Kosova dhe Shqipëria përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe projekteve të përbashkëta bujqësore, po e avancojnë e fuqizojnë bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Republikës së Shqipërisë, Frida Krifca u takua në Prishtinë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
“Dy ministri për një bujqësi” ishte përkufizimi i Ministres Krifca për bashkëpunimin mes dy ministrive. Ajo falënderoi Ministrin Peci për pritjen, si dhe shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për thellimin e bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim avancimin e politikave të duhura zhvillimore për sektorin e bujqësisë së të dyja vendeve. “Sipas porosisë së Kryeministrit Rama, çdo gjë për të cilën ne jemi dakordësuar është në krye të axhendës së punës time si Ministre për t’u realizuar. Eshtë prioritet i prioriteteve që gjithçka që ne kemi vendosur, të jetë në krye të agjendës të punës së të gjithë ministrave përkatës”.
Ministri Peci, pasi falënderoi Ministren Krifca për vizitën, tha se “Tashmë të dy ministritë kemi ndërmarrë hapa konkretë dhe objektivat tona të përbashkëta në sektorin e bujqësisë në mes të dyja vendeve jemi duke i konkretizuar sipas dokumenteve qeveritare, të cilat i kemi nënshkruar gjatë vitit të kaluar”.
Në takimin mes dy ministrave u trajtuan projektet e mundshme ndërkufitare, angazhimet për modele zhvillimi në sektorin e bujqësisë, një sekor që ka marrë një rëndësi akoma më të madhe në këto kohë të paprecedente të agresionit rus në Ukrainë, si dhe nxitja e debatit publik mbi të ardhmen e bujqësisë. Po ashtu, të dy ministrat diskutuan mbi organimin e një panairi të përbashkët të bujqësisë, me produkte 100 për qind shqiptare.
Të dy ministrat theksuan se Kosova dhe Shqipëria janë partnerë strategjikë në çdo fushë dhe bashkëpunimi në fushën e bujqësisë duhet të thellohet në vazhdimësi.