Spahiu: 117.8 miliardë lekë për shëndetësinë dhe mirëqenien sociale në 2027, më shumë investime, trajtime moderne dhe mbështetje për familjet
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, prezantoi në Komisionin e Ekonomisë Projektbuxhetin 2027 dhe prioritetet e Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029, duke theksuar se në qendër të politikave shëndetësore dhe sociale do të jetë qytetari, përmes zgjerimit të shërbimeve, modernizimit të spitaleve dhe forcimit të mbrojtjes sociale.
Për vitin 2027, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale parashikohet të arrijë në 117.8 miliardë lekë, me një rritje prej 4.7 miliardë lekësh krahasuar me vitin 2026. Nga ky financim, 84.2 miliardë lekë janë parashikuar për shëndetësinë dhe 33.5 miliardë lekë për mirëqenien sociale dhe ish-të përndjekurit politikë, ndërsa investimet në të dy sektorët arrijnë në rreth 5.4 miliardë lekë.
“Çdo lek i investuar në shëndetësi duhet të përkthehet në një shërbim më të mirë, një diagnozë më të hershme, një trajtim më cilësor dhe një mbrojtje më të madhe për pacientin”, theksoi ministrja Spahiu.
Një ndër prioritetet kryesore të projektbuxhetit është zgjerimi i aksesit në barna dhe trajtime bashkëkohore. Fondi për rimbursimin e barnave rritet në 14.5 miliardë lekë, një miliard lekë më shumë se në vitin 2026, me fokus të veçantë te pacientët onkologjikë dhe terapitë e reja.
Për zhvillimin e Institutit Kombëtar Onkologjik parashikohen rreth 2 miliardë lekë, me synimin për të trajtuar rreth 6,200 pacientë. Një tjetër risi është financimi për herë të parë i shërbimit PET-CT në sistemin publik pranë QSUT-së, me 250 milionë lekë për rreth 2,500 pacientë, duke synuar ofrimin falas të këtij ekzaminimi pas përmbushjes së kushteve të nevojshme teknike dhe profesionale.
Në kujdesin parësor, projektbuxheti parashikon financimin e 7.51 milionë vizitave, vijimin e kontrollit mjekësor bazë dhe zgjerimin e programeve të parandalimit. Një zhvillim i rëndësishëm është kalimi te vaksina nëntëvalente kundër HPV-së dhe përfshirja e djemve në programin e vaksinimit. Gjithashtu, gjatë periudhës 2027–2029 synohet rehabilitimi dhe rindërtimi i 100 qendrave shëndetësore dhe ambulancave.
Modernizimi i infrastrukturës spitalore mbetet një tjetër drejtim i rëndësishëm. Investimet përfshijnë QSUT-në, Spitalin Universitar të Traumës, ndërtimin e godinës së re të Spitalit Rajonal Korçë, rikonstruksionin e spitaleve në Gjirokastër, Pogradec, Lushnjë, Mat dhe Dibër, si dhe ndërhyrje në maternitetet e Tiranës, Shkodrës dhe Fierit.
Në të njëjtën kohë, reforma spitalore synon forcimin e autonomisë financiare të QSUT-së dhe zhvillimin e saj si qendër rajonale ekselence, ndërsa 1.15 miliardë lekë parashikohen për modernizimin e infrastrukturës digjitale, përfshirë zhvillimin e dosjes elektronike shëndetësore dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në diagnostikim.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe profesionistëve të shëndetësisë. Projektbuxheti përfshin 300 milionë lekë shtesë për dyfishimin e pagesës së shërbimit të rojës për rreth 400 mjekë të urgjencës, krahas hartimit të një plani kombëtar 10-vjeçar për burimet njerëzore në shëndetësi.
Në fushën e mbrojtjes sociale, 6.8 miliardë lekë janë parashikuar për ndihmën ekonomike, nga e cila pritet të përfitojnë rreth 59 mijë familje, ndërsa rreth 19 miliardë lekë do të mbështesin personat me aftësi të kufizuara dhe kujdestarët e tyre.
Një nga risitë e rëndësishme të vitit 2027 është propozimi për mbështetje mujore të familjeve me të ardhura të ulëta që kanë fëmijë të moshës 0–5 vjeç, duke filluar nga korriku. Për këtë masë parashikohen 500 milionë lekë gjatë vitit 2027. Ndërkohë, 2.8 miliardë lekë do të financojnë programin “Bonusi i Bebes”, ndërsa vijon mbështetja me sigurime shoqërore dhe shëndetësore për rreth 8,900 nëna të papuna me tre ose më shumë fëmijë.
Ministrja prezantoi gjithashtu nisma të reja për familjet në varfëri ekstreme, ngritjen e Këshillit Kombëtar të Neurodivergjencës dhe zhvillimin e shërbimeve të specializuara për fëmijët dhe të rinjtë me autizëm, si dhe zgjerimin e kujdesit geriatrik dhe paliativ në spitalet bashkiake.
Në përfundim, Spahiu nënvizoi se objektivi i reformave për periudhën 2027–2029 është kalimi drejt një sistemi shëndetësor më efikas, më të aksesueshëm dhe të orientuar drejt parandalimit, ku financimi publik të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët.
“Objektivi është i qartë: Nga një sistem që trajton sëmundjen, drejt një sistemi që ruan shëndetin!”, theksoi ministrja.