Projektbuxheti 2027, ministri Nufi: Investime për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe përmbushjen e angazhimeve në NATO
Ministria e Mbrojtjes do të ketë në dispozicion rreth 76.3 miliardë lekë për vitin 2027, me një rritje prej 7.5 miliardë lekësh, ose 10%, krahasuar me vitin 2026. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, ministri Ermal Nufi bëri të ditur se 43.6 miliardë lekë, ose 57.2% e buxhetit, do të orientohen drejt investimeve kapitale, me fokus modernizimin e Forcave të Armatosura, forcimin e kapaciteteve operacionale dhe përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në NATO.
Për modernizimin e Forcave të Armatosura parashikohen projekte me vlerë rreth 23.1 miliardë lekë, që përfshijnë pajisjen me armatim dhe dronë, zhvillimin e sistemit të integruar të vëzhgimit të hapësirës ajrore, blerjen e avionëve krahëfiks dhe ndërtimin e sistemeve kundër dronëve. Investimet përfshijnë gjithashtu modernizimin e mjeteve të transportit, sistemeve të komunikimit dhe informacionit në Bazën Ajrore të Kuçovës, si dhe forcimin e mbrojtjes ajrore.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm është zhvillimi i infrastrukturës ushtarake, për të cilën parashikohen rreth 5.9 miliardë lekë. Projektet përfshijnë ndërtimin e pjesës ushtarake të portit të ri në Porto Romano, rivitalizimin e Bazës së Pashalimanit, infrastrukturën mbështetëse për Korridorin VIII, hangarët e Shkollës së Aviacionit, rikonstruksionin e godinës së Spitalit Ushtarak dhe ndërtimin e një strukture akomoduese në përputhje me masterplanin e Akademisë së Forcave të Armatosura. Financime parashikohen edhe për përmirësimin e kapaciteteve të emergjencave civile dhe menaxhimin e fatkeqësive natyrore.
Ministri Nufi u ndal edhe te bashkëpunimi me partnerët strategjikë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke përmendur furnizimin me sisteme raketore, helikopterë shumërolësh dhe sistemin e komunikimit Link 16, që synon integrimin e mëtejshëm të kapaciteteve shqiptare me sistemet e NATO-s. Për periudhën 2027-2029, investimet me financim të huaj parashikohen në rreth 43.5 miliardë lekë, në mbështetje të projekteve të modernizimit.
Gjatë prezantimit, ministri theksoi gjithashtu rëndësinë e përshpejtimit të realizimit të investimeve dhe përdorimit efektiv të fondeve publike. Prioritetet për vitin 2027 përfshijnë forcimin e sigurisë kibernetike, zhvillimin e kapaciteteve detare dhe ajrore, përmirësimin e infrastrukturës logjistike, mbështetjen e personelit ushtarak dhe rritjen e gatishmërisë për përballimin e emergjencave civile.