në tarifat e analizave, ekspertizave dhe shpenzimeve përmbarimore, ndërsa gjashtë dokumente të kërkuara më parë do të sigurohen drejtpërdrejt nga administrata përmes platformës e-Albania.

Një tjetër masë e rëndësishme është rritja me 66% e buxhetit të Shërbimit të Provës, nga 255 milionë në 424 milionë lekë. Financimi synon zgjerimin e shërbimeve për riintegrimin e të dënuarve, përmes trajnimit profesional, mbështetjes psikosociale dhe ndihmës për punësim e strehim. Nga këto masa pritet të përfitojnë mbi 1000 të dënuar, ndërsa sistemi i mbikëqyrjes elektronike parashikohet të vihet në funksion në muajin mars 2027.

Gjatë vitit 2027 parashikohet vënia në funksion e qendrës së Mëzezit për edukimin dhe rehabilitimin e të miturve në konflikt me ligjin. Qendra do të shërbejë gjithashtu për trajnimin e rreth 500 profesionistëve çdo vit, me synim forcimin e kapaciteteve për trajtimin dhe riintegrimin e të miturve.

Projektbuxheti parashikon gjithashtu 250 milionë lekë për ndërtimin e spitalit të mjekimit të detyruar në Shën Koll të Lezhës, punimet për të cilin pritet të nisin në janar 2027. Ky investim synon përmirësimin e kushteve të trajtimit dhe adresimin e rekomandimeve të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës.

Sa i përket kompensimit të pronave, Agjencia e Trajtimit të Pronave synon që gjatë vitit 2027 të përmbyllë procesin e kompensimit për 2366 familjet që janë ende në pritje të pagesave për pronat informale, duke finalizuar një proces të nisur në vitin 2008.

Ministri Gogu u ndal edhe te forcimi i kapaciteteve të sistemit gjyqësor, duke theksuar se financimi i parashikuar garanton trajtimin financiar të magjistratëve dhe shtimin e numrit të tyre, si dhe të stafit mbështetës, me synim uljen e çështjeve të prapambetura në gjykata. Gjithashtu, vijon projektimi i Polit të Drejtësisë në Tiranë, ku parashikohet vendosja e gjykatave, prokurorive dhe Avokaturës së Shtetit.

Për vitin 2027, investimet e Ministrisë së Drejtësisë parashikohen në 1.23 miliardë lekë, të financuara tërësisht nga Buxheti i Shtetit, ndërsa planifikohet punësimi i mbi 160 punonjësve të rinj. Ministri theksoi se prioritet mbetet orientimi i financimeve drejt shërbimeve që përmirësojnë aksesin e qytetarëve në drejtësi dhe forcojnë funksionimin e institucioneve.