Kumbaro: Një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe, mbështetje e personalizuar për arsimin gjithëpërfshirës
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, zhvilloi një takim me prindër të fëmijëve me aftësi ndryshe, ku në fokus ishte përmirësimi i mbështetjes në institucionet arsimore, roli i mësuesit ndihmës dhe forcimi i bashkëpunimit me familjet.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan sfidat me të cilat përballen fëmijët dhe prindërit në përditshmërinë shkollore, si dhe nevoja për shërbime mbështetëse më cilësore dhe të përshtatura sipas nevojave individuale të çdo nxënësi.
Një nga angazhimet kryesore të prezantuara nga ministrja lidhet me buxhetin e ri, i cili parashikon kalimin drejt raportit një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe. Kjo nismë synon të forcojë mbështetjen individuale, duke kaluar nga modeli i një mësuesi ndihmës për katër fëmijë, drejt një qasjeje ku çdo nxënës përfiton vëmendjen dhe asistencën e nevojshme.
“Besoj se arsimi gjithëpërfshirës nuk ndërtohet vetëm përmes politikave dhe udhëzimeve, por mbi të gjitha përmes dëgjimit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me prindërit. Çdo fëmijë ka të drejtën të mësojë, të zhvillohet dhe të ndihet i pranuar. Me buxhetin e ri, do të kemi një mësues ndihmës për çdo fëmijë me aftësi ndryshe”, u shpreh Kumbaro.
Ministrja theksoi se përmirësimi i mbështetjes individuale, fuqizimi i rolit të mësuesit ndihmës dhe komunikimi i vazhdueshëm me familjet janë elemente thelbësore për ndërtimin e një sistemi arsimor më gjithëpërfshirës, ku çdo fëmijë ka mundësi të barabarta për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe për të qenë pjesë aktive e komunitetit shkollor.