Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi po zhvillon një vizitë zyrtare në Greqi. Ditën e sotme është takuar me ministrin për Migracionin dhe Azilin, Notis Mitarachi.
“Diskutova për çështje të ndryshme që prekin emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi si komuniteti më i madh i të huajve në shtetin helen dhe me një kontribut të madh në ekonominë vendase dhe rol të jashtëzakonshëm në afrimin e dy popujve tanë”, shprehet ministri.
Temë tjetër e diskutimit kanë qenë edhe flukset migratore që vijnë prej vendeve Afrikës apo Lindjes së Mesme.
“Si portë hyrësë për në BE, Greqia përballet e para me këto flukse dhe realisht ka mbajtur një peshë të madhe, ndërsa Shqipëria si vend tranzit bën pjesën e vet për t’i prerë rrugën këtyre lëvizjeve që mobilizojnë krimin e organizuar. Misioni FRONTEX dhe bashkëpunimi me palën greke për forcimin e kontrollit të kufijve kanë dhënë një impakt të jashtëzakonshëm”, thotë ministri Çuçi.
Në vijim të takimit ai tha se Shqipëria mirëpret gjithashtu ekspertizën e lartë greke në përgatitjen e planeve të kontigjencës dhe zbatimit të programeve të BE për emigrantët.
Çuçi risolli në vëmendje të ministrit grek të Migracionit dhe Azilit qasjen e Shqipërisë për dhënien e statusit të mbrojtjes së përkohshme sipas direktivës së BE-së për shtetasit afganë që lanë vendin e tyre, por edhe për ukrainasit që detyrohen të largohen për shkak të luftës.