Shqipëria shënon sot 13 – vjetorin e anëtarësimit në NATO.
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka uruar shqiptarët dhe veçanërisht Forcat e Armatosura për këtë ditë të shënuar:
“Pavarësisht periudhave të caktuara, vokacioni i popullit shqiptar ka qenë ndër shekuj perëndimor. 13 vjet më parë ky vokacion u materializua me anëtarësimin e Shqipërisë në aleancën më të madhe politiko – ushtarake që ka njohur bota. Që prej asaj dite, por edhe më herët, trupat shqiptarë kanë shërbyer pothuasje në çdo mision të NATO. Kontributi jonë, si një aleat i denjë i Aleancës do të shtohet çdo ditë e më tepër me qëndrimet dhe veprimet tona pro paqes dhe lirisë në botë.
Gëzuar 13 vjetorin e Shqipërisë në NATO!”, thekson në mesazhin e tij, ministri Peleshi.
Në këtë 13 – vjetor Forcat e Armatosura janë në një proces reformimi dhe modernizimi.
Më 1 prill 2009 Shqipëria u bë anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.