Projektbuxheti 2027, ministri Karakaçi: 35.15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 35.15 miliardë lekë për infrastrukturën rrugore, me fokus vijimin e investimeve strategjike, përshpejtimin e punimeve në projektet ekzistuese dhe nisjen e ndërhyrjeve të reja. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se fondet do të mbështesin zhvillimin e rrjetit kombëtar rrugor, përmirësimin e lidhjeve ndërmjet rajoneve dhe integrimin e Shqipërisë me korridoret evropiane të transportit.

Dy nga projektet kryesore, autostrada Tiranë-Durrës dhe aksi Tiranë-Ndroq-Plepa, do të financohen tërësisht nga buxheti i shtetit, me synim përshpejtimin e punimeve dhe përfundimin e tyre në një kohë sa më të shkurtër. Në të njëjtën skemë financimi do të kalojë edhe bypassi i Elbasanit, për të garantuar vijimësinë e realizimit të projektit.

Një tjetër prioritet për vitin 2027 mbetet zhvillimi i Korridorit VIII dhe Korridorit Blu. Në kuadër të këtij të fundit, parashikohet nisja e punimeve për segmentin Kashar-Rrogozhinë në fund të vitit 2026, ndërsa për segmentet Lekaj-Fier dhe Milot-Balldren pritet nënshkrimi i kontratave, që do t’i hapë rrugë finalizimit të projekteve të zbatimit dhe nisjes së punimeve.

Projektbuxheti parashikon gjithashtu financimin e projekteve të reja, përfshirë hyrjen veriore të Tiranës, që shmang kalimin përmes Kamzës, hyrjen verilindore që lidh kryeqytetin me Rrugën e Arbrit, si dhe rrugën Berat-Skrapar.

Paralelisht, Autoriteti Rrugor Shqiptar po punon për përgatitjen e projekteve të tjera infrastrukturore, ndër të cilat aksi Koplik-Bogë-Theth, Rruga e Vjosës dhe lidhja Rrëshen-Mirditë, për të cilat do të vlerësohen mundësitë e financimit.

Sipas ministrit Karakaçi, investimet e parashikuara synojnë ndërtimin e një infrastrukture rrugore më moderne, të sigurt dhe të qëndrueshme, duke përmirësuar lëvizshmërinë, lidhjen mes qyteteve dhe zhvillimin ekonomik të rajoneve.